Prof. Dr. Besnik Gjongecaj: A do të kishte sot një “Lulzim Bashë” nëse PD do të kishte një “Azem Hajdar”?!

60
Sigal

Prof.Dr. Besnik Gjongecaj, Ish-ministër i Arsimit

 

Nuk kishte se si që PD e sotme, pa liri dhe brenda keqkuptimit fatal të ekzistencës së një PD tjetër, të mos më sillte në mëndje Azem Hajdarin, heroin e demokratëve. Ja pse shpesh, si në tragjeditë e Shakespeare, veçanërisht sot Azemin e shoh në sfond të sallës së Kuvendit dhe jo si të ishte fantazma e Hamletit mbret, por si një mesazh, si një zgjidhje për demokratët e sotëm.

U bë kohë e gjatë që pyetja e vënë si titull i këtij shkrimi “bredh” dinakërisht në labirinthet e mendimit tim, pa mundur të gjejë një rrugë për të dalë jashtë. Një si stuhi magnetike ka fshirë vazhdimisht sinjalistikën e rrugëtimit të saj, duke e mbajtur këtë pyetje të mbërthyer fort brenda meje. E pashpjegueshme, por edhe e gjithpushtetshme. Aq sa nuk më kishte mbetur gjë tjetër veçse ta mbaja atë dreq pyetje përgjithmonë brenda vetes, pa e artikuluar. Nuk ndodhi kështu, për fat të mirë. Gjithçka ndryshoi ekzaktësisht në çastin kur në ekranet shqiptare u ravijëzua profili i Presidentit francez, i cili, ashtu si pa mëndje, tha se kishte pezulluar (in advance) lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës. Qartësisht, ai vetëm sa i shtrëngoi dhëmbët Kryeministrit Kurti, por, në fakt, “kafshoi” popullin e Kosovës. M’u kujtua menjëherë ambasadorja e fundit amerikane në Tiranë, e cila sa herë i shtrëngonte dhëmbët z. Berisha, në fakt, po aq herë “kafshonte” opozitën e Shqipërisë, e cila,  edhe sot e kësaj dite nuk ka dalë akoma nga një “knock down” i shkaktuar prej këtyre “kafshimeve”. Dhe si për të treguar që është para të gjithëve, aq më shumë para francezëve (sikur ta kishte parashikuar atë se çfarë “kafshimi” plot dhimbje do t’i bënte Presidenti francez popullit të Kosovës). Ambasadorja e fundit amerikane avancoi dhe bëri ç’është e mundur që boshllëkun e krijuar nga ky “knock down” ta mbushte me fabrikimin e një udhëheqësi të ri të opozitës. Jo aq sa për t’i gjetur opozitës shqiptare një udhëheqës tjetër, se në fakt L. Basha kishte vite që vinte vërdallë, por më shumë për të krijuar një dualizëm brenda PD, çka do ta fuste opozitën e vendit në një grindje fatale me veten. Ashtu si në fakt edhe ndodhi. Do ta fuste opozitën në një grindje që do ta grryente, do ta rrëzonte atë pothuajse pakthyeshmërisht. Duke besuar fort se një drejtues politik i fabrikuar prej saj, pra prej një ambasadoreje amerikane (i fabrikuar për të dytën herë në fakt, sepse paradoksialisht L. Bashën e fabrikoi z. Berisha për herën e parë), sado mediokër dhe pa substancë të qe, po të vendosej përballë z. Berisha do të mund ta shndrronte një “knock down” të opozitës së vendit në një “knock out” të saj. Çka automatikisht do të ishte edhe një “knock out” për vetë z. Berisha, ose “the dream comes true” për ish ambasadoren Kim.

