Ish-Zv/Kryetarja e Gjykatës së Strasburgut: Vetting-u, KED-ja, incidenti procedural i Dvoranit, tre faktorët që sollën krizën në Shqipëri
Komisioni i Venecias mbi Shqipërinë: Nuk ka vend për interpretime
Prof. Angelika Nusberger, është anëtare gjermane e Komisionit të Venecias, më parë zëvendëspresidente e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, drejtoreshë e Institutit për Ligjin Europiano -Lindor në Universitetin e Kölnit. Në një intervistë për “ Deutsche Welle ” ajo shpjegon vendimet e Komisionit të Venecias për Shqipërinë dhe arsyet që kanë sjellë krizën institucionale dhe politike në Tiranë.
-Deutsche Welle: Prof. Nusberger, ju jeni anëtare gjermane e Komisionit të Venecias dhe merreni edhe me çështjet e hapura juridike në Shqipëri. A keni qenë vetë në Shqipëri?
Prof. Angelika Nusberger: –Herën e fundit kam qenë në shkurt me delegacionin e Komisionit të Venecias në Shqipëri, pak kohë para shpërthimit të Coronës.
– E cila ishte përshtypja nga takimet tuaja?
– Në takimet e shumta me përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile pata përshtypjen se është shumë urgjente që reforma e drejtësisë të përmbyllet sa më shpejt dhe me sukses.
-Së fundmi Komisioni i Venecias ofroi rekomandimet e tij për shqetësimet ekzistuese në Shqipëri lidhur me Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Cili është hapi tjetër që duhet ndërmarrë tani?
– Për Shqipërinë ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kështu që hapi tjetër i nevojshëm është të ecet përpara me emërimet e tjera të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbi bazën e opinionit të Komisionit të Venecias, rruga përpara tani duhet të jetë e qartë.
-Por edhe më parë Komisioni i Venecias ka publikuar rekomandimet e veta për mosmarrëveshje të tjera. Rezultati ka qenë shpesh interpretimi politik, ku secila palë thotë, se Komisioni i jep të drejtë dhe grindjet vazhdojnë. Çfarë efekti kanë atëherë rekomandimet tuaja? A përbën një problem fakti që opinionet tuaja nuk janë të detyrueshme?
– Është e vërtetë që teknikisht opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë të detyrueshme; ato ofrojnë atë që shpesh quhet si “soft law” – “ligji i butë”. Por kjo nuk do të thotë, që ato mund të neglizhohen. Përkundrazi, të dy, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë edhe Presidenti i Shqipërisë e kanë kërkuar opinionin, që do të thotë ata që kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Opinioni i Komisionit të Venecias jep një përgjigje për pyetjet e kërkuara. Prandaj nuk mund të ketë asnjë dyshim që do të merret seriozisht. Përgjigjet e dhëna përfaqësojnë komunitetin ligjor europian; ato kanë një autoritet të veçantë. Pas dëgjimit të të gjithë aktorëve relevantë, Komisioni i Venecias e shpjegon pozicionin e tij ligjor sa më qartë të jetë e mundur. Kështu që nuk ka vend për interpretime.
-Ka kohë që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon në Shqipëri. Çfarë duhet bërë për të përshpejtuar procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese?
– Kushtetuta e Shqipërisë vendos një mekanizëm të komplikuar për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Parashikimet kushtetuese çuan në mosmarrëveshje, se si kuptohen ato në kushte të caktuara – në një situatë, ku ka shumë vende bosh në të njëjtën kohë, ku procedura e vetting-ut është ende në vazhdim e sipër dhe ku ka vetëm shumë pak kandidatë. Komisioni i Venecias ka dhënë shpjegimin si të operohet në kushte të tilla. Kështu, bazuar në këtë opinion, aktorët e ndryshëm politikë duhet të fillojnë bashkëpunimin në mirëbesim. “Për të kapërcyer krizën kërkohet dhe është thelbësore arritja e një konsensusi të gjerë për një dialog konstruktiv, ndërinstitucional dhe bashkëpunimi mes institucioneve të shtetit.” Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese do të ketë një efekt pozitiv në zhvillimin e vendit. Çështjet e diskutueshme mund të zgjidhen kështu mbi baza ligjore. Në një rast të mosmarrëveshjeve mes aktorëve të ndryshëm politikë Gjykata Kushtetuese do të jetë arbitri që do të tregojë rrugën përpara.
