Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Rama është përfaqësuesi më i shquar i anarkisë institucionale, duke na lënë jashtë BE-së

337
Sigal

 Intervista/Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Rama është përfaqësuesi më i shquar i anarkisë institucionale, duke na lënë jashtë BE-së. Dështimi politik dhe ekonomik i kryeministrit shoqërohet me nisma ligjore antikushtetuese dhe përkeqësim të standarteve të qeverisjes së Shtetit të së Drejtës.

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish- ministër i PS-së

Gazeta Telegraf

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish- ministër i PS-së, në intervistën për gazertën “Telegraf”, pohon se kryeministri Rama, duke akuzuar Hollandën, që nuk hap negociatat ndaj Shqipërisë, kërkon që shqiptarët të harrojnë shtimin e kushteve ndaj Shqipërisë nga BE. Prof. Sherifi pohon se pasiguria e Ramës për të fituar mandatin e dëshiruar e shtyn drejt aventurave, ashtu si është edhe projekt ligji që synon t’i heq kompetencat Presidentit të Republikës dhe shton me doza ironie se “Legjitime tani janë betimet e të gjitha institucioneve para Ramës”. Prof. Sherifi, duke atakuar nismën ligjore të Taulant Ballës për të krijuar Komision Hetimor Parlamentar për “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri, thotë se tashmë Shtëpia Rozë (Rilindja) është bërë Gjykata Speciale në Hagë. Prof. Sherifi, së fundmi, argumenton se minishengeni është kundër kosovarëve, dhe me lajmin  marrëveshjes së Ramës më Vuçiç për “heqjes se vizave” midis Shqipërisë dhe Serbisë, izolohen kosovarët.

  Prof. Sherifi, sa i vërtetë është pohimi i kryeministrit Rama, se Hollanda refuzon të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, ngaqë Hollanda ka problemet e saj të brendshme?

–  Rama ka tre vjet që flet me vete e me sofizma mundohet t’u mbushë mendjen mbështetësve të tij, se negociatat nuk hapen, ngaqë Europa ka problemet e brendshme, Hollanda është në prag të zgjedhjeve, por harron, se që në 2018 ka deklaruar, se negociatat u hapën dhe ai hapi edhe shishet e shampanjës e dekoroi edhe disa europianë që bëjnë çdo vit raporte copy për plotësimin e kushteve. Dëshiron që shqiptarët të harrojnë shtimin e kushteve nga Parlamenti Europian. Fakt është që Rama ka përkeqësuar standardet e qeverisjes së shtetit të së Drejtës, prandaj Hollanda refuzon Shqipërinë dhe miraton hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Rama është në pozita shumë të dobëta, por i pangopur me pushtet. Pasiguria për të fituar mandatin e dëshiruar e shtyn drejt aventurave, ashtu si është edhe projekt ligji që synon t’i heqë kompetencat Presidentit të Republikës

Duke marrë shkak nga p/ligji i ri i mazhorancës së Rilindjes për Presidentin e Republikës, duket se çdo konflikt  midis Kryeministrit dhe Presidencës kërkohet të zgjidhet me ligj kushtetues, për t’i hequr Presidentit të Republikës kompetencat që i ka atribuar Kushtetuta. Ju, si do ta konsideronit këtë tendencë politike të kryeministrit Rama?

– Konfliktin institucional, midis Kryetarit të Shtetit dhe kryeministrit e parlamentit të sajuar e zgjidhi Komisioni i Venecias. Venecia i dha “goditjen në tru” edhe Komisionit Parlamentar për shkarkimin e Kryetarit të Shtetit, prandaj parlamenti i sajuar u tërhoq nga aventura e tij, me bisht në shalë dhe i dha fund hetimit. Rama është në pozita shumë të dobëta, por i pangopur me pushtet. Pasiguria për të fituar mandatin e dëshiruar e shtyn drejt aventurave, ashtu si është edhe projekt ligji që synon t’i heqë kompetencat Presidentit të Republikës. Po si mund t’i hiqen kompetencat kushtetuese Presidentit me ligj? Filozofi surelist i së Drejtës, është përfaqësuesi më i shquar i anarkisë institucionale. Në mandatin e dytë të qeverisjes, Rama i ka “rrafshuar” me ruspën e tij politike të gjitha pushtetet e shtetit të së Drejtës. I vetmi institucion që nuk e kontrollon është Presidenti, e për rrjedhojë logjike sulmet ndaj institucionit, maskohen me emrin e Presidentit. Dështimi politik e ekonomik, po shoqërohet me nisma ligjore antikushtetuese të pafundme.

– A e lejon Kushtetuta, pavarësisht nga ligji që mund ta miratojë Parlamenti i sajuar (derisa nuk është opozita reale), Kuvendin të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, të bëhet betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese para Parlamentit?

