Presidenti Meta: Të çelen sa më parë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. BE të liberalizojë vizat për Kosovën

180
Sigal

Intervista e Presidentit Meta për Televizionin Shtetëror të Malit të Zi RTCG

Presidenti Meta: Të çelen sa më parë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. BE të liberalizojë vizat për Kosovën

Gazetarja (Dijana Dukaj): Të nderuar shikues, ndodhemi në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, ku do të zhvillojmë një bisedë me Presidentin, zotin Ilir Meta. Zoti President, do të doja fillimisht që të di mendimin tuaj lidhur me situatën aktuale politike në vendet e rajonit duke filluar me atë Kosovë-Serbi, pastaj me Maqedoninë e Veriut-Bullgari, e në Bosnje-Hercegovinë. Si e vlerësoni ju situatën e përgjithshme aktuale në rajon?

Presidenti META: Duhet të bënim një progres më të shpejtë të procesit të integrimit europian. Urojmë që brenda këtyre gjashtë muajve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të çelen negociatat!

Po punojmë që të tejkalohet edhe pengesa e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresojmë shumë se do të kapërcehet kjo pengesë!

Njëkohësisht dëshirojmë dhe kërkojmë me forcë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi kjo është një padrejtësi dhe diskriminim!

Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe natyrisht urojmë që të gjithë të përparojnë në këtë proces! Ka disa çështje kyçe sikurse është dialogu Serbi-Kosovë, dhe dëshirojmë që sa më shpejt të ketë një përmbyllje të këtij dialogu, të suksesshme, me njohje reciproke nga të dyja vendet!

Po kështu apelojmë që Serbia t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar, të cilat nuk duhet të mbeten vetëm në letër!

Jemi të shqetësuar për zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, sepse çdo diskurs që ve në diskutim Marrëveshjen e Dejtonit sigurisht që na kujton kohë të frikshme, të cilat kurrsesi nuk mund të përsëriten në rajonin tonë dhe shpresojmë që sa më shpejt të ketë një reflektim, sidomos nga udhëheqësit e Republikës Srpska!

Shpresojmë një dialog të të gjithë aktorëve në Bosnje-Hercegovinë që të ruhet integriteti i këtij shteti, dhe njëkohësisht të bëhen ato reforma që edhe Bosnja-Hercegovina të përparojë në rrugën e integrimit europian.

Gazetarja:Cilat janë pritshmëritë tuaja në një perspektivë të afërt? Si e shikoni zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të cilat e rëndojnë realizimin e reformave në vendet e rajonit?

Presidenti META: Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriutnuk kanë asnjë çështje, përveç një pengese në marrëdhëniet bilaterale që ata po punojnë me qeverinë e re në Bullgari, dhe që unë shpresoj se do të kapërcehet deri në qershor!

Së dyti, dialogu Kosovë-Serbi do të varet shumë, mendoj unë, prej vullnetit të Serbisë për të treguar përkushtim të sinqertë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sepse nuk është çështja vetëm për të përfituar fonde nga Bashkimi Europian, por edhe për të demonstruar vlera europiane, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhënie me fqinjët.

Në këtë drejtim e dimë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 e ka hedhur poshtë pretendimin e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe i ka dhënë tashmë një zgjidhje ndërkombëtare kësaj çështjeje.

Sigurisht që aty ka edhe disa probleme, sepse është çështja e asociacionit të komunave, por për këtë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që duhet të respektohet nga të gjitha palët. Këto vendime të Gjykatës Kushtetuese duhen respektuar për çdo çështje, që prek marrëdhëniet midis serbëve në Kosovë dhe institucioneve atje apo pretendimeve të tyre, që mbështeten nga Serbia.

Nëse ka vullnet zgjidhjeje, padyshim që ka, dhe kurrsesi nuk mund të ketë zgjidhje europiane midis Kosovës dhe Serbisë duke menduar se si të ketë më pak serbë në Kosovë dhe se si të ketë më pak shqiptarë në Serbi.