Presidenti Meta: Zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga të gjithë

519
Sigal

Presidenti, Ilir Meta, legjitimoi edhe një herë si të drejta kërkesat e studentëve, të cilët protestojnë prej 13 ditësh. Ai apeloi sërish qeverinë, të reflektojë mbi kërkesat e studentëve. Presidenti i Republikës, Ilir Meta duke folur në ceremoninë e përfundimit të programit të Akademisë shqiptare të Studimeve Politike, kërkoi që zëri i studentëve të dëgjohet nga të gjithë: Të gjithë ne, si përfaqësues të institucioneve dhe në përgjithësi si shoqëri, na duhet të reflektojmë thellë për kapitalizimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm njerëzor e rinor në dobi të së ardhmes së gjithë vendit. Në këtë kontekst, nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta, legjitime dhe plotësisht të realizueshme. Ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë! Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë, jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë, në interesin më të mirë të gjithë vendit. Pasuria më e madhe, të cilës duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje se sa deri tani është rinia, është potenciali i saj dhe investim madhor e afatgjatë duhet të jetë një edukim sa më cilësor dhe i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë. Formimi profesional i të rinjve në të gjitha fushat është domosdoshmëri. Pa bërë një ndryshim të ndjeshëm e afatgjatë për investimin në kapitalin njerëzor do ta kemi të vështirë për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse!” – nënvizoi Presidenti Meta.