Presidenti Meta: Reforma në drejtësi kërkon dialog të sinqertë dhe të përgjegjshëm

441
Sigal

Sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi, Meta është shprehur se ‘Ajo që dua të theksoj është, një angazhim i përbashkët i Parlamentit, si institucioni kryesor, që e ka miratuar këtë reformë, si përsa i takon ndryshimeve kushtetuese, që janë kryesoret dhe përsa i takon legjislacionit mbështetës dhe partnerëve kryesorë ndërkombëtarë që kanë dalë si garant të ecurisë dhe të suksesit të kësaj reforme. Kjo kërkon një dialog tepër të sinqertë dhe të përgjegjshëm që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt dhe këto institucione të reja të krijohen sa më shpejt në mënyrë kushtetuese dhe të pakontestueshme’.

Gazetari: Nga optika e Kryetarit të Shtetit, ku është bllokuar ecja përpara e reformës në drejtësi?

Presidenti Meta: Nuk jam këtu për të bërë një skaner të përgjegjësive.

Gazetari: Çfarë duhet të lëvizë, çfarë duhet të ndryshojë?

Presidenti Meta: Ajo që dua të theksoj është, një angazhim i përbashkët i Parlamentit, si institucioni kryesor, që e ka miratuar këtë reformë, si përsa i takon ndryshimeve kushtetuese, që janë kryesoret dhe përsa i takon legjislacionit mbështetës dhe partnerëve kryesorë ndërkombëtarë që kanë dalë si garant të ecurisë dhe të suksesit të kësaj reforme. Kjo kërkon një dialog tepër të sinqertë dhe të përgjegjshëm që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt dhe këto institucione të reja të krijohen sa më shpejt në mënyrë kushtetuese dhe të pakontestueshme.

Gazetari: Ju thatë që kjo reformë në drejtësi ka pasur dhe garantë, që të paktën të gjithë e dimë që kanë qenë dy ambasadorët: të BE-së dhe SHBA-së.

Presidenti Meta: Përsa i takon mosbesimit të brendshëm, dihet që ky mosbesim ka qenë i thellë, dhe i tillë do të ishte në kuptimin e dyshimit të njërës palë se pala tjetër kërkon të kapë sistemin.

Gazetari: Ju keni parë, keni konstatuar tendenca për të kapur politikisht drejtësinë, struktura të drejtësisë. Për hir të së vërtetës, që nga viti ’91 megjithëse në pluralizëm, organet drejtuese të drejtësisë kanë qenë edhe në një lloj varësie politike.

Presidenti Meta: Çdo polarizim, edhe i reformës në drejtësi, është vetëm një dëm i madh që i bëhet rikthimit të besimit të shqiptarëve tek drejtësia dhe tek institucionet e pavarura të saj.

Kjo është një reformë që mund të jetë e suksesshme  duke u zbatuar vetëm në frymën e ndryshimeve kushtetuese, që kishin bazën e tyre opinionin e Venecias, një institucion i gjithëpranuar nga të gjithë forcat politike shqiptare në këto gati tre dekada.

Theksoj se është një moment tepër i rëndësishëm që reforma të bazohet në dy elementë: kushtetueshmëri dhe transparencë, përsa i takon zbatimit të saj dhe çdo hapi të saj, që të mos ketë hapësira as për mjegull, as për dyshime dhe as për kontestime.

Gazetari: Ju pak më parë thatë se një nga shqetësimet kryesore tuajat është vakanca ose mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht çfarë duhet bërë për të dalë nga ky impas, që të kemi më në fund një Gjykatë Kushtetuese?

Presidenti Meta: Nuk është vetëm shqetësimi im. Duhet të kemi një Komision të Emërimeve në Drejtësi funksional, ndërkohë që ai që kishim mund të kishte funksionuar prej kohësh dhe natyrisht që për të dalë nga një situatë, që shpeshherë duket edhe si ekstra-ligjore, mendoj që një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapat të shpejtë në krijimin e institucioneve dhe në krijimin e tyre.

