Prof.Dr. Elmaz Sherifi: ”Rilindja” pasi e mori e vetme timonin, kazanin dhe tepsitë, i ka përkeqësuar standartet e qeverisjes

Prof. Elmaz Sherifi, ish -ministër i PS-së

Reforma në Drejtësi është dështimi më madhor i kësaj qeverisje. Disa institucione janë krijuar duke shkelur procedurat kushtetuese e ligjore dhe SPAK, deri tani është bërë KAPS. Po dënohen të pambrojturit e asnjë politikan apo zyrtar i lartë

Sigal

Zgjedhjet e 25 prillit rrezikohen të manipulohen nga deformimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor

Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar vitin 2020, thotë se është viti me treguesit më të ulët të rënies ekonomike, cënon ardhshmërinë dhe nivelin më të ulët të jetesës së shqiptarëve. ‘Rilindja’, pasi mori e vetme timonin, kazanin dhe tepsitë, ka përkeqësuar standardet e qeverisjes, ndërsa reforma në drejtësi është dështimi më madhor i kryeministrit Rama. Prof. Sherifi, thekson se imponimi me kandidatë të preferuar në Gjykatën Kushtetuese nga Rilindja bëhet që të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Prof. Sherifi thotë se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit rrezikohen nga ndryshimet kushtetuese të nëjanshme të Kodit Zgjedhor.

Reforma në Drejtësi është dështimi më madhor i kësaj qeverisje. Disa institucione janë krijuar duke shkelur procedurat kushtetuese e ligjore dhe SPAK, deri tani është bërë KAPS. Po dënohen të pambrojturit e asnjë politikan apo zyrtar i lartë

 Gazeta Telegraf

– Prof. Sherifi, çfarë la mbrapa 2020-ta?

– Viti që po largohet ka krijuar gjendjen më të rëndë psikologjike për të gjithë shqiptarët, dhe dhimbjen e thellë për familjet që humbën njerëzit e tyre më të dashur nga tërmeti dhe pandemia e covidit.

– Shqiptarët, a arritën të jetojnë më mirë se sa 2019-ta?

– Viti 2020 do të hyjë në analet statistikore me treguesit më të ulët të rënies ekonomike, me deficitin më të lartë buxhetor, që cënon ardhmërinë, me nivelin më të ulët të mirëqenies pas vitit 1997, dhe me humbjen e shpresës nga shqiptarët në nevojë. Le të besojmë se shqiptarët do i përdorin energjitë që zotërojnë e të papërdorura, për një të ardhme më të lumtur.

 

– Shqipëria a bëri hapa para në rrugëtimin e saj në integrimin në BE? A u përmirësuan standardet e demokracisë?

– Me pyetjen më sollët në kujtesë deklaratat e opozitës kur manifestonin humbjet e zgjedhjeve në 2009 dhe artikulimet e drejtuesve para zgjedhjeve parlamentare të 2013. Madje, aleati Ngjela si gjithmonë deklaronte. Na jepni votat se do t’i hapim negociatat brenda javës së marrjes së pushtetit. ‘Rilindja’, pasi e mori e vetme timonin, kazanin dhe tepsitë, i ka përkeqësuar standardet e qeverisjes dhe për atë shkak, janë shtuar kushtet për t’u plotësuar para Konferencës Ndërqeveritare. Iku edhe dhjetori, si shtatë dhjetorët e tjerë dhe Konferenca Ndërqeveritare nuk u mundësua. Ky është ndëshkim për shqiptarët, për mbështetjen që i japin Ramës.

‘Rilindja’, pasi e mori e vetme timonin, kazanin dhe tepsitë, i ka përkeqësuar standardet e qeverisjes dhe për atë shkak, janë shtuar kushtet për t’u plotësuar para Konferencës Ndërqeveritare. Ky është ndëshkim për shqiptarët, për mbështetjen që i japin Ramës

– Tashmë drejtësia e reformuar ka të gjitha institucionet e reja të saj. A jep tashmë drejtësi për shqiptarët drejtësia?

– Reforma në Drejtësi është dështimi më madhor i kësaj qeverisje. Institucionet e përcaktuara me Kushtetutë e ligje janë në cënim të moralit, pasi po dënohen anëtarë të tyre, disa institucione janë krijuar duke shkelur procedurat kushtetuese e ligjore dhe SPAK, deri tani është bërë KAPS. Po dënohen të pambrojturit e asnjë politikan apo zyrtar i lartë.

– Prof. Sherifi, 2 emërimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese u bënë në kundërshtim me procedurën që parashikon Ligji “Për Gjykatën Kushtetuese”. A ia vlen ky “kurban” vetëm e vetëm që u arrit numri sa të funksionojë Gjykata Kushtetuese?

– Ja, sa përmendët shkeljen e fundit proceduriale, për dy emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse do të ketë një ankesë, Gjykata Kushtetuese do i konsideronte plotësimet me shkelje proceduriale dhe për rrjedhojë nuk kanë vlerë edhe aktet e emërimit. Jam i bindur se Presidenti heshti, për të mos u akuzuar si pengues i Reformës.

Viti 2020 do të hyjë në analet statistikore me treguesit më të ulët të rënies ekonomike, me deficitin më të lartë buxhetor, që cënon ardhmërinë, me nivelin më të ulët të mirëqenies pas vitit 1997, dhe me humbjen e shpresës nga shqiptarët në nevojë

– Mos vallë kjo shkelje e procedurës, ( KED dha vetëm 1 kandidat në Parlament për anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe 2 kandidatë në Presidencë, nga 3 kandidatë që kushtëzon ligji) ka të bëjë me përcaktim kandidatësh sipas preferencës partiake, me qëllim kapjen edhe të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese?

