“Prezantova paketën ekonomike të opozitës”, Kryemadhi takim me gratë sipërmarrëse

57

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, ka treguar sot hollësira mbi takimin që ka zhvilluar me gra sipërmarrëse të Dhomës Ekonomike të Gruas.

“Së bashku me Klajdën zhvilluam një takim me përfaqësuese të Dhomës Ekonomike të Gruas,”-shpjegon Kryemadhi në Facebook.

“Në këtë bashkëbisedim, gratë sipërmarrëse ndanë me ne pikëpamjet e tyre mbi politikat që i nevojiten biznesit. Ato na shpjeguan disa nga problematikat me të cilat ndeshen çdo ditë.

Një domosdoshmëri, për biznesin shqiptar sipas tyre është dhe pajisja e prodhimeve shqiptare me certifikata në mënyrë që të mundësohet eksportimi i tyre në vendet e BE.

Gjatë bisedës, i parashtrova zonjave të nderuara të Dhomës Ekonomike të Gruas një pjesë të paketës ekonomike të LSI dhe opozitës së bashkuar siç është rikthimi i taksës së sheshtë 9%. Ne si LSI, mendojmë se kjo politikë do të ndihmojë biznesin por dhe do të ulë informalitetin.

Po ashtu, shpreha gatishmërinë për të dëgjuar propozime nga biznesi, për politika ekonomike që do të ndihmojnë në punësimin e të rinjve të cilët sapo janë diplomuar apo kanë mbaruar shkollat profesionale.

Si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim i bëra thirrje të gjitha grave të bëhemi bashkë për të forcuar autoritetin dhe rritur pushtetin e gruas në jetën e përditshme dhe në politikë,”-tregon Kryemadhi.