Prof. Dr. Jamarbër Malltezi: Ja 7 paditë që do çojmë në SPAK për koncesionet korruptive

507
Sigal

Kemi gati 7 padi për koncesionet korruptive, që do çohen në SPAK. Ping – pongu me dosjen 184 treguesi më i qartë i kapjes së institucioneve të Drejtësisë. Ja pse Rama nuk ka vullnet të luftojë krimin dhe korrupsionin

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi, anëtar i Kryesisë së PD dhe Drejtues i Departamentit të Mjedisit, Turizmit dhe Pyjeve

Ping-pongu me dosjen 184 është treguesi më i qartë për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, frikën e institucioneve të drejtësisë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, nëse përfshihen qeveritarët dhe  talljen me parimet e shtetit të së drejtës

Ja 7 paditë që do çojmë në SPAK për koncesionet korruptive

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Jamarbër Malltezi, anëtar i Kryesisë së PD dhe Drejtues i Departamentit të Mjedisit, Turizmit dhe Pyjeve në intervisstën për gazetën “Telegraf” jep lajmin se PD do të depozitojë në SPAK edhe 7 padi penale ndaj koncesioneve korruptive, përfshi Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Blendi Klosit, etj. Prof. Malltezi thotë se nënshtrimi i organeve të drejtësisë bën që të rinjtë të humasin shpresën, prandaj emigrojnë masivisht, thua se në Shqipëri ka rënë kolera. Prof. Malltezi, pranon se PD-ja duhet të kishte përmirësuar komunikimin publik për shumë çështje të nxehta politike, por deklaron se PD do të vijë në pushtet me votë e jo me luftë dhe do t’i shpallë luftë të hapur krimit e korrupsionit.

– Prof. Malltezi, ju disa herë keni denoncuar PPP-të e inceneratorëve në Fier, Tiranë dhe Elbasan si afera korruptive dhe nuk ka patur asnjë reagim nga Kryeministri Rama dhe Arben Ahmetaj. Do të bëni padi në SPAK?

– Kemi gati për të depozituar në SPAK shtatë padi penale, jo vetëm për aferën e rëndë të inceneratorëve, por edhe të tjera dhe përfshijnë padi për zyrtarë të lartë, duke përfshirë Edi Ramën, Arben Ahmetaj, Lefter Kokën, Blendi Klosin, Artan Lamen, Zamir Dedej, etj. Ka mëdyshje, a të depozitojmë 3 padi të veçanta, apo një padi të vetme për të trë inceneratorët. Kjo, pasi ka vepra penale të shumëfishta e të ndryshme në secilin prej tyre. Paditë e tjera i kemi gati të gjitha për depozitim qysh prej dy muajsh, njoftuam kryesinë e PD për këtë gjë dhe po pres momentin, kur ta na thonë për t’i depozituar.

– SPAK deklaroi se nuk ka kompetenca të hetojë dosjen 184, edhe pse bëhet fjalë për krim zgjedhor dhe bashkëpunim të zyrtarëve më të lartë me krimin. A mendoni se ky vendim i SPAK është zhgënjyes për pritshmëritë që kishim të gjithë nga ky institucion?

– Ping-pongu me dosjen 184 është treguesi më i qartë për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, frikën e institucioneve të drejtësisë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, nëse përfshihen qeveritarët dhe  talljen me parimet e shtetit të së drejtës. Për fat të keq kjo provoi edhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj fasadës së drejtësisë. Ju kujtoj se reforma në drejtësi pritej me padurim nga gjithë shoqëria për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta që e dinin veten të paprekshëm. Në 2014-2015 mbështetja publike për reformeën në drejtësi ishte në nivele shumë teë larta, disa burime e nxorrën deri 90%, ndërsa tani shohim se deri 76% e qytetarëve shprehen se janë të zhgënjyer dhe nuk presin gjë nga reforma në drejtësi. Kjo është dëshpëruese për pritshmëritë e larta që kishim. Nënshtrimi politik i organeve të drejtësisë nuk flet aspak mirë për të ardhmen e vendit dhe bën që të rinjtë të braktisin këtë vend të bukur, sikur t’i kish rënë kolera.

Prof. Malltezi, u publikua video ku kryebashkiaku i 30 qershorit 2019 pi drogë në vendet publike dhe çuditërisht as nga kryeministri, as nga ambasadorët në Tiranë nuk pati reagime. A nuk është kjo ironia më e madhe politike, që me këtë realitet politik, Shqipëria të udhëheq OSBE?

– Droga ka pushtuar vendin, droga përcakton politikën, droga bleu zgjedhjet dhe droga po cakton emërimet në administratë publike. Përshembull,  i dënuari për drogë Blend Mane u emërua inspektor pyjesh, Avdylajt emëruan drejtorin e Agjensisë së Mjedisit për Durrësin, ndonëse ky nuk kishte bërë asnjë ditë shkolle për çështje mjedisore. Grupet e drogës emëruan të kërkuar si i ndjeri S. Malko si inspektor pyjesh pa asnjë ditë shkollë për atë punë. Është fatkeqësi për nivelin e rëndë kriminal ku e ka sjellë vendin kjo qeveri. Shihi tek dosjet 184 dhe 339 që tregojnë qartë blerjen e zgjedhjeve nga grupet kriminale. Përgjohen grupet e drogës dhe dalin duke blerë zgjedhjet. Në gati 600 disqe me mijëra minuta përgjime, a ka qoftë edhe një fjali lidhur me programin elektoral të kandidatëve, apo qoftë një fjali për premtimet elektorale për komunitetet? Asnjë fjalë. Shqipëria është kthyer në një narkoshtet dhe këtë e konfirmojnë mediumet më të rëndësishme perëndimore. Shqipëria, ndërkaq ka marrë një rol rotacioni në OSCE bazuar në kërkesat dhe lobimin e fuqishëm të para 11 viteve. Por, ndërkaq edhe OSCE i vuri me detyrim edhe Ditmirin me rol si mbikqyrës dhe korrier të shqetësimeve të organizatës, siç nuk kish ndodhur kurrë më parë.

