“Presidenti sulmon gazetarët pas shkrimit kritik”, Blushi i përgjigjet akuzave të Endri Fugës: Mashtrim!

227
Sigal

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi në një shkrim në mediat sociale i është përgjigjur zëdhënësit për mediat të kryeministrit, Endri Fugës, pas një shkrimi, ku ky i fundit theksonte se presidenti ka sulmuar gazetarët pas një shkrimi kritik për të.

Blushi e cilëson këtë si një ‘fake news’ dhe shkruan se ato vetëm risollën në vëmendje shkrimin e Alfred Pezës për gazetarin, ku sipas tij nuk është bërë nga presidenca, por nga vetë Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste.

“Si mund të na akuzoni ne për sulm ndaj mediave, kur e vetmja gjë që kemi bërë është publikimi i pyetjeve që kanë për autor Sekretarin e Mediave në PS z.Alfred Peza dhe email që ka për autor deputetin e PS z.Sadri Abazi?”- shkruan Blush i cili ka publikuar edhe foto të artikullit.

Postimi i plotë: Zëdhënësi i Kryeministrit ende në detyrë paska pretenduar se ne kemi sulmuar familjen e një botuesi dhe të një gazetari.

MASHTRIM! FAKE NEWS!

Sepse edhe nëse kjo ka ndodhur, këtë nuk e kemi bërë ne, por Sekretari për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat në Partinë Socialiste, z.Alfred Peza.

Ne vetëm sa kujtuam pyetjet publike që ai ka adresuar në shkrimin e tij të datës 23 tetor 2018, të cilin po e rikthejmë për t’i freskuar memorien zëdhënësit të Kryeministrit ende në detyrë.

Nëse pyetjet e zyrtarit të lartë të PS përbëjnë sulm ndaj familjes së një botuesi kjo është çështje që duhet ta zgjidhni brenda Sektit tuaj.

Shkruesi i tyre është z.Peza. Nuk mund të na akuzoni ne për autorësinë e tyre.

Sa për gazetarin, ne publikuam një email që na ka mbërritur nga një deputet i grupit parlamentar të PS, meqë dhe radhët po ju shkërmoqen me afrimin e 25 prillit.

Në këtë e-mail dallohet qartë komunikimi i deputetit tuaj, z.Sadri Abazi. Nëse e keni përjashtuar z.Abazi nga Partia, dhe dyshoni se ai ka filluar punë në Presidencë, kjo nuk është e vërtetë.

Për hir të transparencës ne po e publikojmë edhe këtë e-mail të plotë për t’ju rrëzuar çdo alibi. Mos u bëni qesharakë deri në këtë pikë!

Si mund të na akuzoni ne për sulm ndaj mediave, kur e vetmja gjë që kemi bërë është publikimi i pyetjeve që kanë për autor Sekretarin e Mediave në PS z.Alfred Peza dhe email që ka për autor deputetin e PS z.Sadri Abazi?

Ndajeni mendjen!  Nëse e keni sulmuar vetë botuesin dhe gazetarin, siç pretendoni, drejtoni gishtin nga vetja dhe kërkoni falje publikisht.

Përndryshe, heshtni dhe prisni me durim përgjigjet e pyetjeve! Apo mos në atë kohë i ka nxitur vetë Buburreci Trendi këta dy deputetë?

Mos ka qenë vetë Buburreci Trendi autor i pyetjeve dhe i email?! Nëse është kështu e ftojmë z.Peza dhe z.Abazi t’u thonë shqiptarëve të vërtetën!

Nejse! Kjo është çështja juaj!  Vetëm “koordinohuni” kur mashtroni njëri-tjetrin se u bëtë gazi i botës!

LIRINË DHR PAVARËSINË E MEDIAS DO TA MBROJMË ME ÇDO KUSHT! Dhe mos harroni: ORA E PËRBALLJES PO AFRON!