Prof. Dr. Bamir Topi: Drejtësia është e sëmurë dhe maxhoranca e opozita nuk e duan kurimin e saj

437

Sipas meje, PD-ja ka ardhur duke forcuar fizionominë e dominimit të interesave të Familjes të atij personazhi, i cili dha një dorëheqje shumë formale dhe jo serioze dhe substanciale

Ish Presidenti Prof. Dr. Bamir Topi, i cili është edhe kryetar i FRD-së, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shpreh mosbesimin se maxhoranca dhe opozita e sotme duan një drejtësi të pavarur. Dhe më tej, zoti Topi pohon që askush sot nuk interesohet që të tregojë cili është shkaku. Prof. Topi e vë gishtin e së keqes pikërisht te parlamenti i sotëm, i cili është, sipas tij, një parlament i listës së kryetarëve të PD-PS, dhe jo i votës së lirë të popullit, dhe kjo pasojë e pazareve politike Berisha-Rama më 21 prill 2008, ku ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Zoti Topi shprehet edhe për PD-në, post Berisha, duke thënë se te PD-ja sot është një frymë e vjetër, tashmë e një lideri të dekompozuar politikisht, që për më tepër po e çon PD-në në një greminë”. Zoti Topi vlerëson sjelljen e Kryeministrit Rama në raportet me Presidentin “më duket sikur sjellja e kryeministrit aktual, së paku formalisht, është sjellje qytetare, në dallim nga paraardhësi i tij, që i mungonte ky virtyt”. Ndërsa për reformën territoriale, zoti Topi pohon që mund të ketë nuanca elektorale, por kjo ndarje e re territoriale nuk do të vendosë  rezultatin e zgjedhjeve vendore. Ndërsa për strategjinë politike të FRD-së në këto zgjedhje, Kryetari i FRD-së, thotë se nuk duhet të jepen nuanca të forta politike, por ato janë zgjedhje administrative, me politika të ndryshme në qarqe të ndryshme.

– I nderuar ish President Topi,  ju si e vlerësoni performancën e qeverisjes Rama?

– Përsa i përket pritshmërisë së elektoratit që ka votuar maxhorancën aktuale, kjo nuk më takon mua, pasi FRD-ja  nuk ka ndërtuar asnjë aleancë politike dhe në vazhdimësi jemi deklaruar si një forcë politike në opozitë. Ndryshe nga opozita negativiste në parlament, ne vlerësojmë çdo veprim të ligjshëm demokratik për rikthimin e funksioneve normale të shtetit ligjor.

–  Bëhet fjalë për dekriminalizimin e Kuvendit. Pyetja është: Nga cila portë u futën kriminelët në parlament si deputetë?

– Është mjaft e rëndë që PD-ja kujtohet për dekriminalizimin e parlamentit, kur rregullat e lojës dhe kontrollin e procesit zgjedhor e ka ndërtuar politikisht së bashku me PS-në. Sot, kur nuk kanë fuqi vendimmarrëse në parlament, bëjnë qaramanin, për më tepër që në radhët e veta ka persona të tillë. Unë mendoj që ky është një proces që kërkon një reflektim për të shkuar, pikërisht te pika e nisjes, e cila është pikërisht mënyra se si votohet. Në 24 vite të demokracisë, gjithkush e kishte menduar që, së paku, bazamenti i demokracisë, që është vota e lirë, do vinte duke u perfeksionuar. Për fat të keq, ka ardhur duke bërë regres. Dhe në rast se sot ne kemi një parlament, i cili nuk plotëson pritshmëritë e njerëzve të ndershëm, atyre që kërkojnë që Shqipëria të ketë një status tjetër, duhet kërkuar te baza demokratike e votës së lirë. Fakti që kjo nuk ekziston në ato standarde, kemi një parlament jashtë standardit. Kështu që, ata që bërtasin sot, janë protagonistë të krijimit të kësaj situate që ka sjellë këtë parlament që edhe sipas tyre, por edhe sipas meje, nuk funksionon në parametrat e duhura. Përgjegjësit kryesorë janë ata që sot bëjnë qaramanin në parlament.

– Sipas jush, si duhet bërë dekriminalizimi i parlamentit?

