Prof. Dr. Paskal Milo:Nëpërmjet Memos, SHBA-të i dhanë Berishës një paralajmërim që të mos luajë me zjarrin

434
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Paskal Milo: “Para 3 javësh koalicioni opozitar përbëhej nga 26 parti, por numri po shtohet çdo ditë. Ja ç’mendoj për Polin e Tretë”

Paskal Milo, Kryetari i Demokracisë Sociale, në intervistën ekskluzive, për “Telegraf”, duke analizuar aktualitetin politik, paralajmëron se, Shqipëria, me Berishën si Kryeministër, ndodhet në gjendje analoge, si në 1996-n. Ndërsa, zbardhja dhe publikimi i Memos amerikane, për Paskal Milon, do të thotë që SHBA-të i kanë dhënë një paralajmërim Berishës që të mos luajë me zjarrin e nacionalizmit ekstrem.

 – Zoti Milo, PS-ja ka ankimuar vendimin e Kuvendit, për mandatet në Gjykatën Kushtetuese, kur 1/3 e  gjyqtarëve të kësaj Gjykate është me mandat të mbaruar. Shpresoni se vendimi i ardhshëm do të jetë kushtetues?

Tani, ne jemi mësuar me anomalitë e institucioneve të drejtësisë dhe të institucioneve kushtetuese. Për fat të keq, këto anomali janë bërë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri dhe këtu, nuk bën përjashtim edhe Gjykata Kushtetuese. Si institucion nuk funksion, sepse tashmë nuk ka një bazë ligjore, si edhe janë shkelur afatet e zgjedhjes së disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo anomali patjetër reflektohet në të gjitha vendimmarrjet e kësaj Gjykate dhe është për të ardhur keq, që ky institucion i rëndësishëm kushtetues, nuk po gjen një stabilitet që të plotësojë detyrat shumë të rëndësishme, mbështetur në Kushtetutën e vendit. Përsa i përket ankimimit të opozitës për ndarjen e mandateve, besoj se Gjykata Kushtetuese e ka në tagrin e vet që të bëjë një interpretim të saktë të logjik dhe të mos lejojë, ashtu siç nuk ka lejuar në shumë raste, që jo vetëm të mos keqinterpretohet ligji, por as të bëhet precedent për mjaft çështje të tjera. U bëj thirrje anëtarëve të kësaj Gjykate, që të dëshmojnë integritet të plotë në vendimmarrje, që të dëshmojë që është roje e ligjshmërisë dhe e kushtetutshmërisë  në Shqipëri.

– Nga ana tjetër ka edhe mendime të shprehura nga personalitete të së majtës (sikurse zoti Gjinushi), se me ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, PS-ja, në njëfarë mënyre, legjitimiton vendimin e Kuvendit për mandatet. Cili është qëndrimi juaj?

– Po çfarë mund të bëjë tjetër PS-ja dhe opozita? Nga njëra anë, i kërkohet që t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë, që të veprojë brenda institucioneve dhe PS-ja e bën këtë. Nga ana tjetër, dikush mund ta nxitë që të mos respektojë institucionet. PS-ja dhe opozita janë shumë të përgjegjshme për të ndërtuar një shtet ligjor, pavarësisht, nga mungesat e madha  që ka shteti shqiptar sot. Ne e dimë ku çalojnë institucionet e drejtësisë. Pavarësia e tyre është vënë në pikëpyetje, në mënyrë të vazhdueshme nga Sali Berisha, sepse në vijimësi, në këto 22 vjet, Berisha nuk ka respektuar institucionet e drejtësisë. Ai ka dashur që gjithmonë t’i ketë ato nën këmbët e tij. Ai gjithmonë i ka konfiguruar këto institucione, sipas shijeve të tij. Këtë e dinë faktorët ndërkombëtarë. Sot është beteja e madhe për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e shtetit demokratik shqiptar. Sot është një betejë e madhe midis Shqipërisë demokratike europiane dhe degjenerimit total të shtetit, qeverisjes në një autokraci orientale, të tipit sirian.

A ka kontradiktë nga qëndrimi i ndërkombëtarëve, të cilët, ndërsa bëjnë apel për zgjedhje të lira e të ndershme, heshtin për shkeljen e Kodit Zgjedhor nga Kuvendi në ndarjen e mandateve?

– Unë nuk u takoj atyre politikanëve, që për gjithçka që ndodh në Shqipëri, ose fajësojnë përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të huaja, ose kërkojnë, të na zgjidhin hallet e problemet tona. OSBE-ja që monitoron, jo vetëm zgjedhjet, por edhe standardet demokratike, edhe përgatitjet për zgjedhje, duhet që të ngrejë zërin, duhet që të flasë hapur. Në rast se ata fshihen, nuk deklarojnë qartë, por përdorin gjuhën e Zotit. Në Shqipëri kjo nuk funksionon, prandaj ambasadori i OSBE-së, qoftë edhe organizma të tjera në Shqipëri, duhet ta thonë fjalën e tyre, përndryshe, do të jetë vonë dhe çdo vonesë i jep Berishës shansin, hapësirën e kohën e nevojshme të ecë në rrugën e manipulimit të radhës edhe në 23 Qershor.