Me pak fjalë në vlerësimin tim të deritanishëm, përderisa jam marrë për kaq kohë edhe me KED-në, edhe kur isha Kryetar i Kuvendit, edhe në pozitën e Presidentit të Republikës kur m’u kërkua që të ecja drejt shpalljes së garës për në KED – pasi dihet që iniciativën e parë e ka Presidenti pastaj e ka Parlamenti – kam qenë gjithnjë i hapur për të evituar këto kontestime dhe këto probleme që vijnë nga një detajim shumë i imët i Kushtetutës, që më pas e ka bërë të vështirë për tërë sigurinë mbi bazën kushtetuese e ligjore që do të krijoheshin këto institucione dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve.

Pra, për një sqarim në mënyrë që të rishikonim gjithçka që nga praktika rezulton e vështirë apo e pamundur në mënyrë që ne të krijonim një mjedis të pakontestueshëm nga ana ligjore dhe kushtuese për krijimin e këtyre institucioneve.

Gazetari: A keni një koment për vetting-un në tërësi, si po shkon si proces?

Presidenti Meta: Vetting-u është një proces shumë i rëndësishëm, por nuk mund të themi që reforma në drejtësi është e barabartë me vetting.

Vetting-u është një element i rëndësishëm i reformës dhe është shumë e rëndësishme që ai gjithashtu të ecë shpejt, por gjithmonë me cilësi dhe besueshmëri larg çdo hapësire për standarde jo të njëjta apo të dyfishta në raport me individë të caktuar, por padyshim që është vetëm një element i reformës në drejtësi…

Gazetari: Element tjetër kush mund të jetë?

Presidenti Meta: Elementë të tjerë janë krijimi i gjithë këtyre institucioneve që nuk janë krijuar dhe në këtë drejtim besoj se jemi shumë mbrapa por njëkohësisht edhe në kohën e duhur, për t’i dhënë një standard tjetër kësaj reforme dhe për të mos lejuar cenimin e besueshmërisë së saj në të ardhmen.

Gazetari: Vetting është termi që po bëhet kryefjala e ligjërimit politik që prej gati 2-3 vjetësh, madje po shtrihet deri në strukturat e Policisë. Por a mendoni se po ekzagjerohet duke futur të gjithë Policinë e Shtetit në vetting, ndërkohë që vetë Ministri i Brendshëm është subjekt ligjit anti-mafia?

Presidenti Meta: Unë mendoj se duke u hapur në shumë fronte ndoshta mund të biem pak në populizëm dhe mund të krijojmë presione të tepërta ndaj punonjësve të shtetit, të cilët duhet të jenë të angazhuar t’u kërkohet llogari për të përmbushur funksionet dhe detyrat e tyre.

Ne e nisëm vetting-un në drejtësi.Mendoj që ky proces do të realizohet ashtu siç u konceptua dhe u dëshirua, si një proces i pastër, me standarde, i besueshëm dhe i suksesshëm. Jo vetëm kaq, por edhe institucionet e reja që do të krijohen do të rikthejnë besimin që do të jenë ndryshe nga ato në të shkuarën.

Çdo vetting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese.

Gazetari: Ndërkohë opozita, ose më saktë Partia Demokratike, ka kërkuar që edhe deputetët, edhe kryetarët e bashkive edhe ministrat të përfshihen në vetting. Një nismë që ka gjetur rezistencë nga shumica qeverisëse, që thotë që për këtë të kemi arbitër Komisionin e Venecias. Ju si besoni, a duhet të ketë vetting për klasën politike?

Presidenti Meta: Një përgjigje të përafërt sapo e dhashë, pra, në rastin e vetting-ut në Polici. Çdo lloj vetting-u kudo duhet të ishte i mirë, por jo vetting në çdo gjë dhe të humbasim vëmendjen nga përqendrimi. Kjo nuk do të ndihmonte asnjë proces tjetër për të qenë vërtetë i besueshëm, por do të krijojë një kakofoni pafund të fjalës vetting dhe mund të sillte edhe një inflacion dhe një rënie të besimit në tërësi te procesi i vetting-ut.