Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Mjerimi i politikës nga çiliminta e pazareve. E more vesh, o popull, kush të përfaqëson në parlament?

261
Sigal

 

E përdhosën politikën, deri në neveri. Deputetë të “opozitës parlamentare” “shkriheshin në gaz”, ditën që i bën shërbimin e radhës Ramës, për ndryshimin e Kushtetutës në këmbim të “listave të hapura”! Plot pathos ndryshimin e konsideronin shërbimin më të mirë për votën e lirë të shqiptarëve. Dhe si kokoros politikan deklaronin nga foltorja e Kuvendit me maskën në gojë, se le ta provojnë fuqinë politike partitë e reja, me prag kombëtar 5 përqind, nëse duan të jenë përfaqësuese reale të popullit, pasi do i “sfidonin” partitë e “thurjeve” e “çthurjeve”, në zgjedhjet e 25 prillit me partitë e tyre në krijim. Eh, o popull thoshin “oratorët”. Ne u dhamë përherë të parë në demokraci të drejtën kushtetuese që të votoni kë të doni për deputet, jo “listat e Bashës”! Dhe Rama ua plotësoi dëshirën, duke votuar në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor me “listat e përdredhura”. Tani kanë filluar të qajnë nëpër ekrane televizive, sepse, sipas tyre ndryshimet në Kodin Zgjedhor bëhen sipas marrëveshjes okulte Rama-Basha,e megjithëse besojnë te marrëveshja e fshehtë, i bëjnë thirrje Bashës, të shkëputet nga Rama e të bashkohet me ata, që t’i japin mundësi zgjedhësve të votojnë me “listat e hapura”! E more vesh, o popull, o entuziast, kush të përfaqëson?