“Sendi” apo opozita e Lulëzim Bashës, ekziston, sepse ekziston kjo tufë letrash, kjo “ushtri” numrash, fraksione protokollesh gjygjësore, që nuk mbarojnë asnjëherë. Asgjë e këtij “sendi”, apo asgjë e njeriut që e ka kalëruar këtë “send”, nuk ka lidhje me demokratët, shqiptarët, votuesit në përgjithësi. Vetëm opozitë nuk është…”

01

Megjithëse skema e mësipërme pasqyron në thelb një analizë të thjeshtuar një faktoriale, ajo mund të shërbejë si një piknisje për të menduar se ka patur dhe akoma vazhdon të ketë një përpjekje okulte për asgjësimin e opozitës në këtë vend. Analiza bëhet më e plotë kur përfshihet edhe faktori “kryeministër i vendit”, i cili sjell në skemë joshjen e L. Bashës për t’u bërë lider, por vetëm nëse L. Basha plotësonte një kusht: shndërrohej në një grumbull letrash që mbetej për t’u prodhuar nga sistemi gjygjësor i vendit. L. Basha, si dikush që ka origjinuar nga KOP-i, u josh menjëherë, sigurisht, dhe ai, kryeministri i vendit, e vendosi atë, prandaj, në krye të një “sendi” që në letrat e gjykatave quhej PD, duke e pozicionuar përballë z. Berisha. Ajo që e bën gati të paimagjinueshme këtë “send”, të cilin madje e karakterizojnë edhe si “opozitë zyrtare e vendit”, është mënyra se si të tjerët, qeveria veçanërisht, ia siguron energjinë e nevojshme për mbijetesë. Energjia e mbijetesës së gjasme opozitës së këtij vendi nuk prodhohet nga shqiptarët, as nga demokratët, aq më shumë nga asnjë proces votimi. Madje madje, ajo duket sikur nuk prodhohet as nga qënie njerëzore. Energjia e ekzistencës së këtij “sendi” dhe njeriut në kalërim të tij, paradoksialisht prodhohet nga një grumbull letrash me numra e fraksione protokollesh gjygjsore, që nuk mbarojnë asnjëherë. “Sendi” apo opozita e L. Bashës, prandaj, ekziston, sepse ekziston kjo tufë letrash, kjo “ushtri” numrash, fraksione protokollesh. Asgjë e këtij “sendi”, apo asgjë e njeriut që e ka kalëruar këtë “send”, prandaj, nuk ka lidhje me demokratët, shqiptarët, votuesit në përgjithësi. Vetëm opozitë nuk është.

02

 

E gjitha kjo, fatkeqësisht, e shtyu opozitën reale të vendit të udhëhequr nga z. Berisha drejt një keqkuptimi fatal. Pothuajse për dy vite me radhë lajtmotiv i saj ka qenë se “meqë kundërshtari ynë i fabrikuar ekziston, sepse ekzistojnë letrat, vendimet apo protokollet e gjykatave, atëhere le t’i ndryshojmë ato dhe e fshijmë atë, gjasme opozitën, nga harta politike e vendit”. Por, e gjitha kjo rezultoi të ishte vetëm një dështim. Opozita reale e vendit kishte marrë nishan objektivin e gabuar. Vendosi të marrë kështjellën e gjygjsorit të pushtuar prej kohësh nga të tjerë, të cilët vetëm me letra nuk do të lejonin kurrë t’ia jepnin kundërshtarëve. Aq më shumë t’ia “falnin” demokratëve. Gjithsesi, sepse instinkti i tyre është tashmë i formuar mirë, z. Berisha dhe demokratët bënë beteja të forta në terren për të ndihmuar betejën e tyre ligjore; u lidhën shpesh admirueshëm me bazën demokrate, me shqiptarët. Por dëmi ishte bërë. Një pjesë e rëndësishme e mendimit politik të demokratëve, shqiptarëve në përgjithësi, dashur pa dashur, instinktivisht, “u rrëmbye” dhe mbeti te tufa e letrave, te ndryshimi ligjor i tyre, si rruga për të mënjanuar “sendin” dhe kalëruesin e tij. E gjithë kjo, prandaj, mbeti vetëm një iluzion, çka e squlli psikologjinë e demokratëve, shqiptarëve. Sepse e dyzoi atë.

