Prof. Alqi Naqellari: Pse shumë njerëz kanë nostalgji për socializmin?

695
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Shumë njerëz kanë nostalgji për sistemin e kaluar socialist, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 30 vjet. Pse ekziston kjo nostalgji? Pse njerëzit që e vlerësojnë atë nuk janë vetëm në Tiranë, por janë në të gjithë Shqipërinë, duke filluar që nga zonat e varfëra, e deri në ato të pasura, nga ish- komunistë, e deri në njerëz që kanë qenë të persekutuar. Një vlerësim tipik nostalgjik ishte edhe një pjesë e intervistës së Profesoreshës Luljeta Bozdo, që bëri bujë të madhe dhe u vlerësua me nota shumë negative. Ja kush ishte një pjesë e intervistës: “Pyetje: Enver Hoxha a ishte diktator? Luljeta Bozdo: Ishte diktator, në ato që ishte. Pyetje: Çfarë dëmesh i ka shkaktuar Enver Hoxha dhe figura e tij kombit shqiptar? Luljeta Bozdo: Po t’i vësh në balancë, ka më shumë anë positive, sesa negative.”

Mua kjo intervistë, si njohës i sistemit socialist, nuk më bëri shumë përshtypje, sepse nuk është e vetmja që mund të japë konsiderata të tilla për socializmin, ka shumë njerëz të tjerë që po t’u kritikosh socializmin, të fyejnë e të mallkojnë, a thua se u kujtove periudhën kur hanin me “lugë të artë”? Në facebook, pas një shkrimit tim në “Telegraf”, u bënë me dhjetra e dhjetra komente, ku shumë prej tyre numëronin “të mirat” e socializmit dhe “të zezat e kapitalizmit”. Një karakteristikë e atyre njerëzve që mbronin sistemin socialist, ishte se ata theksonin se, në socializëm nuk ekziston shfrytëzimi i njeriut nga njeriu, duke numëruar më tej të mirat e tij.

Çfarë krahasimesh bëjnë këta njerëz që e vlerësojnë më shumë sistemin socialist, sesa sistemin e sotëm të kapitalizmit shqiptar. Ata theksojnë se:

-Në socializëm nuk kishte papunësi, punonin të gjithë. Pavarësisht nga pagat që merrnin, të gjithë ishin të punësuar.

-Sot ka me dhjetra mijë të papunë, aq sa një pjesë e madhe e tyre, kërkojnë të largohen.

-Në socializëm nuk kishte drogë e prostitucion. Askush nuk mbillte hashash, nuk njihej fare kjo fjalë. Për kokainë as që bëhej fjalë, pak njerëz i dinin emrin.

-Sot Shqipëria është kthyer në kultivues e eksportues i kanabisit. Prostitucioni bëhet sheshit, mu në qendër të Tiranës, nëpër lulishte.

-Në socializëm nuk kishe jetën e përditëshme të pasigurtë. Një herë në vit dëgjoje ndonjë lajm për vrasje.

-Sot, jeta është e pasigurtë, mund të vritesh nga një plumb qorr duke pirë kafe në klub, mund të vritesh nga një automjet duke kaluar në bulevard, mund të vritesh duke kaluar rrugës, duke punuar, mund të vritesh duke udhëtuar me automjet se të godisin të droguarit. Sot, thuajse çdo ditë, dëgjon për aksidente me humbje jete, për vrasje, për drogë, për prostitucion, për armë.

-Në socializëm kishte barazi në të ardhura, nuk kishte diferencime të mëdha midis njerëzve.

-Sot ka diferencime të mëdha midis njerëzve, nga njeri krah disa kanë makina luksoze qindra milionëshe, nga 3-4 palë shtëpi, vila luksoze dhe në krahun tjetër, ka njerëz që vuajnë, pa shtëpi dhe pa bukë, që shesin votën për një thes me miell.

-Emisionet televizive flisnin për punën dhe dashurinë midis njerëzve. Këngët kishin tekste të pëlqyeshme që mësoheshin përmendsh.

