Presidenti Meta reagon pas “ndëshkimit” për kryerjen e aktivitetit: Kjo është një gjobë politike

154
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për gjobën që ka marrë Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton” për aktivitetin e zhvilluar dje në Durrës, ku ishte i pranishëm dhe Kreu i Shtetit. Presidenti me anë të një reagimi në rrjetet sociale shprehet se kjo është një gjobë politike.

“E gjithë ceremonia është organizuar duke respektuar masat e nevojshme, ku të gjithë të ftuarit, sipas ligjit, kanë qenë të pajisur me maska dhe kanë ruajtur distancat fizike. Të ndëshkosh me gjobë 5 milionë lekë inxhinierin e shquar në pension z.Abdulla Deliallisi është njësoj si të kesh ndëshkuar të gjithë ata, që mbrojnë kauzën e drejtë të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike e kombëtare, si dhe traditat më të mira të qytetarisë durrsake”,- deklaron Kreu i Shtetit në reagimin e tij.

 

Reagimi i tij i plotë:

Me një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike, 5 milion lekë, Qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin e shquar në pension, z.Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton”, për gjoja shkeljen e masave antiCOVID, në ceremoninë e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, Profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes).
Lidhur me këtë gjobë të pastër politike, e prita sot në takim z.Deliallisi për t’u njohur prej tij me rrethanat e këtij veprimi skandaloz dhe të papranueshëm të Qeverisë.
Më informoi se ky aktivitet simbolik, me pjesëmarrje tepër të kufizuar, i zhvilluar edhe me rastin e 30-vjetorit të Shoqatës “Durrësi Autokton” dhe që kulmoi me ceremonialin zyrtar shtetëror të dekorimit nga Presidenti i Republikës të Profesor Vangjel Toçit, është kryer me dakordësinë e Bashkisë Durrës, që kishte vendosur në dispozicion Pallatin e Kulturës për zhvillimin e këtij aktiviteti.
E gjithë ceremonia është organizuar duke respektuar masat e nevojshme, ku të gjithë të ftuarit, sipas ligjit, kanë qenë të pajisur me maska dhe kanë ruajtur distancat fizike.
Të ndëshkosh me gjobë 5 milionë lekë inxhinierin e shquar në pension z.Abdulla Deliallisi është njësoj si të kesh ndëshkuar të gjithë ata, që mbrojnë kauzën e drejtë të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike e kombëtare, si dhe traditat më të mira të qytetarisë durrsake.
E garantova inxhinierin e shquar në pension, z.Deliallisi, se Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë në mbështetje të plotë të tij dhe të shoqatës “Durrësi Autokton”, në të gjitha procedurat ligjore për kundërshtimin e kësaj mase dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre, që funksionin shtetëror e përdorin për qëllime të ulta politike, shantazh dhe presion ndaj qytetarisë durrsake.