“Presidentit francez, i cili, ashtu si pa mëndje, tha se kishte pezulluar (in advance) lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës. Qartësisht, ai vetëm sa i shtrëngoi dhëmbët Kryeministrit Kurti, por, në fakt, “kafshoi” popullin e Kosovës. M’u kujtua menjëherë ambasadorja e fundit amerikane në Tiranë, e cila sa herë i shtrëngonte dhëmbët z. Berisha, në fakt, po aq herë “kafshonte” opozitën e Shqipërisë, e cila, edhe sot e kësaj dite nuk ka dalë akoma nga një “knock down” i shkaktuar prej këtyre “kafshimeve”… 

03

Megjithëse ishte një personazh shumë popullor midis demokratëve, Azem Hajdarin e kam takuar vetëm në pak evente politike. Për arsye të ndryshme, por veçanërisht për shkak të protagonizmit publik të tij, nuk kemi qenë bashkë në rutinën e aktiviteteve që organizoheshin nga demokratët. Gjithsesi, me të kam bërë një bisedë thelbësore dhe në kohën që PD, padrejtësisht dhe nën ndikimin e njerëzve që “hedhin gurin e fshehin dorën”, ishte kthyer kundër Azemit. Ajo bisedë u bë aq e hapur sa në një kohë të shkurtër arrita të depërtoj në qendër të konstitucionit të tij politik. Madje, pa ndonjë vështirësi të madhe. Ishte ndoshta koha më e vështirë për PD që pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. PD sulmohej nga të gjitha anët dhe jo vetëm se kështu ndodh gjithmonë me fitimtarët, por para së gjithash, sepse ajo kishte rrëzuar dhe lënë pa pushtet sigurimin e shtetit, një nga organizatat më kriminale të njohura në ish vendet komuniste. Nga ana tjetër, megjithëse kishin kaluar disa vite nga rrëzimi i komunizmit, PD nuk kishte përfunduar akoma së ndërtuari vetveten. Përkundrazi. Shpesh ajo grindej me veten, prishte pjesë të saj duke kombinuar e rikombinuar ato për të ndërtuar të reja, që do të funksiononin ndryshe dhe prandaj do t’ia përmirësonin imazhin. Ja pse jo rrallë PD krijonte vakum, gjë që tinëzisht plotësohej menjëherë me aksione, intriga dhe mentalitete që vinin nga e shkuara. Pothuajse gjithmonë përroi plot rrëmbim dhe i mbushur me rrënjë pemësh të shkulura nga e shkuara të parin godiste, dhe jo rastësisht, gjoksin e Azemit. Ishte ai që iu dilte përballë i pari, pa u kujdesur aspak se menjëherë pasi ndalte vrrullin e atij përroi, mbeturinat që ai mbarte rigrupoheshin diku në errësirë për ta rigoditur atë pas shpine. Për ta plagosur, deheroizuar. Ja pse, jo rrallë herë Azemi u gjet përballë sallash ku turma të fabrikuara ulërinin dhe si dikur në komunizëm bënin gjithçka për ta linçuar liderin demokrat. Për t’ia neveritur krijesën e tij, PD dhe larguar Azemin prej saj. Në fakt, bënë të kundërtën. E forcuan lidhjen e tij me PD, madje zbuluan edhe më shumë para demokratëve bukurinë shpirtërore të Azemit. Në takimin me Azemin në një nga zyrat e PD, gjatë gjithë kohës ai u kujdes të ruante të njëjtën buzëqeshje, e cila, ndoshta për shkak të ashpërsisë së kohës, më dha përshtypjen se do të fshihej nga çasti në çast prej fytyrës së tij. Qartësisht, ai donte të tregohej i qetë, sikur nuk po ndodhte asgjë. Nga ana tjetër, m’u duk sikur, përmes saj, Azemi kërkonte të më jepte sinjalin, që ai dinte më shumë se unë për ato që po ndodhnin pas shpinës së tij. Pa lëvizur asnjë hap, në fundin e takimit, ai më tha dy gjëra, qetësisht, të cilat nuk janë larguar në asnjë çast prej meje. Ai më tha, së pari, se kurrë nuk do të bënte asnjë kompromis me të shkuarën edhe sikur PD të detyrohej ta ndërmerrte këtë hap. Akoma më qetësisht, aq sa edhe buzëqeshjen e fshiu menjëherë nga fytyra si për të treguar solemnitetin e momentit, Azemi formuloi avash avash edhe të dytën: ” Nëse PD dhe ai së bashku me të e humbin lirinë, atij nuk do t’i mbetej më asgjë për të humbur”. Ishte ndoshta betimi që kishte bërë.

