Presidenti Meta: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian

490
Intervistë e Presidenti Meta për televizionin Fax News

– Zoti President Meta, largimi përfundimtar, në njëfarë mënyre, të zotit Tahiri nga politika. A e konsideroni një fitore personale?
– Kam “zero” koment për këtë pyetje dhe më vjen keq meqenëse ishte pyetja juaj e parë.

– A besoni se e ka tashmë drejtësia rrugën e hapur për gjykimin e plotë dhe të paanshëm të zotit Tahiri?
– Mendoj se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga askush në rrugën e saj për të ndjekur dhe zbardhur çdo çështje dhe çdo individ, kushdo qoftë. 

– A e meriton Shqipëria çeljen e negociatave me ato arritje që ka shënuar deri tani ashtu si evidentohen edhe në këtë dokument. 

– Unë mendoj se “Po”! Pasi çelja e negociatave nuk është anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë Komisioni Evropian.

– Po me çështjen ekonomike, si mendoni se do bëhet?
– Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e negociatave. Në radhë të parë kanë të bëjnë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i ngushtë nga e Komisionit Evropian, nga ana e Bashkimit Evropian dhe natyrisht edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ. 

– Kryeministri Edi Rama ka folur duke paralajmëruar se, nëse nuk do të ketë çelje të negociatave në qershor ose një shtyrje të dytë siç ndodhi në vitin 2016, atëherë Ballkani por edhe Shqipëria mund të bjerë pre e ndikimit rus. A besoni ju tek ky rrezik në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri?
– Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur rrugën e saj, që është rruga e integrimit evropian dhe e përcaktimit euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër dhe as një rrugë tjetër, nuk është se kemi disa alternativa edhe po lëmë një alternativë dhe po zgjedhim një tjetër. E vetmja rrugë e jona është kjo rrugë. 

– Zoti President, çfarë nënkuptoni me të gjithë aktorët që janë në garë për të bërë opozitë, përveç opozitës? Dhe kundër kujt bëhet kjo opozitë?
– Pse mendoj se të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë në këtë poçes dhe jo të garojnë se kush do të mbajë fajësinë në rast se negociatat nuk do të çelen në qershor. Dhe unë jam personalisht optimist, kuptohet me këmbë në tokë, që kjo është tërësisht e mundshme dhe nuk duhet të shpikim as armiq të brendshëm, as armiq të jashtëm, por duhet të tregojmë se jemi një vend, i cili ka institucione, i cili i respekton këto institucione, edhe ku aktorët marrin përgjegjësi. Përgjegjësi në qeveri, përgjegjësi në opozitë, përgjegjësi në krye të institucioneve të pavarura. 

– A besoni se ekziston në Shqipëri rreziku i fundamentalizmit islamik, dhe akoma edhe më tej, ajo që ka deklaruar Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Gjermani, se ky fondamentalizëm islamik mund të nxitet përmes ndikimit rus?
– Nuk e shoh një rrezik të tillë si rrezik me bazë në vend, pavarësisht se këtë harmoni ndërfetare dhe këtë orientim të qartë evropian të të gjithë aktorëve në vend nuk duhet ta marrim si të dhënë njëherë e përgjithmonë, por duhet ta kultivojmë dhe ta forcojmë çdo ditë.

– Zoti President, revista amerikane “Mother Jones” botoi një artikull ku fliste për një lobim të kryer nga LSI-ja në kohën kur ju e drejtonit atë, dhe ku pretendohet se është bërë nëpërmjet kompanive “off shore” me lidhje ruse për të ndikuar, për të rritur le të themi, praninë e LSI-së apo tuajën personale në SHBA, në DASH. Si qëndron e vërteta e saj? 
– Mund të them që kemi të bëjmë me një zero të vërtetë, për sa u takon të gjitha aludimeve dhe insinuatave për atë periudhë.

– Si e keni siguruar ftesën për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Presidenti Tramp?
– Unë kam qenë vazhdimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe jam takuar vazhdimisht me nivele nga më të lartat. Kam marrë edhe vlerësime nga më të lartat, të cilat janë edhe publike, edhe zyrtare, si nga kryetari i Komisionit të Ligjeve që është nga figurat më kryesore të Kongresit, zoti Pit Seshion, si nga kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare zoti Mekoll në Kongresin e shumë personalitete të tjera, kështu që gjithçka është absurde dhe mendoj se përgjigjet e zotit Sulçe kanë qenë tepër shteruese.

– President, a keni një koment për raportin e “Freedom House”, në të cilin kritikohet zgjedhja juaj si Kreu i Shtetit ku thuaj tekstualisht se “opinioni publik e perceptonte figurën tuaj si të korruptuar”?
– Nuk mendoj se ia vlen të humbasim kohë me një përmendje tërësisht të pavend, jashtë kontekstit edhe të objektivit të këtij raporti, pra për një keqpërdorim të vetë emrit të “Freedom House” për arsye, se sikurse ju vetë si gazetarë profesionist e dini, menjëherë është bërë e qartë se kush është personi që ka përgatitur këtë raport në mirëbesim nga ky institucion. Gjithashtu janë të qarta për këdo që ka bërë një kërkim, dhe gazetat dhe portali të cilit i referohet, të cilat janë skajshmërisht do të thosha ekstreme dhe të njëanshme, kështu që asgjë më shumë sesa keqardhje. 
Sigal