-Sot në televizione shikon emisione me shalë jashtë, me thënie të papranueshme. Dëgjon këngëtarë që i këndojnë bythës, seksit, “ ma jep, s’ta jap”, “ ti s’din as me ma lypë” etj, bajatllëqe, pa kurfarë vlerash në edukimin e brezit të ri.

-Në socializëm nuk kishte taksa dhe tatime, njerëzit merrnin kompensime.

-Sot njerëzit janë deri në grykë të mbytur nga taksat dhe tatimet, duhet të punojnë për shtetin.

=Në socializëm nuk vidhej, të dënonin, të fusnin në burg për 2000 lekë të vjetra.

-Sot bëhet qameti, shtetarët, pa i klasifikuar ministra, deputetë, jurist, kanë pasuri milionëshe të pajustifikuara. Bëjnë tendera dhe japin me PPP dhjetra punime, prej të cilave fitojnë miliona.

-Në socialize, deputetët nuk kishin privilegje.

-Sot deputetët, edhe duke mos folur kurrë në parlament, kanë privilegje sheikësh, që nga rrogat e majme, makinat, sekretarët, dieta e udhëtime brenda dhe jashtë vendit, komisione etj.

Përveç këtyre përparësive që njerëzit numërojnë si pozitive për socializmin, mund të numërojnë edhe dhjetra të tjera. Pyetja është, po të ishte kaq i mirë socializmi, pse dështoi si sistem, pse falimentoi? Pse nuk dështoi kapitalizmi, sado i keq të ishte? Përgjigja është se socializmi nuk siguroi rendimet më të lartë se kapitalizmi, në këtë mënyrë çdo sistem socialist i asaj kohe, ishte më i keq se vendi më i dobët kapitalist i ekonomisë tregut, si i tillë ishte i destinuar të falimentonte.Të mirat, ose përparësitë e socializmit ndaj kapitalizmit, ekonomisë së tregut kanë qenë në dukje, sepse po t’i analizosh me vëmendje, nuk është kështu, socializmi shqiptar nuk kishte “më shumë gjëra pozitive se negative”. Sistemet nuk gjykohen nga të mirat dhe negativitetet  si pasoja, por nga raporti individit me pronën, nga shkalla e lirisë së veprimit, në raport me pronësinë dhe shpërndarjen. Le t’i shikojmë disa prej tyre:

-Në teorinë e Ekonomisë Politike të Socializmit thuhet: “Në socializëm zhduket shfrytëzimi i njeriut nga njeriu”. Më tej … shfrytëzimi i njeriut nga njeriu ekziston vetëm në sistemet ekonomike ku ekziston prona private mbi mjetet e prodhimit. Në fakt, nëse i referohemi kontraditave të brendshme të sistemit socialist dhe strukturës reale klasore të tij,  në Republikën Popullore  Socialiste  të Shqipërisë, edhe në socializëm kemi shfrytëzim të njeriut nga njeriu, por në formën e shfrytëzimit klasor. Në kapitalizëm ku ekziston prona private mbi mjetet e prodhimit,  shfrytëzimi është i drejtpërdrejtë, pronari shfrytëzon punonjësit e ndërmarrjes dhe merr mbivlerën e krijuar prej tyre, pra kemi shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Këtë formë shfrytëzimi e ka analizuar Marksi në ‘Kapital’. Në socialize,  pronar i mjeteve të prodhimit është shteti, jo individi, kështu kemi kontraditë antagoniste midis shtetit si shtypës – shfrytëzues dhe klasave të shtypura – të shfrytëzuara, që janë të zhveshura nga mjetet e prodhimit. Shteti shfrytëzon nëpërmjet shtresës drejtuese të tij, (Sistemit piramidal partiak- shtetëror nga qendra në bazë) në emër të klasës punëtore, si pararoja e tij, vetë klasën punëtore, fshatarësinë kooperativiste dhe shtresat e tjera të margjinalizuara. Shtresat e margjinalizuara të asaj kohe, kanë qenë ish- borgjezët, ish -kulakët, ish- tregëtarët, individët antiregjim, ballistët, nacionalistët etj, të kësaj natyre, që ishin të privuar nga shumë të drejta. Duke qenë se është shtet i diktaturës së proletariatit,  ai në interes të shtresës drejtuese dhe “klasës punëtore”, shfrytëzon në një shkallë më të lartë, fshatarësinë kooperativiste dhe shtresën tjetër të popullsisë.  Në këtë mënyrë edhe në socialize, kemi shfrytëzim të një klase nga një klasë tjetër, shtresa udhëheqëse shfrytëzonte gjithë popullsinë. Të shfrytëzuar ishin të gjithë,  klasa punëtore më pak, fshtarësia kooperativiste më shumë, dhe shtresa e margjinalizuar, akoma dhe më shumë. Kështu, nëse në kapitalizëm kontradita themelore e sistemit ishte midis natyrës, karakterit shoqëror të prodhimit dhe karakterit privat të përvetësimit, në socialize, kontradita themelore ishte midis “karakterit shoqëror të prodhimit, dhe natyrës ose karakterit klasor të shfrytëzimit”. Fshatarësia kooperativiste,  e organizuar në Kooperativa Bujqësore, ishte më e madhe në numër, zinte thuajse  60% të popullsisë dhe jepte një pjesë të konsiderueshme të prodhimit.