“Sa herë që vjen në Kuvend, kryeministri i vendit tund nën hundën e opozitës një Kushtetutë të grisur dhe i fryn herë pas here një “Fyelli” që prodhon melodinë e kompozuar enkas prej tij, si melodi opozite. Jashtë Kuvendit, shqiptarët dhe jo vetëm demokratët, i gjen kokë ulur, të ndarë prej njëri tjetrit në fatin e tyre si kurrë më parë. Nën peshën e një kërcënimi që iu vjen pothuajse nga të gjitha anët. Nën kërcënimin e mbetjes pa punë dhe për asnjë shkak; nën kërcënimin e spiunimit; nën kërcënimin e humbjes së dinjitetit, ndershmërisë, familjes, fëmijve.”

04

Pas pothuajse më shumë se çerek shekulli nga ky takim, PD gjendet me liri të humbur përballë shqiptarëve. Nën thundrën e një pozite që origjinon ekzaktësisht nga ish Blloku, në të gjitha pikpamjet. Sa herë që vjen në Kuvend, kryeministri i vendit tund nën hundën e opozitës një Kushtetutë të grisur dhe i fryn herë pas here një “Fyelli” që prodhon melodinë e kompozuar enkas prej tij si melodi opozite. Jashtë Kuvendit, shqiptarët dhe jo vetëm demokratët, i gjen kokë ulur, të ndarë prej njëri tjetrit në fatin e tyre si kurrë më parë. Nën peshën e një kërcënimi që iu vjen pothuajse nga të gjitha anët. Nën kërcënimin e mbetjes pa punë dhe për asnjë shkak; nën kërcënimin e spiunimit; nën kërcënimin e humbjes së dinjitetit, ndershmërisë, familjes, fëmijëve. Nën peshën e një frike që nuk e kanë patur as në kohën e diktaturës hoxhiste. Ndërsa opozita reale ndodhet ekzaktësisht atje ku ndikon më pak: ose në gjykatë, ose duke sharë kryeministrin në Kuvend. Pa kuptuar se është përfshirë në kurthin fatal të humbjes së lidhjeve me problemet reale të shqiptarëve. Duke i lënë shqiptarët vetëm në një hapësirë të pushtuar nga mijra “mbeturina njerëzore” drejtorësh, patronazhistësh, horrash, që bartin copa pushteti, kërcënimesh dhe imitojnë kryeministrin e vendit. Duke i lënë shqiptarët përballë dhe në kontakt të përditshëm me ta. Ndërsa monstrat bëjnë kërdinë mes tyre.

 

05

 

Nuk kishte se si që PD e sotme, pa liri dhe brenda keqkuptimit fatal të ekzistencës së një PD tjetër, të mos më sillte në mëndje Azem Hajdarin, heroin e demokratëve. Ja pse shpesh, si në tragjeditë e Shakespeare, veçanërisht sot Azemin e shoh në sfond të sallës së Kuvendit dhe jo si të ishte fantazma e Hamletit mbret, por si një mesazh, si një zgjidhje për demokratët e sotëm. Sa herë ndodh kështu, sallën e Kuvendit e shoh pa L. Bashën dhe disa të tjerë rrotull tij. Jo pse rastësisht ata mund të mungojnë atë ditë, por, sepse nuk do të kishte sallë që do t’i mbante ata dhe Azemin, madje edhe si vegim, në të njëjtën kohë. Asnjëherë. As në 2013!