Presidenti Meta : Të ndalim shpopullimin duke përmirësuar standardet e qeverisjes dhe rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje

193
Sigal

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, u organizua sot, nëpërmjet një video-konference, një takim  me profesorë dhe ekspertë, për të diskutuar lidhur me shkaqet dhe masat efektive, që duhen marrë, për të frenuar fenomenin tepër shqetësues të shpopullimit të vendit.

Në këtë takim morën pjesë, Dr. Ines Nurja, pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Prof.Dr. Ilir Gëdeshi nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore, Prof.Dr. Sherif Bundo, Pedagog në Fakultetin Ekonomik, Prof.Dr. Sherefedin Shehu, Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, Dr. Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Falënderoj të gjithë profesorët e nderuar, të cilët kontribuan në këtë panel, me analizat, idetë, të dhënat, statistikat dhe propozimet e tyre. Të gjithë kemi një shqetësim të përbashkët, shpopullimin, një fenomen tepër shqetësues, që përbën një kërcënim të perspektivës sonë kombëtare. Shqipëria, po përjeton një “erozion” të vërtetë demografik, referuar statistikave tepër alarmuese për një shoqëri, për një shtet dhe për një komb.

Kjo për faktin se nga vendi nuk largohen vetëm ata të cilët nuk kanë punë, por edhe ata që kanë një pagë në nivele të kënaqshme, një arsim dhe kualifikim cilësor. Sipas ekspertëve dhe konkluzioneve tuaja, shkak për këtë, është bërë pasiguria, pra mungesa e besimit,  për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme në vend. Në këtë drejtim evidentoj si tepër shqetësuese, intensifikimin e fenomenit të “largimit të trurit”, duke zënë një ndër vendet e para në botë.

Jo vetëm kaq, por  disa statistika e bëjnë të pamundur, që të jemi optimistë, në një plan afatshkurtër. Këtë e përforcon fakti se 94 %,  e të rinjve që studiojnë jashtë vendit, nuk dëshirojnë të kthehen.Akoma më keq, gati 80 % e atyre, që studiojnë në universitetet tona, dëshirojnë të largohen, veçanërisht ata që studiojnë për fusha jetike, si shëndetësia, ku trendi është edhe më i lartë.

Kjo na paralajmëron edhe për rreziqet serioze të perspektivës së sistemit shëndetësor dhe të gjithë shoqërisë tonë në tërësi, që aktualisht po përballet me pasojat tepër të rënda dhe afatgjata të pandemisë COVID-19. Në këtë drejtim, është e qartë se Shqipëria në çdo aspekt, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka nivelin më të lartë të shpopullimit për shkak se rezulton vendi me më shumë probleme, që e nxitin këtë fenomen, si sa i takon situatës ekonomike,  rritjes së borxhit, rritjes së kostove, mungesës së rritjes reale të pagave e pensioneve, mungesës së vendeve të punës, projektet e dyshimta dhe abuzive të PPP-ve, që që të gjitha së bashku kanë ndikuar në rritjen e varfërisë dhe dobësimit të shtresës së mesme.

Nëse shohim të dhënat e Bankës Botërore, raportin e “Doing Bussines”, por edhe të tjerë tregues, situata në vendin tonë është përkeqësuar ndjeshëm vit pas viti, në raport me vendet e tjera të rajonit edhe sa i përket investimeve të huaja.

Arsyet dihen dhe mjafton të ndalemi vetëm në mungesën e mbështetjes së biznesit gjatë pandemisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe,  të paktën 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës.

Ndërkohë, kjo shifër sipas përfaqësuesve të biznesit është shumë më e lartë.

Mungesa e mbështetjes për këta qytetarë gjatë kësaj periudhe, është një kërcënim serioz për t’i shtuar edhe më tej ritmet e emigrimit.

Gjatë periudhës së krizës së fortë në Greqi është konstatuar edhe fenomeni i rikthimit të  emigrantëve, por shohim se situata edhe me riintegrimin e tyre është mjaft e vështirë, pasi gati 2/3 tyre ndihen të zhgënjyer dhe sipas Prof.Zef Preçit, 57% e të rikthyerve dëshirojnë të largohen përsëri nga vendi.

Të gjithë këto shqetësime që edhe Ju i ngritët,  padyshim janë të konfirmuara nga statistikat tepër kokëforta të vetë Bashkimit Europian përmes EUROSTAT apo European Asylym Support Office.

 

Të nderuar profesorë,

Largimi i të rinjve, në mungesë të shpresës dhe perspektivës, është një problem kombëtar, që unë si President, e kam ngritur që ditën e parë, që jam zgjedhur në këtë detyrë.

Ky është një problem, që, duhet të na bashkojë të gjithëve, duke e adresuar me përgjegjshmëri, me atdhetari dhe me profesionalizëm, në mënyrë që ta ndalojmë shpopullimin.

Rruga që duhet ndjekur është e qartë:

Duke rritur mundësitë për të rinjtë tanë, për të pasur një arsim cilësor dhe një vend të sigurt pune, që i përshtatet kërkesave të tyre’

Duke nisur nga raporti me pronat,  me zbatimin e ligjit,  me sistemin e konkurrencës në të gjitha drejtimet, që nga administrata,  e deri në fushën e prokurimeve dhe  kostove të investimeve.

Sot është fakt se efiçenca e investime publike dhe e përdorimit të parave publike është tepër e dyshimtë, e pakontrolluar,  larg llogaridhënies dhe efikasitetit për t’i shërbyer të mirës publike, për t’i shërbyer një infrastrukture më cilësore, por edhe më mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë,  të biznesit si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Natyrisht kjo është e lidhur me të gjitha standardet e qeverisjes,  që duhet të përmirësohen në mënyrë drastike, që të kemi një frymë tjetër përfshirje të rinjve dhe të  gjithë qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Kjo duhet të ndodhë jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në atë lokal.

Njëkohësisht duhet të kemi një vendosje nën kontroll të të gjithë institucioneve publike të vendit,  pra një mirëfunksionim të atij sistemi që sot nuk ekziston: llogaridhënien demokratike.

Unë edhe njëherë do t’ju falënderoja të gjithëve.

Unë i inkurajoj të gjihtë, veçanërisht mediat, që të gjithë së bashku të adresojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe me vendosmëri të plotë fenomenin e shpopullit, që në një të ardhme sa më të shpejtë, të kemi një ndërgjegjësim të plotë të gjithë aktorëve institucionalë dhe shoqërorë, në mënyrë të veçantë të familjeve shqiptare.

Sepse e dimë që, nga ky fenomen është tronditur rëndë familja, qeliza bazë e shoqërisë sonë, që po përjeton situata dramatike nga pikëpamja sociale dhe njerëzore, që nga vetmia, e deri te mungesa e kujdesit për më të moshuarit.

Është koha të bashkojmë të gjitha energjitë për të ndalur shpopullim dhe për t’i dhënë vendit drejtimin dhe perspektivën e merituar europiane, që të gjithë e dëshirojmë”.