Kjo klasë sundohej,  shtypej dhe shfrytëzohej nga shtresa e parë (Piramida udhëheqëse Parti-Shtet). Shteti diktonte dhe përcaktonte llojet dhe sasitë e prodhimeve, llojet, sasinë dhe çmimet e prodhimeve që do dorëzoheshin. Kështu,  për kooperativat bujqësore, nuk ekzistonte koncepti shit-blerje, mall, treg, fitim por gjithçka, ishte e centralizuar dhe e komanduar nga partia-shtet. Kooperativa kishte autonomi në shpërndarje të atyre mjeteve monetare që i mbeteshin në fund, në formën e ditë-punëve. Edhe këto mjete do shpërndaheshin sipas Rregulloreve të Shpërblimit që rekomandonte Partia-Shtet. Fshatarësia, në krahasim me klasën punëtore, kishte kufizime në përfitimet sociale, në leje të zakonëshme, lejet e lindjes, sigurimet shoqërore në përgjithësi, në shkollimin e njëanëshëm, në bursa etj. Pas viteve ’85 situata arriti deri aty sa, fshatarësia nuk kishte të drejtë të blinte as në dyqanet e shtetit, produktet e mbijetesës.

Tirana ka qenë qytet i privilegjuar, për Tiranën punonte e gjithë Shqipëria. Tiranasit, në këtë kontekst edhe Profesorja Bozdo, nuk e njihnin drejt gjendjen reale ekonomike, shoqërore të qyteteve të vogla, dhe veçanërisht të fshatit. Ata fshatin e njihnin nëprmjet radios dhe televizionit, sikur njerëzit ishin të lumtur dhe hapnin kanale me dëshirë, me “gëzim”, se ata mund të hanin mish, vezë e sallam, njësoj si në Tiranë. Populli ushqehej me poezitë dhe librat e poetëve dhe shkrimtarëve  tanë, që i këndonin Partisë dhe çdo gjë e paraqisnin rozë. Tiranasit, neve që vinim nga qytetet e vogla, na dukeshin njerëz ndryshe, të ishe nga Tirana në atë kohë, ishe i privilegjuar, Tirana ishte ëndërr për çdo shqiptar. Nostalgjikët  e socializmit janë të tillë, sepse sot në Shqipëri ka fukarallëk, ka pabarazi të skajëshme, sepse qeveritë kanë bërë reklamë më shumë se punë, sepse kanë abuzuar me djersën e tyre. Nëse nuk do ishte kjo gjendje ekonomike, jam i sigurt se askujt nuk do t’i vinte mendja për socializmin, jo ta mburrte, por as ta zinte në gojë.