Prof. Dr. Irakli Kocollari: Shqipëria të mos i bëjë lëshime Greqisë në marrëveshjen e re, për hir të votës së Integrimit

3482
Sigal

Gabuam në lotimin për hapjen e negociatave. Europianëve nuk duhej t’u zbukuronim realitetin. Pa reformë në drejtësi nuk ka anëtarësim

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Irakli Koçollari në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon pse Shqipëria nuk mund të integrohet nëse nuk realizohet refoma në drejtësi. Si diplomat, Prof. Koçollari thotë se Shqipëria nuk bëri lobingun e duhur me BE-në për hapjen e negociatave dhe se në lobin nuk mund të prezantosh realitete të bojatisura me suksese imagjinare. Prof. Koçollari thekson se Shqipëria nuk mund të bëjë lëshime Greqisë në marrëveshjen që negocion, për hatër të votës për integrim, sepse kjo përbën krim dhe tradhti.

-Zoti Koçollari, cili është shkaku që BE nuk hapi negociatat në 28 qershor 2018: Shqipëria nuk loboi sa të bindëte ato vende të BE-së të cilat nuk dhanë votën,  është  cështje e mosrealizimit të reformave integruese, apo BE-ja nuk dëshiron tani zgjerimin e saj?

– Shkaku i mos hapjes së negociatave e ka bazën pjesërisht në : – mosrealizimi në kohën e duhur dhe në cilësinë e duhur të njërës prej objektivave, reforma në drejtësi dhe tjetra – mënyra realiste dhe e sinqertë e prezantimit, apo lobimit të arritjeve. Tanimë, është bërë e qartë se nuk do të ketë integrim, nëse nuk do të sigurohet një institucion drejtësie:

– Që garanton vërtetësisht drejtësinë nuk mund të pretendohet kurrsesi se në Shqipëri do të zgjidhen problemet e pronës, të ngatërruara, të pleksura me konflikte që gjenerojnë çdo vit e ditë, dhunë, konflikte të përgjakshme dhe tensione sociale

–  Që do të përballen me kurajën e misionarëve me krimin, fatkeqësisht segmentet e inkriminuara të shoqërisë shqiptare do të zgjerojnë pushtetin në bashkëpunim me krimit, duke tentuar të imponohen mbi shtetin dhe politikën, e këtij vendi.

– Të jenë të besueshme dhe kurajoze, institucionet ligjzbatuese, që përballen çdo ditë me krimin, sikundër Policia, Shërbimet Inteligjente, etj., do të marrin goditje tronditëse në subkoshiencë, çka do t’i shpjerë ato drejt lëkundjes, mosbesimit dhe zbythjes në luftën e tyre..

– Që mbështet vendimet e saj mbi “provat” dhe jo tek ryshfeti, fuqinë e parasë apo autoritetin e politikës, pa më të voglin dyshim do të goditet morali, besimi dhe shpresa e njeriut të thjeshtë, atij që përditë i mban sytë nga zoti dhe ligji… Por, kur lëkundet, apo më keq akoma humbet besimi dhe shpresa, njeriut i mbetet vetëm një alternativë – arratia!!! Të ikë sa më parë nga ai vend që nuk i garanton minimalen njeriu, qytetarit të ndershëm – drejtësinë dhe shpresën. Dikur, Bertol Brehti pati thënë : “Qytetarët e thjeshtë janë ata që më së shumti kthejnë sytë tek drejtësia, pasi të pasurit mbarojnë punë me padrejtësinë…”

– Që nuk shkëputet nga influencat, apo më keq akoma nga dominancat  partiake, ajo do ta mbetet e kompromentuar në misionin e saj, e thënë ndryshe,  drejtësia do të jetë vetëm një instrument vrastar, i arrogancës dhe kërcënimit politik e tiranik.

– Me drejtësinë e deformuar shqiptare lidhen edhe shumë plagë të tjera të jetës shoqërore, sikundër evazioni fiskal, trafiqet e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, kultivimet e lëndëve narkotike, etj, prandaj reforma në drejtësi është një kërkesë imperative për fatet e vendit dhe demokracisë shqiptare. Sigurisht, këto janë plagë jo vetëm të shoqërisë shqiptare, por edhe të shoqërive dhe vendeve të tjera, por ne flasim për hallet e shtëpisë tonë, që krahasuar me të tjerat duket se janë më serioze, më shqetësuese dhe më tronditëse.

-Por, a ishte vetëm drejtësia shkaku i mos hapjes së negoìciatave?

– Gjykoj që Jo! Ka edhe faktorë të tjerë. Këtu duhet renditur edhe mënyra e të lobuarit. Nuk ka nevojë të gënjesh dhe as të thuash gjëra që nuk janë të vërteta, në procesin e prezantimit të arritjeve. Të bësh këtë do të thotë të jesh me keq sesa naiv. Të huajt kanë të gjithë treguesit e jetës shqiptare në duart e tyre, madje janë prezent dhe fizikisht këtu.

