/Gazeta TELEGRAF
Jam duke shkruar “vëllimin e dytë” të librit “Shqipëria e panjohur trashëgimi institucionale prej Antikitetit, deri më 1920”. Libri ka karakter akademik dhe është tekst për studentët e drejtësisë për Historinë e institucioneve të Shqipërisë, duke zëvendësuar tekstin e Historisë së Shtetit dhe të Drejtës në Shqipëri, sepse teksti e ka “mbaruar misionin” e tij, të paktën para dy dekadave. Në “vëllimin e dytë” trajtohen, vetëm sipas burimeve arkivore, zhvillimet politike e institucionale, prej vitit 1920, deri më 1946, kur zgjedhjet për Asamblenë Kushtetutese të dhjetorit 1945, nxorën delegatët, që miratuan Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë. Sa shumë deformime ka për parlamentin! Prej 1912 deri më 1920 në Shqipëri, nuk ka patur parlament. Në tekstet e jurisprudencës thuhet se parlamenti ka ekzistuar e ka funksionuar. Pleqësia e zgjedhur nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, me 18 anëtarë e me kryetar Vehbi Dibrën e zëvendës kryetar Eqerem Bej Vlorën, është konsideruar parlament. Ai institucion nuk kreu funksione të pushtetit legjislativ dhe nuk ka miratuar asnjë ligj për të kryer reformat që pretendohen. E vërtetë është se delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës krijuan një Këshill Kombëtar me 37 anëtarë dhe jeta parlamentare filloi për herë të parë në Shqipëri, në mars 1920. Këtë të vërtetë historike institucionale e ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit të Naltë, Aqif Pashë Elbasani, kur hapi punimet e Këshillit Kombëtar në Tiranë. Edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar nuk u zgjodhën nga populli, por u emëruan nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjes. Zgjedhjet e para parlamentare me votim, janë kryer në prill 1921. Njohja në detaje e historisë politike e institucionale, prej marsit 1921, deri te këto që u zhvilluan më 25 prill 2021, më obligon të bëj pyetjen retorike: “Ku t’i gjejmë rrënjët e tua o, “Parlament i Sajuar”? Ky parlament do të hyjë në historinë parlamentare, si “parlamenti i sajuar”, më qesharaku, por që ka krijuar edhe probleme madhore në deformimin e jetës së institucioneve të shtetit të së drejtës.
Përse është “Parlament i Sajuar”?
Sepse deputetët e tij, nuk janë zgjedhur të gjithë nga populli, e për pasojë, sovraniteti i tij, nuk është as i deleguar. Parlamenti nuk ka 140 deputetë, si përcakton Kushtetuta e Shqipërisë, por, vetëm 122. Nga kjo “turmë”, 42 deputetë hynë nga listat e PD-së, dhe dolën “jashtë loje”, nga listat e PS-së. Kjo “turmë amorfe” që zgjedhjet e 25 prillit i “shkrinë në furrat e rilindjes”, të majtë e të majtët ekstremë, më të djathtë e të djathtët ekstreme, të cilët megjithëse mbetën pa mandat, kanë “kurajon e të marrit” kur krijuan Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit dhe gajasen në foltoren e parlamentit me marrëzitë, që dalin nga “goja e shthurur”, që “ushqehet” me lekët e taksapaguesit të varfër shqiptar. Ata argëtohen në parlament, pasi shqiptarët u paguajnë pagat e mira, por,edhe pensionin suplementar, sapo, “pensionistët parlamentarë”, do i mbushin të 60-tat. Kush i promovoi këta mëkatarë, që ditën shajnë Ramën, dhe natën bëjnë “dille”/ marrëveshje, për ndryshimin e Kushtetutës, të legjislacionit zgjedhor, ashtu si e dëshironte Rama, që kanë bërë ligje për individë, që i shërbejnë pushtetit dhe boshatisin buxhetin e shtetit, miratojnë publikisht çdo ligj, që u ofrohet, madje miratojnë edhe buxhetin si mazhoritarë, ashtu si defakto janë? Këtë lloj “specie politike” e promovon sistemi politik i korruptuar, deri në pore, por, edhe partitë politike, që nuk mendojnë aspak për funksionimin e shtetit të së drejtës, për të sjellë liri politike e sociale dhe prosperitet ekonomik për shqiptarët, por, pushtet e mirëqenie për kryetarët.
Kush mund ta ndalë sot këtë “ortek anarkie”?
Vetëm Gjykata Kushtetutese, e cila ka në dorë në këtë moment historik t’u japë “oksigjen”, njerëzve idealistë, që shpresojnë te Reforma në Drejtësi, me të paktën tre shqyrtime.
1. Vendimi për shembjen e Teatrit Kombëtar.
2. Shqyrtimi i legjitimitetit të zgjedhjeve të vetëqeverisjes vendore të zhvilluara pa dekret të shpallur në Fletoren Zyrtare, pa opozitën reale dhe me subjekte elektorale që, sipas edhe Raportit të OSBE-ODIHR, nuk ishin legjitimuar të mernin pjesë në zgjedhje, me vendimin e Gjykatës Kompetente.
3. Analiza me objektivitet e vendimit që ka marrë edhe pa u votuar “Parlamenti i Sajuar”, për shkarkimin e Presidentit. Jo se parlamenti nuk ka fuqi juridike të shkarkojë Presidentin, por ky parlament, nuk është legjitim për të ngritur komisione hetimore, pasi, kryetari i tij dhe shumica e anëtarëve te tij, nuk janë më deputetë dhe as vetë parlamenti nuk legjitimohet ta marrë atë vendim, pasi “jetëgjatësia” e tij, deri në shtator, ka karakter formal, madje klasifikohet si rast Sui Generis, e qëndron aty, vetëm për kasuse të jashtëzakonshme.






