– Derisa mirëbesimi i zgjedhjeve është minuar që në ndarjen e mandateve, OSBE-ja e të tjerë, çfarë presin që  zgjedhjet të bëhen sipas standardeve?

Ne nuk duhet të ushqejmë iluzione që do të  jenë ndërkombëtarët që do të zgjidhin problemet tona dhe që do të mbrojnë votën tonë. Fatet e Shqipërisë  i përcaktojnë vetë shqiptarët, prandaj ne duhet t’u drejtohemi shqiptarëve, duhet t’ua bëjmë të qartë, ku qëndron puna që përgatitet me manipulimin. Në radhë të parë ne duhet të shpalosim alternativën tonë si opozitë për t’i bindur shqiptarët që në mënyrë referendare të votojnë për ne.

Në publik kultivohet – paraprakisht- që koalicionet do të jenë ato që do të përcaktojnë shumatoren qeverisëse. Cila është qasja juaj politike?

Është vetë Kodi Zgjedhor që kemi, që e dikton një sjellje të tillë, por edhe rezultatin, ku PDS-ja ka qenë kundër. Jemi të detyruar të veprojmë brenda këtij Kodi, për fat të keq, por që nuk është pa rrugëdalje, në qoftë se koalicioni që punojmë realisht, do funksionojë si i tillë, do ketë një homogjenizim frontal të forcave politike në objektiva zgjedhore dhe postzgjedhore, një bashkëpunim, jo  sa për sy e faqe, por bashkëpunim substancial për të folur e ecur me një zë e me një hap, si edhe për të mbrojtur votën tonë bashkërisht. Në qoftë se bëjmë që të flasim fuqishëm me një zë dhe t’u shpjegojmë shqiptarëve domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të ndodhë, atëherë unë besoj se, shqiptarët do t’u përgjigjen mesazheve tona, do të reflektojnë.

– Juve, sapo iu referuat nevojës së organizimit të aleancës opozitare me termat “ …do të…”, që ndryshe, do të thotë që kjo aleancë ende nuk është kristalizuar. Është e mjaftueshme koha deri në 23 Qershor?

– Koalicioni opozitar e ka dëshmuar që ekziston. Mbledhja e 26 partive para 3 javësh ishte një mesazh që është koalicioni më i madh në formim e në përgatitje për zgjedhje. Ne punojmë jo vetëm për të shtuar numrat e partive politike, por për të sqaruar sa më mirë elektoratin shqiptar për domosdoshmërinë e ndryshimit për superioritetin e alternativës opozitare në raport me alternativën e dështuar qeverisëse. Beteja dhe fitorja do të varen shumë jo aq nga numri i partive, por nga aftësia jonë për të krijuar bindje që një qeverisje tjetër e lindur nga alternativa jonë, do të zgjidhë problemet e panumërta që janë akumuluar për shkak të keqqeverisjes.

Berisha i ka motivuar aleatët e tij, duke u premtuar kryetarëve t’i fusë listat e PD-së. Ndërkohë, kur Kryetari i PS-së, ende nuk premton këtë, por ka thënë që marrëveshja do të ndërtohet në bazë të kontributit të gjithsecilit. Ç’duhet të kuptojmë me kontribute?

Unë nuk kam dëgjuar Berishën për koalicion deri tani. PDS-ja  vendin në koalicionin opozitar e shikon në radhë të parë në forcën që ajo përfaqëson, në organizimin e saj. Ne punojmë në front të gjerë që ta përgatitim partinë tonë në zgjedhje. Kjo është zgjidhja më e mirë për fitoren që vjen. Ne, patjetër që do të negociojmë me PS-në, do të nënshkruajmë edhe një marrëveshje, e në bazë të kësaj, do të shikojmë edhe termat e bashkëpunimit postzgjedhor. Kriteret nuk janë përcaktuar, se është një proces, i cili sapo ka filluar. Është shpejt për të konsumuar në opinion se çfarë do të ndodhë. Negociatat kanë filluar, por përfundimi i tyre ende nuk dihet.

Integrimi a është në axhendën elektorale të politikës?

Patjetër që integrimi zë vend kryesore në axhendën politike, por edhe në aksionin politik, sepse Shqipëria të ardhmen e ka në BE. Është një proces që kërkon standarde, kërkon plotësimin e tyre jo në letër, por në praktikën e përditshme, për ta përgatitur Shqipërinë që ta meritojë edhe anëtarësimin e plotë në BE. Europa është lodhur me demagogjinë e politikës shqiptare, është lodhur me politikat mashtruese për t’u hedhur hi syve, me pseudoreformat.

– Përgjegjësia e mungesës së vullnetit të bashkëpunimit, është e njëanshme?