– A mendoni se Shqipëria mund të bëjë lëshime të interesave të saj në marrëveshjen që negociohet me Greqinë, për hir të nevojës së votës së Greqisë, për hapjen e negociatave?

– Kurrsesi! Jo! Është dhe do të jetë i paprecedent një akt i tillë. E thënë më shkoqur, nëse nga politika shqiptare ndërmerret një hap i tillë, pra “të bëjë lëshime për hir të votës “pro” të Greqisë”, as më pak dhe as më shumë ai do të jetë një hap antikushtetues, antiligjor dhe kriminal, që cënon sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Atdheut tonë. Çdo pëllëmbë e kësaj toke është pjesë materiale, spirituale dhe institucionale e patjetërsueshme e të gjithë atyre që thirren shqiptarë, kudo qofshin brenda, apo jashtë Shqipërisë, afër apo larg, Çdo cep i kësaj toke është e imja dhe jotja. Prandaj, askujt nuk i jepet e drejta të marrë në duar të drejtat e patjetërsueshme të mijat dhe Tuajat dhe të vendosë përmbi to vullnetin e tij. Në demokraci askush nuk ka të drejta imponuese perandorake, nuk ka skllevër dhe plebej. Arroganca është gjest i tiranisë. Nëse dikush do të guxonte ta bënte këtë do të përballej me fuqinë e ligjit dhe vullnetin e sovranit.

-Duhet të shqetësohemi, pse qeveria jonë nuk informon as parlamentin, as opinionin publik për çështjet mbi të cilat negociohet, kur, ndërkohë pala greke informon për çështjet që negocion?

– Sigurisht, çështje të tilla me peshë nacionale nuk ka asnjë arsye të mbahen mënjanë vëmendjes, interesit dhe vlerësimit publik. Është përgjegjësi e madhe të shmangësh vullnetin popullor. Nuk e ke këtë të drejtë, kushdo qoftë funksioni yt politik! Sot je ministër, apo kryeministër, nesër do të jesh qytetar i thjeshtë në rrugët e këtij vendi dhe do të çapitesh bri qytetarëve anonimë, por qytetarëve fuqiplotë, që do të kërkojnë llogari, nëse këtë nuk e bëjnë dot tani!  Ndërmarrje të tilla, veçmas kur diskutohen çështjet e tokës amë, letrat duhet t’u rrëfehen të gjithëve, opozitës po e po!, por edhe qytetarëve të thjeshtë, sepse “ata janë pronarë të ligjshëm të një trualli” dhe ti s’ke të drejtë të bësh pazar me pronën e tjetërkujt!

– A mund të vijnë shërbimet e huaja në Shqipëri të kryejnë përgjime, pa marrë haber  SHISH-i ynë?

– Marrëdhëniet mes Shërbimeve Policore, apo Inteligjente realizohen vetëm nga strukturat dhe punonjësit e ngarkuar posaçërisht për misione të tilla. Se çfarë do të jepet dhe çfarë do të merret reciprokisht duhet të përcaktohet me shkrim, bile edhe lloji i informacionit apo i natyrës së operacionit. Të gjitha sa them duhet të përcaktohen saktësisht dhe në mënyrë korrekte, pasi bashkëpunimi shtrihet gjer në pika dhe nivele të caktuara dhe jo jashtë limitit të përcaktuar me shkrim. Askush dhe askujt nuk i jepet e drejta të dalë apo të ofrojë informacion, material apo shërbime, përtej atyre që përcaktohen nga rangjet eprore. Ai që bën të kundërtën dhe kapërcen limitet, “de facto” konsumon një figurë krimi që parashikohet nga legjislacioni penal shqiptar dhe që sigurisht dënohet rreptësisht.  Duhet kuptuar se çdo lloj bashkëpunimi është pasqyrë dhe duhet të jetë në përputhje me nivelin e marrëdhënieve politike ndërshtetërore. Në referencë të drejtpërdrejtë të pyetjes mund të them se askujt nuk i lejohet të shkelë normat dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e tyre në një vend të akredituar, apo të shkelin “vijat e kuqe” që mbrojnë dimensionet e një vendi Sovran.  Duhet të kuptojmë se në botën moderne dhe globale, me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë mjaft gjëra relativizohen. Sot teknologjia kibernetike ka thyer dhe kapërcyer limitet e distancave dhe të kohës. Psh nga satelitët rreth orbitës së tokës mund të fotografohen objekte në zona dhe periferi të ndryshme të rruzullit gjer ne limitet e centimetrit, mund të fotografohet saktësisht letra që mbani ju dhe unë në duart tona,..  me aparatura që kapërcejnë imagjinatën dhe fantazinë më të shfrenuar mund të përgjohen biseda në distance të palimituar dhe gjer në zona të vlerësuar krejt të sigurta.  Pjesëmarrja dhe aderimi në Konventa, Marrëveshje, Traktate apo Organizata ndërkombëtare, me karakter rajonal madje global, po imponojnë ndryshimin e disa koncepteve për limitet e sovranitetit dhe të mbrojtjes së një anshme apo kolektive, etj.

(Vijon nesër)