– Shkeljet e përsëritura i japin të drejtë opozitës e cila paralajmëroi, se krijimi i shumë institucioneve dhe vendosja e kritereve do krijonte vështirësi për plotësimin e tyre me burime njerëzore profesionale. Mazhoranca e garantoi Komisionin e Venecias se burimet ekzistonin. Koha i përgënjeshtron. Nuk mënjanohet edhe dëshira e mazhorancës për të imponuar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me njerëz të “besuar”, për të ndikuar në vendimarrjen e saj për çështjet më sensitive, siç janë ato të zgjedhjeve vendore, shembjes së Teatrit Popullor, etj.

– Prof. Shefiri, a zhgënjeu SPAK- u me vendimin që pranoi se u krye krim elektoral në gjykimin e ‘dosjes 184’, por nuk dënoi protagonistët e këtij krimi, ministrat, deputetët, me arsyetimin se kanë kaluar …afatet kohore?

– Në një farë mënyre e shpreha mendimin, se SPAK ka krijuar iluzione për drejtësinë e hetimit dhe akuzës penale të BILD, lidhur me ‘dosjet 184 dhe 339’ për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë në procesin zgjedhor. Turpërisht hapet procesi hetimit për të vdekurit, merren në përgjegjësi penale komisionerë e punonjës administrate, por aspak ministrat dhe deputetët që urdhëronin deformimin e procesit zgjedhor.

– Shqipëria shkon në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit pa u ndëshkuar ata zyrtarë që kryen krim elektoral, tjetërsim të votave, pa u dënuar korrupsioni dhe bashkëpunimi i krimit me qeverisjen, (siç e theksoi edhe raporti i fundit i OKB). Atëhere, ku është garancia se nuk do tjetërsohet vota e 25 prillit?

– E pikërisht mos veprimi i organit të akuzës, mosmarrja e asnjë mase administrative nga kryeministri, përkundrazi mohimi i ndërhyrjes dhe emërimi në detyra të rëndësishme i manipulatorëve të zgjedhjeve, është kambana e alarmit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat iu shtuan deformimeve kushtetuese të Kodit Zgjedhor për eleminimin e koalicioneve. Formula e ofruar nga qeveria për koalicionet është në realitet shkrirja e partive politike elektorale, nga vullneti partiak.

Dëshira e mazhorancës për të imponuar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me njerëz të “besuar”, që të ndikojë në vendimarrjen e saj për çështjet më sensitive siç janë ato të zgjedhjeve vendore, shembjes së Teatrit Popullor, etj

– Prof. Sherifi, a e kanë cenuar interesat e Kombit shqiptar qëndrimi i kryeministrit Rama tani në Çështjen e Detit me Greqinë, (Rama ende hesht për dekretin e Greqisë për zgjerimin në 12 milje në kufirin detar me Shqipërinë) në negociatat me Vuçiç për rishikimin e kufijve Kosovë-Serbi, për Minishengen?

– Rama vazhdon në mënyrë konstante të deformojë standardet e funksionimit të institucioneve politike e juridike të shtetit. Akoma më të dukshme janë vendimet e tij personale e aspak nga institucionet e shtetit në lidhje me Shengenin Ballkanik, ndryshimin e kufijve të Kosovës duke i bërë koncensione Vuçiç, i cili ka deklaruar e deklaron se sa të jetë president i Serbisë, nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Po kaq serioze do të bëhen marrëdhenjet me Greqinë për “Marrëveshjen e Detit”, kur po legjitimohet zgjerimi i kufirit detar me 12 milje. Rama që flet për gjëra pa vlerë po bën memecin dhe shurdhin. Kjo heshtje varri e implikon seriozisht si cënues të interesave kombëtare.

Edi Rama i mori i vetëm të tëra pushtetet e shtetit dhe qeverisjen vendore dhe solli degradimin e shtetit. Ka dështuar Reforma Administrative. Mandati i tretë dëshirohet nga Rama dhe politikanët që i shërbejnë me përulësi, për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor

– Çfarë mund t’u japë Edi Rama Shqipërisë dhe shqiptarëve, nëse fiton një mandat të tretë qeverisës?

– Edi Rama i mori i vetëm të tëra pushtetet e shtetit dhe qeverisjen vendore dhe solli degradimin e shtetit. Ka dështuar Reforma Administrative. Ndarja e re administrative dhe eleminimi i komunave u justifikua me eleminimin e bejlerëve komunarë dhe uljen e shpenzimeve. Emëroi në krye të bashkive të dënuar dhe shpenzimet janë rritur mbi 23 %. Banorët e komunave morën statusin e qytetarit, të cilëve nuk iu ofrohet as shërbimet që merrnin nga komuna. Shqipëria tani vlerësohet nga institucionet ndërkombëtare si vendi më i korruptuar dhe burim i trafiqeve. Mandati i tretë dëshirohet nga Rama dhe politikanët që i shërbejnë me përulësi, për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor. Shqiptarët nuk mund të jenë aq naivë, sa të punojnë kundër interesave të tyre për të plotësuar dëshirat e pasionet e filozofit surelist të së drejtës.

– Faleminderit!