– Politika shqiptare ka dëshmuar që në tërësinë e vet ka defiçite të mëdha të kulturës demokratike. Në bilancin total të këtyre 22 vjetëve, një nga shkaktarët të deformimit të demokracisë në Shqipëri ka qenë dhe mbetet Sali Berisha, sepse ka qenë ky individ që i ka shkaktuar trauma të rënda, që ende akoma nuk janë shëruar.

– Zbardhja dhe publikimi i Memos amerikane, ç’domethënie ka për politikën shqiptare?

– Janë detyruar SHBA-të  të bëjnë një Memo të tillë, kaq të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, sepse Kryeministri Berisha e mbushi kupën me deklarata absurde, agresive, nacionaliste, saqë shkaktoi shqetësime në rajon dhe më gjerë. Për herë të parë, pas kaq shumë vitesh, SHBA-të manifestojnë hapur atë çfarë ato e kanë ditur që në 1996, se Berisha në momente kur ndodhet në krizë dhe kur e ndjen se e humbet pushtetin, është gati që të hedhë, jo vetëm Shqipërinë në humnerë, por edhe tërë rajonin. SHBA-të i dhënë Berishës një paralajmërim që të mos luajë me zjarrin.

Poli i tretë do të zbusë konfliktualitetin e politikës?

Mbetet për t’u provuar se çfarë do të përfaqësojë poli i tretë në zgjedhjet që do të vijë. Unë besoj se Shqipëria ka nevojë për faktorë ekuilibri, sepse bipolariteti në Shqipëri ka provuar që prodhon kriza, konflikte dhe ata që i paguajnë janë Shqipëria dhe shqiptarët. Bipolaritetin e theksoi, akoma më keq, ky Kod Zgjedhor që kemi. Nëse do të dëshirojmë të kontribuojmë në ekuilibrin e politikës shqiptare, duhet të largohemi sa më parë këtij kodi.

– Në qoftë se fiton opozita, pas zgjedhjeve, do të lindë domosdoshmëria e ndryshimit të këtij Kodi Zgjedhor?

– Patjetër që do të hapen perspektiva për të bërë një Kod Zgjedhor, ku të zhduken padrejtësitë e ligjëruara, diskriminimi i votës së shqiptarëve dhe t’i jepet Shqipërisë një Kod në përputhje, ku të reflektohet një frymëmarrje demokratike europiane. Shpresoj se do të ndodhë!

– Ka motive politike rikthimi i LSI-së në koalicionin opozitare?

Nuk dua të luaj me sofizma dhe dua të besoj se opozita, t’i ketë bërë llogaritë e fitores pa ndihmën e të tjerëve. Dyert e opozitës janë të hapura. Ato do të mbeten të tilla, deri në një moment që kanë sens. Nëse dikush kërkon të luaj sa majtas e djathtas, për të gjetur karrige të dhuruara, unë them që opozita duhet të ketë kujdes dhe moral.

– A është i domosdoshëm, një reformim i së majtës shqiptare?

– Besoj se kjo do të ndodhë, kur të ndodh ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që mund të shoqërohet edhe me një riformatim të së majtës shqiptare.

Ju do të jeni në listat zgjedhore të PS-së?

Unë, edhe pa qenë në Kuvend, kam dhënë kontributin tim në politikën në këto 4 vjet. Nuk më pengon ky fakt për të vazhduar për të kontribuar, por, ju siguroj PDS-ja do jetë një lojtar i fortë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Këtë e mbështet në strukturat e plota e shumë funksionale që kemi në gjithë Shqipërinë.

– Ju faleminderit!

Mungesa e kulturës demokratike të bashkëpunimit politik

 Derisa deri tani bashkëpunimi për procesin e integrimit ka munguar, çfarë na bën optimist, se pas 23 Qershorit,  do të ndryshojë kultura e bashkëpunimit?

Ne po shkojmë  në zgjedhje për të larguar një qeveri që ka qenë përgjegjëse për dështimet. Bilanci i të ashtuquajturit koalicion i integrimit, është shkatërrues, sepse Shqipëria ka mbetur në vendnumëro. Prandaj duhet një qeverisje tjetër, e aftë për të zbatuar reformat, për të krijuar një klimë tjetër politike dhe një  marrëdhënie besueshmërie dhe partneriteti me BE-në. Kjo qeverisja ka tronditur në një masë jashtëzakonisht të rrezikshme edhe marrëdhëniet me SHBA-të. I ka kthyer prapa 16 vjet, kur në 1996 i rrezikoi ato me manipulimet e zgjedhjeve ta asaj kohe, prandaj jemi në një situatë analoge, ku Shqipëria mund të paguajë një çmim të rëndë, për shkak të aventurizimit të të qëndruarit me çdo kusht e çdo mjet në pushtet. Ndaj ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar Berishën që të mos përsëritë skenarë shumë të njohur të manipulimit të zgjedhjeve. Prandaj, nga ndërkombëtarët përsëritet me të madhe apeli që kërkohen zgjedhje të lira e të ndershme, si kushti themelor i integrimit të Shqipërisë në BE dhe përmirësimit të imazhit të politikës shqiptare.