– Parlamenti i sajuar do ta miratojë P/ligjin, sipas urdhërit të Ramës, sepse edhe Kushtetuta u ndryshua pa konsensus politik. Kodi Zgjedhor u ndryshua pa miratimin e opozites reale, ashtu si parashikohej edhe në marrëveshjen e 5 qershorit. Institucioni i vetëm që kontrollon kushtetueshmërinë e ligjeve të parlamentit është Gjykata Kushtetutese. Ky institucion nuk funksionon dhe funksionet e tij po i kryen Partia Socialiste. Parulla politike, ç’thotë partia, bëjnë institucionet  është ringjallur dhe është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Të gjithë duhet te betohen para partisë. Partia Socialiste është kryetari Rama. Legjitime tani janë betimet e të gjitha institucioneve para Ramës.

Filozofi surelist i së Drejtës, është përfaqësuesi më i shquar i anarkisë institucionale. Në mandatin e dytë Rama i ka “rrafshuar” me ruspën e tij politike të gjitha pushtetet e shtetit të së Drejtës. I vetmi institucion që nuk e kontrollon është Presidenti

– Ju si e cilësoni nismën e Taulant Ballës që Parlamenti të ngrejë Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar burgjet e UÇK-së në Shqipëri?

–  Nisma ligjore e Taulantit, për të rihapur një çështje që i mbylli gojën edhe Carla Del Ponte e Dick Marty-nit, është shërbimi më i mirë ndaj Serbisë. Prokurori i Gjykatës Speciale nuk ka ndonjë akuzë për “Shtëpinë e Verdhë”. Shtëpia Rozë po kryen funksionin e prokurorisë speciale.

– Pse për çështje të mëdha Kombëtare, politikanët në Tiranë dhe Prishtinë kanë qëndrime jo vetëm të kundërta, por edhe përplasje, deri në akuza ndaj njëri-tjetrit?

– Edi Rama e ka dëmtuar keqazi Çështjen Kombëtare, që kur iu mbush mendja se mund të bëhej presidenti i Kombit, mbështeti ndryshimin e kufijve shqiptare, hapi proces gjyqësor ndaj Haradinaj dhe u bë pjesë e nismës së Vuçiçit për Shengenin Ballkanik, pa asnjë vendim të pushteteve të shtetit të Shqipërisë.

 A është e pranueshme që kryeministri Rama të akuzojë kryetarin e Opozitës për çështje që janë pjesë e akuzave të Serbisë ndaj udhëheqësve të UÇK-së, tani në gjyqin e Hagës?

–  Propaganda e Edi Ramës ështe vetëm në funksion të pushtetit të tij, jo të shtetit. Ai propagandon se opozita nuk ekziston, e tërë ditën merret me të! Ku e ka hallin? Një gjë që nuk ekziston, nuk sjell asnjë rrezik. Kur ajo e shqetëson e konsideron rrezik për Shqipërinë, e prandaj humbet arsyeja njerëzore dhe logjika politike, kur me akuza ndaj kryetarit të opozitës reale, synohet t’i shërbehet politikës së Serbisë vrastare, që akuzon liderët e UÇK-së. Akuzojnë koincidencat. Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut u bë padia ndaj kryeministrit të Kosovës. Ditën e fillimit të gjyqit ndaj liderve të Kosovës u zhvillua takimi i tre kryeministrave që pretendojnë se përfaqësojnë tërë kryeministrat e Ballkanit në atë që quhet Shengeni Ballkanik. Me lajmin e “heqjes se vizave” midis Shqipërisë dhe Serbisë izolohen kosovarët. Dhe kjo ishte dhurata që u bëhej ditën që Thaçi e Jakup Krasniqi shkonin në bankën e akuzës me pranga në duar.

– Si e quani Ju, të njëjtën ditë, kur ish-presidenti Thaçi, ish- kryetari i Parlamentit kosovar Krasniqi, futen në sallën e Gjyqit në Hagë me pranga, të akuzuar për krime lufte në Luftën kundër Serbisë, e në të njëjtën minutë Kryeministri i Shqipërisë të firmosë marrëveshje me Vuçiç, ish- ministrin e Milosheviçit për Minishengen?

– Minishengeni Ballkanik dëmton interesat e kosovarëve. Ai nuk mund të ekzistojë, perderisa nuk mbështetet nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

– Në konteksin edhe të Gjyqit të Hagës ndaj Udhëheqësve të UÇK-së  a ka kuptim dhe të ardhme Minishengeni?

–  Vuçiç i mbron interesat e serbëve me vendosmëri. Ai edhe pas marrëveshjes Sui Generis që u bë në Shtëpinë e Bardhë, e deklaroi se marrëveshja nuk ishte me Kosovën, por me SHBA!

– Serbia, duke mos e njohur Kosovën si shtet i pavarur, kryeministri Rama me çfarë statuti e fton Kosovën të bëhet pjesë e Minishengenit?

– Vuçiç nuk nguron ta thotë me zë të lartë se nuk e ka njohur e nuk do ta njohë Kosovën. Edhe Rama ecën me vendosmëri në linjën e tij e të mikut tij Vuçiç. Si mund të jetë Kosova pjesë e Minishengenit Ballkanik pa një vendim të institucioneve legjitime? Rama ka pretenduar se është lider i Ballkanit. Ndoshta me atë status, i merr vendimet.

-Faleminderit!