Presidenti Meta pret në takim një përfaqësi të banorëve të Bashkisë Selenicë

54

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim, me kërkesë të tyre, një përfaqësi të banorëve të Bashkisë Selenicë, të cilët i shprehën shqetësimin për anulimin e ndërtimit të segmentit “Ura e Peshkëpisë – Selenicë – Superstrada Levan – Tepelenë”, duke kërkuar realizimin e shpejtë të projektit.

Banorët e Bashkisë Selenicë e informuan Presidentin Meta se u kanë dërguar një peticion institucioneve më të larta të shtetit, për të ndërhyrë për zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje.

Përfundimi i këtij segmenti, pjesë e Rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës, është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme, me një impakt të madh për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të zonës, por edhe të Shqipërisë.

Presidenti Meta, pasi u njoh me shqetësimin e tyre, vlerësoi kontributin ndër vite të dhënë nga Bashkia Selenicë për zhvillimin ekonomik të zonës dhe të mbarë vendit, si dhe shprehu mbështetjen e Tij të plotë për kërkesën e drejtë të këtij komuniteti.

Gjithashtu, Kryetari i Shtetit shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të vënë menjëherë në lëvizje të gjitha institucionet shtetërore, për të mundësuar zbatimin dhe përfundimin sa më parë të ndërtimit të segmentit “Ura e Peshkëpisë – Selenicë – Superstrada Levan – Tepelenë”.