Prishja e Kishës në Dhërmi, reagon PBDNJ: Komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë

450
Prishja e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi ka sjellë reagimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në një deklaratë për mediat PBDNJ shprehet e indinjuar, duke e quajtur prishjen e Kishës, vandalizëm qeveritar, që sipas saj dëshmon se kushtetueshmëria po i lë vend përditë e më shumë arbitraritetit e arrogancës.
PBDNJ deklaron se qeveria që dështoi me ndërtimin e shkollave dhe spitaleve po shkatërron objektet e kultit dhe dhunon jetën shpirtërore.
Reagimi i kësaj force politike, shkon më tej duke e akuzuar kryeministrin Rama se bashkë me deputetin Koço Kokëdhima kanë interesa klienteliste.
PBDNJ kërkon ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.
DEKLARATA E PLOTË
Vandalizmi qeveritar në Shën Athanas, Dhërmi, është dëshmia e radhës dhe më domethënëse se në vendin tonë Kushtetutshmëria, shteti i së drejtës, dimensioni human dhe liria e besimit po i lënë vendin përditë edhe më tepër arbitraritetit, arrogancës, dhunës dhe hipokrizisë.
E kapur nga interesa klienteliste, qeveria që dështoi të ndërtojë për qytetarët shkolla dhe spitale, po i shkatërron atij objektet e kultit dhe i dhunon jetën shpirtërore.
Asnjë “patriotizëm” nuk mund të bëhet strehë për qëllimet grabitëse, tashmë të njohura botërisht, të Z. Kokëdhima me mbështetjen e Kryeministrit Rama ndaj pronave të Bregut.
Në këto kushte bëhet imediate nevoja e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve nëe përgjithësi.
Nën hijen e këtyre zhvillimeve, ku do ta gjejë vallë hipokrizinë proverbiale që do ti duhet sot Kryeministrit Rama për të parë në sy Kancelarët Merkel dhe Freyman si edhe kolegët ballkano-perendimorë në samitin e Vjenës?!
Po popullit shqiptar si do ti shpjegohet që po ia bën përditë edhe më të largët arritjen e ëndrrës europiane?
Sigal