– Besoj se nuk e keni harruar kaq shpejt ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës më 21 prill 2008. Madje, brenda një nate me bekimin e çiftit Berisha-Rama, në të cilin shkatërruan jo vetëm ligjin zgjedhor dhe kontrollin korrekt të zgjedhjeve. Ajo që na habit më shumë është se askush nuk e përmend më se ku ka filluar faji. Të ndryshosh Kushtetutën vetëm për hir të interesave personale, të të dy krerëve të partive tradicionale, do të thotë që ata që e kanë aprovuar, ose kanë qenë miop, ose kanë qene pjesë e lojës, e cila për fat të  keq ka sjellë totalisht një destrukturim të institucioneve, të cilat duhet të bëheshin më të forta, por praktikisht janë bërë edhe më të dobëta.

– Mos vallë dekriminalizimi i parlamentit duhet të fillojë nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ku populli të zgjedhë me votën e tij përfaqësuesin e vet në Kuvend, e jo të votojë lista kryetarësh te partive?

– Absolutisht, jam plotësisht dakord me ju, madje ne, herë pas here e kemi shprehur që nuk mund të ketë një produkt demokratik në rast se qysh në origjinë fillon në mënyrë jo demokratike. Pra, duhet që ligji Zgjedhor të japë mundësinë të gjithëve të konkurrojnë në mënyrë të barabartë dhe të mos vijë puna pastaj, që populli voton, por të tjerët i kontrollojnë votat. Pra,  me kodin aktual zgjedhor, po shkojmë sërish në kushtet e një shteti diktatorial. Njerëzit që votojnë duhet ta dinë që vota e tij numërohet. Pastaj, del një moment tjetër, që është shumë i rëndësishëm. Ku shkojnë gjithë ato vota që marrin subjekte politike të caktuara? Dikush tjetër i merr dhe i shfrytëzon këto vota të subjekteve të tjera politike, sepse kështu e parashikon Kodi Zgjedhor aktual. Kështu, që ka nevojë imediate, që Kodi aktual Zgjedhor, që nuk përfaqëson votën e çdo qytetari në mënyrë të barabartë, duhet të ndryshojë. Por kjo, paradoksalisht, vjen prapë te vullneti i kryetarëve të PD-PS, që e kanë bërë çorap këtë punë.

 –  Zoti Topi, ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha ju akuzoi juve se tani ju luani në fushën e maxhorancës dhe nuk jeni opozitarë. Cili është reagimi juaj?

– Nuk besoj se është përdorë në këtë kontekst, sepse unë e kam ndjekur. Asgjë, në asnjë rrethanë, pavarësisht nga kjo që thoni, asgjë nuk më impresionon nga një formacion politik i shthurur dhe totalisht pa rrugëdalje për të ardhmen. Pra, unë nuk pres konsiderata nga askush tjetër. Ne jemi një forcë politike më vete. Ne nuk shpresojmë te e ashtuquajtura tolerancë e partive tradicionale, që janë përgjegjëse për gjithçka që ndodh në Shqipëri, por në kontaktin dhe besimin e kemi te qytetarët.

–  A mendoni se PD-ja ka hyrë vërtet në një fazë postBerishiane, në filozofi, në veprim dhe në vizionin politik?

– Sipas meje, ajo parti ka ardhur duke forcuar fizionominë e dominimit të interesave të familjes të atij personazhi, i cili dha një dorëheqje shumë formale dhe jo serioze dhe substanciale. Unë do të thosha që kjo që thoni ju është jo vetëm iluzion, madje është tepër e gabuar të orientohet publiku, sikur një erë tjetër po fryn në PD. Për mua, që e njoh mirë situatën, është një frymë e vjetër, tashmë e një lideri të dekompozuar politikisht, që për më tepër po e çon PD-në në një greminë, e cila është jo vetëm një keqardhje për ato të cilët në breza, në vitet e demokracisë, kanë kontribuar, por edhe një dëshpërim i thellë për të gjithë ata që aspiruan demokraci nëpërmjet përfaqësimit politik te ajo parti dhe iu përkthye në të kundërtën, duke shkatërruar ëndrrat e tyre.

– Kështu siç është realiteti i pazgjidhshëm i pronave në Shqipëri, a mund të pretendojmë se do të integrohemi në BE?

– Para se ta lidhim me integrimin, unë do ta lidhja si një çështje themelore të së drejtës së Njeriut, që duhet të gëzojë në një vend demokratik. E dyta, lidhet me detyrimin që ka një vend që futet në ekonominë e tregut, që të zgjidhë një çështje që është bazamenti i ekonomisë së tregut. Kështu është e pamundur të integrohemi dhe kjo rrugë mendoj se do të jetë shumë e gjatë. Nuk shkojmë dot në Europë vetëm me deklarata, vetëm me inskenime politike dhe nuk plotësohen rregullat që ka Europa, që fillon me shtetin ligjor, me çështjet e luftimit të korrupsionit, me drejtësinë, me ekonominë dhe të gjitha këto vendosen nga një pronë.