Para disa javësh kryetari i PD Lulzim Basha u premtonte shqiptarëve se me Ramën Kryeministër nuk ka marrëveshje për Reformë Zgjedhore dhe zgjedhje parlamentare. Por PD u ul në tryezë bisedimesh me Damian Gjiknurin për Reformën, ndërsa Basha para disa ditësh deklaroi se ka marrëveshje me Ramën për zgjedhje të parakohshme. Pse ky ndryshim politik?

– Jam dakort deri diku me kritikën që PD do duhej të kish parapërgatitur opinionin dhe të kish përmirësuar komunikimin publik lidhur me këtë çështje. Por qartazi PD, si forcë politike demokratike dhe me vlera Evropiane, do vijë në pushtet veç me votë dhe jo me luftë. Prandaj palët natyrisht do ulen në tryezë për të përcaktuar kushtet e garës elektorale. Në tryezë natyrisht nuk përcakton dot kundërshtarin, përndryshe do ishte lojë e jo përballje. Por bie dakort që këto elemente do duheshin sqaruar elektoratit paraprakish dhe mos gjendeshin të surprizuar me një tryezë me hajdutin e votave pa folur asnjë fjalë më parë. Përshembull, do duhej që PD të fliste troç, që jemi parti evropiane dhe do bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe të zhdukim këtë bande të krimit të organizuar që mban vendin peng. Për këtë qellim duhet të ulemi dhe caktojmë rregullat e zgjedhjeve me kundërshtarët, nuk përcaktojmë ne kundërshtarin, por pala tjetër, ne tregojmë qartazi që ky person duhet të ishte i pandehur si blerës votash dhe bashkëpunëtor aktiv me bandat e krimit të organizuar. Nga ana tjetër, qartazi nuk presim që hajduti Rama të respektojë parimet e shtetit ligjor dhe të zgjedhjeve, ndërkohë, qeë ka vjedhur çdo palë zgjedhje, qysh ne 2013 me zgjedhjet për kryebashkiak në Korçë, por ne do bëjmë tonën, pasi nuk pranojmë të marrim pushtet as në tavolinë dhe as me luftë, por veç me zgjedhje. Nëse këto artikuloheshin qartë, besoj se askush nuk do e quante ndryshim politik, por respektim të parimeve të shtetit ligjor nga opozita.

Shumë përkrahës të mbrojtjes së kauzës së opozitës mbrojtën dhe luftuan që ky sistem zgjedhor i listave të mbyllura të ndryshonte me reformën zgjedhore, që kryetari i partisë të mos ketë monopolin të emërojë parlament sikurse ky i tanishmi, ku edhe kandidatët e Listës së PD dolën deputetë pa personalitet. Mirëpo PD nuk do ndryshimin e këtij sistemi zgjedhor. Nëse ju pyet opozitari përse nuk doni, ju si do t’i përgjigjeshit?

– Kjo është një temë me të cilën as nuk kam ekspertizë dhe as nuk jam marrë ndonjëherë. Për pasojë, nuk besoj se jam personi i duhur të flas. Jam dakort që të ketë një dialog të hapur publik me anët pozitive dhe negative të secilit sistem zgjedhor dhe pas një procesi të gjerë të vendosin për cilindo sistem që paraqet me shumë përparësi, qe nuk lejon futjen e banditëve në Parlament dhe që të shmangë autoritarizmin.

–  Zoti Malltezi, para disa ditësh Lideri historik i PD Doktor Berisha deklaroi se vetëm protestat e fuqishme do ta detyrojnë kryeministrin e narkoshtetit të dorëhiqet. Ndërkohë, që PD-ja hoqi dorë nga protestat që nga maji i 2019, me gjithfarë justifikimesh politike të pritjes së negociatave, të cilat dolën bllof, derisa ende Shqipëria nuk ka plotësuat asgjë. Mos vallë PD-ja gabon sërish që nuk dëgjon këshillën e Berishës për protesta?

– Protestat ndaj kësaj qeverie janë detyrë qytetare jo vetëm zgjedhje e luftës politike. Ka një konsensus për të protestuar ndaj kësaj qeverie që ka përzënë 500,000 shqiptarë nga shtëpia e tyre, a thua se ka rënë kolera në këtë vend. Vetëm se protestat nuk do duhet të jenë aktiviteti i vetëm politik i Partisë Demokratike, që ka për detyrë edhe të ofroje shpresë dhe alternativa për qytetarët. Ndaj, mendoj se më shumë sesa protestat, duhen shtuar aksionet komplekse politike, që përfshijnë protestat, denoncimet, paditë penale ndaj vjedhjeve, dëgjesat publike, takimet me qytetarët në çdo vendbanim, paraqitja e alternativës qeverisëse se PD me gjithë grupet e interesit, etj. Ne do bëjme ndryshimin nga qeverisja aktuale, duke treguar modele të bazuara në mirëqeverisje, parimet kryesore perëndimore përfshi ekonominë e tregut, luftën ndaj korrupsionit, shtetin ligjor, respektimin e standardeve, etj, dhe jo bazuar në kapjen e sa më shumeë banditëve pranë. Banditët dhe trafikanteët e drogës ia kemi lënë Edi Rames.

– Faleminderit!