– Komisioni dha rekomandime për disa ndryshime kushtetuese. Megjithatë nuk është i vogël rreziku, që ju të dëgjoni sërish për grindje politike lidhur me to, me rezultatin e një bllokade të re politike. Cila është qasja juaj në këtë rast?
– Rekomandimet mbi ndryshimet kushtetuese prekin rregullat e paqarta. Njëherë për njëherë, megjithatë Komisioni i Venecias ka shpjeguar si funksionojnë mekanizmat kushtetues. Kështu që edhe nëse nuk ka konsensus për ndryshimin e Kushtetutës, nuk ka asnjë arsye për një bllokadë politike.
– A e ndiqni ju edhe implementimin e rekomandimeve tuaja, apo puna juaj merr fund sapo të jepet opinioni?
– Po, Komisioni i Venecias gjithmonë i ndjek nga afër deri në ç’pikë janë implementuar opinionet e tij. Sekretariati i raporton mbledhjes plenare mbi zhvillimet gjatë takimit në Venecia.
– Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një sfidë që po zgjat me vite, e po të flasësh me njerëzit në vend ata janë të lodhur, sepse institucionet kryesore të ligjit nuk funksionojnë prej vitesh. Çështje të rëndësishme ende presin përgjigje. A ka diçka që do të thonit tani më pas, për reformën, se kjo do duhej të ishte organizuar më mirë vitet e kaluara në Shqipëri?
– Komisioni i Venecias i ka analizuar problemet e reformës ligjore në Shqipëri. Lidhur me çështjen e mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë, Komisioni i Venecias i ka dedikuar tre kapituj të opinionit të tij mbi faktorët e ndryshëm, influencën e procesit të vetting-ut, influencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe rrethanat konkrete të të ashtuquajturit “incident procedural”. Në të ardhmen është i mundur një fillim i ri. Të gjithë aktorët politikë duhet të marrin si pikë startimi nevojën urgjente për të rithemeluar Gjykatën e Lartë. Ky duhet të jetë një qëllim politik i përbashkët, në të cilin nuk duhet të interferojnë interesat personale dhe politiko-partiake.
– A keni shembuj, se ku e kanë hapur derën e dialogut rekomandimet tuaja?
– Ka shembuj interesantë, ku shtetet që kanë pasur shqetësime kanë ndjekur opinionin e Komisionit të Venecias. Një shembull mund të jetë adoptimi i Aktit të Sistemit Juridik në Bullgari, ku në fund një nga rekomandimet u adresua pjesërisht, dhe rishikimi i Kushtetutës në Gjeorgji, ku opinioni i Komisionit të Venecias u mor për bazë në disa aspekte.
– A mendoni se Shqipëria është pranë kësaj?
– Gjatë vizitës sonë ne kemi parë se të gjithë aktorët politikë janë të vetëdijshëm për situatën e vështirë të vendit dhe duan të tejkalojnë situatën e krizës. Shqipëria ka juristë të shkëlqyer dhe mund të ngrejë me lehtësi institucione shtetërore që funksionojnë mbi bazën e sundimit të ligjit. Vullneti politik është aty. Nga perspektiva jashtë duket, se problemet janë “self-made” -të krijuara vetë dhe çdo gjë do të rregullohet sa më shpejt që aktorët politikë të bashkojnë përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje të mira të përbashkëta.
– Po tani që nuk mund të vizitoni vendin, si merren vendimet për opinionin?
– Për shkak të Coronës, anëtarët e Komisionit të Venecias nuk mundën të takoheshin as në mars, e as në qershor. Megjithatë ne mundëm të pranonim opinione të rëndësishme në formë të shkruar.