–  A kemi një qeverisje ndryshe nga kjo maxhorancë, sikurse ishte premtimi i saj elektoral?

– Nuk vihet në dyshim që kemi një qeverisje ndryshe nga ajo paraardhësja. Sipas meje, ndryshimi themelor është te respekti ndaj shtetit për problemet e informalitetit që ishte refreni i qeverisë së kaluar. Në rast se ne do kthehemi në retrospektivë, do shikojmë që për interesa elektorale, apo për interesa klienteliste, shumë gjera erdhën duke degraduar dhe dukej sikur çdo gjë në Shqipëri, gjë që nuk ndodh as në regjimet e monarkisë, nuk shkojmë me psikozën që gjërat zgjidhen vetëm nga një njeri. Historia e shërbimit të energjisë elektrike,  po e po, historia e shërbimit të ujit, historia e diferencimit të bizneseve të ndryshme. Ne duhet ta pranojmë dhe të kemi kurajën ta themi që mjaft nga bizneset kanë qenë të atakuar nga qeveria e kaluar dhe iu dha frymëmarrje disa bizneseve klienteliste. Të gjithë i dinë emrat, sepse 4-5 emra janë, që kanë dominuar ekonominë në Shqipëri, që kanë bërë feudë të familjeve të tyre dhe familjes së ish kryeministrit. Ka pasur biznesmenë që kanë pasur autoritetin më të madh edhe se të ministrave. Nëse kjo qeveri do të luftojë formalitetin, të normalizojë çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, të kthejë në normalitet çështjet e shërbimit për sektorë strategjikë, sikurse është energjia elektrike, uji por të lidhura edhe me problemet e sigurisë publike, unë besoj që çdo qeveri që do ta bëjë këtë, pavarësisht se nuk është në planin ideologjik dhe politik qeveria që unë kam mbështetur, unë do ta mbështet. Shikoj një tendencë pozitive për rikthimin e normalitetit në shtetin ligjor.

– Marrëveshja maxhorancë-opozitë që u arrit, mendoni se ishte një çështje vullneti politik dhe a do të funksionojë, apo ishte ultimatum nga Brukseli?

– Sipas meje, ishte një gjendje gati kapitullimi e opozitës parlamentare, e cila doli nga parlamenti pa arsye të forta, pa arsye substanciale, por me pretekste për të ngjallur interesin e strukturave të BE-së. Mendoj që ndodhi e kundërta. BE-ja erdhi këtu për të zgjidhur një krizë, dhe i shpëtoi fytyrën (opozitës parlamentare). Unë kam qenë në parlament kur kanë ndodhur ngjarje nga më të çuditshme, shumë më të rënda, dhe kemi qenë prezent në parlament. Nuk kam pranuar kurrë në vullnetin tim, që një opozitë që del nga parlamenti, e ka shumë të vështirë të mbijetojë me kauzën jashtë parlamentit. Por janë edhe probleme të tjera, që kanë të bëjnë me gjendjen e brendshme të opozitës parlamentare, që është e demoralizuar, ka një shthurje. Mendoj që janë promotorë të shkatërrimit të së Djathtës dhe kjo sjell pështjellime e interesa personale. Kjo ka të bëjë edhe më mënyrën sesi janë zhvilluar zgjedhjet brenda asaj partie. Janë shprehur kontestime nga protagonistët e asaj partie.

–  Ligjet që miratoi ky Kuvend për heqjen e mandateve te disa drejtuesve te institucioneve te pavarura, sikurse ILDPK, AMA KLD, etj, a është “kapje e institucioneve nga maxhoranca”, sikurse akuzon PD-ja?

– Nëse ka ndonjë rekord të kapjes së institucioneve të pavarura nga politika, këtë e ka bërë PD-ja. Dhe në mënyrë të dhunshme, madje. Gjërat sapo kanë ndodhur, përsa i përket kohës dhe ne i kujtojmë mjaft mirë. Ju e dini se çfarë fjalori është përdorur nga maxhoranca e djeshme ndaj institucioneve të pavarura. Ju e dini se çfarë marrëdhënie ka pasur maxhoranca e djeshme me institucionin e Presidentit, në rrëzimin e dekreteve të Presidentit, vetëm e vetëm për të dominuar politikisht institucionet, që duhet të ishin institucione të pavarura. Unë besoj, jo se sot po bëhet ajo që unë pres, sepse vazhdon një betejë ende midis maxhorancës së sotme dhe Presidentit, por, së paku, ka një tjetër mënyrë komunikimi. Unë e di që secili shpreh interesat e  veta në institucionin ku është. Unë, si ish-President, them, që duhet të prevalojë Kushtetuta. Së paku, të mos kemi probleme kushtetuese. Pastaj, nuk e besoj se ka ndonjë  njeri që ka iluzionin që dikush në Shqipëri, mënyra sesi janë pozicionuar, mënyra sesi janë zgjedhur, të ketë një lloj predispozicioni “lege Artis”, d.m.th në perfeksion, që të mos ketë interesa politike për t’u përfaqësuar në një institucion të caktuar. Ne duhet ta zgjidhim këtë çështje në parim. Që institucionet e pavarura duhet të jenë vërtet të pavarura. Hë për hë, kjo nuk ndodh.

–  Presidenti dhe maxhoranca sërish kanë marrëdhënie konflikti midis tyre. Së pari, a ka dallim në marrëdhëniet tuaja si President me kryeministrin e atëhershëm Berisha dhe tani Nishani me këtë maxhorancë?

– Ka një dallim substancial. Ndonëse është e zakonshme që Presidenti dhe qeveria të mos bien dakord për të gjitha gjerat, më duket sikur sjellja e kryeministrit aktual, së paku formalisht, është sjellje qytetare, në dallim nga paraardhësi i tij, që i mungonte ky virtyt. Madje, duke u shfaqur jo rrallë, si një vagabond politik. Ju i keni parë të konsumohen deklaratat e tij në mënyrë publike, kur i konsideronte Presidentin, Kryeprokuroren, institucionet e tjera dhe mjaft personalitete, me fjalorin më të ndyrë të mundshëm. Nuk ishte sjellje qytetare dhe as politike. Politika është atribut i njerëzve me sjellje të qytetëruar. Nëse vjen në politikë me mënyrën katapultike e spektakolare, siç ka ardhur ai (Berisha), e demonstroi që e bënte për të denigruar kundërshtarët, për të dominuar institucionet.

–  A është në tagrin e prestigjit moral dhe kushtetues që presidenti të mos dekretojë ( në seri) ligje që Kuvendi i miraton me 84 vota?

– Jo, nuk ka lidhje me këtë që ju pyetni. Raporti së pari është kushtetues. Nëse ligjet kanë probleme juridike, atëherë nuk ka rëndësi nëse janë miratuar me 84 vota. Ky është raporti midis pushteteve që parashikohet në Kushtetutë. Mund të ketë ligje që marrin vota edhe 2/3  e jemi në standardet e miratimit të ligjeve kushtetuese, por në rast se brenda ka vetëm vullnet politik për ta bërë, por ka një moment juridik, atëherë futen në lojë juristët dhe në raste se ka kontestim, futet Gjykata Kushtetuese, e cila merret me momentet e karakterit juridik. Jo çdo gjë bëhet me vullnete politike.

– Mendoni se ka boshllëk, mosqartësim kompetencash kushtetuese të institucionit të Presidencës dhe të Kuvendit, apo është keqintepretim i qëllimtë  i këtyre kompetencave kushtetuese nga të dy palët?

– Unë nuk kuptoj si mund të dilet kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur kjo gjykatë futet në veprim. Ajo në momentin që futet në veprim, vendimet e saj janë në standardet dhe parametrat e një neni që ka Kushtetuta. Duhet të kesh një kurajë patologjike, cilido që i del kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

– A ka përgjegjësi ( dhe cila është nëse thoni “po”) kryetari i KLD-së, për gjendjen në të cilën ndodhet sot Drejtësia?

– Çështja e drejtësisë është një çështje mjaft komplekse. Së pari, kjo ka të bëjë me vullnetin e drejtpërdrejtë të parlamentit për të bërë ligje të mira. Dhe parlamenti është në sfidën që duhet të bëjë ligje të mira për drejtësinë. Unë nuk mendoj që një aktor të jetë pa përgjegjësinë  e vet. Por nuk besoj se është përgjegjësi ekskluzive. Je kryetari i KLD-së në një moment të caktuar, por ke të drejtën e një vote. Madje, edhe këtë e ke votë të fshehtë. Faktori më i rëndësishëm, është sot parlamenti për ndryshimin e ligjeve, e pastaj, është trupa gjyqësore, e cila detyrimisht, duhet të lihet të punojë e lirë nga influencat. Nëse lihen të lira, atëherë ato kanë një përgjegjësi maksimale në rast se brenda tyre vazhdojnë që të punojnë faktorë të tjerë, që e kompromentojnë dhe e bëjnë drejtësinë, që në segmente të caktuara të saj të ndihet e korruptuar.

Sot maxhoranca dhe opozita e kanë vullnetin që të kemi një drejtësi të pavarur?

– Nuk besoj! Nuk besoj! Nuk besoj!

– Në reformën në drejtësi sot, është e nevojshme të përsoset legjislacioni apo zbatimi i ligjit?

– Drejtësia është e sëmurë, sepse politika është e sëmurë rëndë. Si mund të ndërtosh një drejtësi që të jep besim, kur vetë parlamenti që prodhon ligje dhe institucione është bazuar edhe në vjedhjen e votës dhe në deformimin e saj. Ligji i jep të drejtën kryetarit të partisë të bëjë listat e deputetëve në sekondën e fundit, me komisione partiake, që e kontrollojnë votën si të duan ata dhe pastaj dalim në kriminalizimin e politikës dhe të parlamentit. Mendoni që ky parlament i kriminalizuar, sepse e thonë të dy palët dhe akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën, të ndërtojë ligje të besueshme për një drejtësi të mirë dhe të pavarur?! Drejtësia fillon me votën e lirë dhe të standardit europian.

–  Sa e sinqertë është pohimi edhe i ministrave të kësaj qeverie, kur thonë që ata kanë çuar dosjet e akuzës për zyrtarë të lartë të korruptuar, por është prokuroria ajo që nuk vepron?

– Këto deklarata mbeten utopi, nëse nuk ka akuza konkrete për individë përgjegjës edhe për trauma të mëdha, që kanë ndodhur te ne, gjatë viteve të fundit dhe natyrisht nuk ka asnjë përgjegjës. Opozita e djeshme, që sot është maxhorancë, gjatë fushatës elektorale ka paraqitur mjaft gjëra konkrete,  që kanë pasur të bëjmë me punën e ministrave të qeverisë së kaluar. Tani kanë çelësat, kanë dosjet konkrete. Në rast se gjërat bëhen në mënyrë propagandistike dhe jo profesionale, atëherë gjërat mbeten rrugës. Atëherë, më thoni, si ka mundësi që gjithçka bëhet, flitet shumë, dhe asgjë nuk lëviz nga drejtësia, kjo do të thotë që sot ata që drejtojnë  nuk e bëjnë punën profesionalisht. Atëherë ku shkuan gjithë ato akuza publike për njerëz të rëndësishëm të institucioneve? Unë mendoj se akuzat u hodhën në ajër dhe duhet të ketë përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe ligjore për njerëzit.

– Reforma territoriale kështu siç u bë, është domosdoshmëri, apo kartë elektorale e maxhorancës?

– Kur kam qenë  kryetar shteti, apeli që i bëja parlamentit ka qenë për një reformë territoriale, sepse ka pasur flukse të forta demografike nga periferia drejt zonave urbane. Mënyra si u bë kjo reformë lë shumë vend për ta diskutuar, sepse fillimisht u paraqit një projekt. Kemi dhënë edhe ne mendimet tona. Por, gjatë rrugës, janë bërë ndryshime, që kanë ndoshta edhe efekt elektoral. Por, në substancë, unë nuk mendoj që rezultati elektoral përcaktohet nga një ndryshim demografik.

– Cila do të jetë strategjia e FRD-së në zgjedhjet vendore?

– Kjo është sfida më e rëndësishme e ditëve që jetojmë. Nuk besoj se është sfidë vetëm e një subjekti politik. Edhe strukturat e FRD-së tashmë janë konfirmuar sipas ndarjes së re territoriale. Qëllimi ynë është të kemi një komunikim elektoral për të garantuar rezultatin.

– Do të jeni në koalicion, apo forcë e vetme në këto zgjedhje vendore?

– Ne jemi ende herët për ta thënë këtë. Por jemi duke studiuar të gjitha situatat. Këto mund të kenë nuancë politike, por në thelb janë zgjedhje administrative. Ne këtu do të shikojmë interesat themelore, që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve dhe këto do jenë edhe kriteret që do përcaktojnë me kë forcë politike do të bashkëpunojmë. Nuk ka kriter ideologjik në zgjedhje vendore. Të mos i japim theks të fortë politik zgjedhjeve administrative të pushtetit vendor. Të prevalojmë projekte për qytetet, të mos kemi një program. Ndryshe është për Tiranën, ndryshe është për Gjirokastrën. Do jemi të vlefshëm, jo vetëm për të ndërtuar thjesht një aleancë, një koalicion, që këtë gjithsesi ka për ta vlerësuar asambleja e FRD-së.

 -Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA