Presidenti Meta përshëndet promovimin e librit “Vlerë e jetuar” : Intelektualët dhe rinia të bashkojnë energjitë

198
Sigal

10 shkurt 2021

Durrës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta përshëndeti sot promovimin e librit “Vlerë e jetuar” të autorit durrsak Bashkim Kadiu.

Duke folur për përshtypjet mbi librin, që vjen në vazhdën e botimeve “Vlerat e qytetit tim” të autorit Kadiu. Në fjalën e tij Kreu i Shtetit theksoi:

“Është kënaqësi  e veçantë të marr pjesë sot në promovimin e librit ‘Vlerë e Jetuar’ nga publicisti dhe personaliteti i njohur durrsak, Bashkim Kadiu, libër që vjen në vazhdën e botimeve: ‘Vlerat e qytetit tim’.

Durrësi është një qytet me vlera të rralla historike, kulturore  dhe arkeologjike, por mbi të gjitha mbart vlera njerëzore, modele të shkëlqyera patriotizmi dhe qytetarie, kulture, intelektuale, sportive dhe artistike, të mishëruara ndër vite në personalitete shumë  të spikatura, që kanë bërë krenar jo vetëm Durrësin, por edhe mbarë vendin dhe kombin tonë.

Jan Kukuzelin, Andrea Aleksin, Aleksandër Moisiun, por edhe figurat emblematike te rezistencës antifashiste si, Mujo Ulqinakun, Vasil Laçin, Naku Spiru e shumë patriotët të tjetë. Të cilët  kontribuan për lirinë dhe  pavarësinë e Shqipërisë, e deri tek personalitetet e kohëve tona, si historiani, shkrimtari dhe poligloti i ndarë së fundmi nga jeta Moikom Zeqo.

Janë kaq shumë personalitete të Durrësit të cilat janë pasqyruar në serinë e botimeve ‘Vlerat e Qytetit Tim’, nga autori Bashkim Kadiu, dhe me librin ‘Vlerë e Jetuar’, është plotësuar thesari i vërtetë i vlerave të qytetit të tij të lindjes, Durrësit.

Është për t’u vlerësuar puna e palodhur intelektuale e Bashkim Kadiut i cili prej dekadash vazhdon të shkruajë me dashuri, pasion dhe vërtetësi në librat e tij.

Ky libër është një kontribut i vyer, jo vetëm në letrat shqipe, por shërben edhe si homazh ndaj të gjithë atyre, që me emrin, punën dhe kontributin e tyre kanë nderuar Durrësin, vendin dhe kombin tonë, dhe kanë shërbyer për  shoqërinë tonë, si modele të shkëlqyera për të edukuar  brezat e rinj.

Bashkim Kadiu është personaliteti që jeton mes realitetit dhe historisë, një vlerë e shquar për këtë qytet.

I burgosur për fat të keq,  i persekutuar, i internuar dhe i trajtuar rëndë nga regjimi i kaluar, Bashkim Kadiu nuk u dorëzua kurrë, por e luftoi diktaturën me penë dhe me shpirtin e tij liridashës.

Një nga misionet e diktaturave është të dëmtojë ndërgjegjen dhe vetëdijen kombëtare, të përgjumë shpirtin patriotik dhe të denigrojë heronjtë dhe familjet e mëdha të kombit, ndaj edhe Bashkim Kadiu, pas viteve 90-të, ishte i pari organizator i shoqatës patriotike ndërkombëtare dhe nuk ndaloi kurrë së shkruari dhe promovuari figurat e njohura të Durrësit.

I nderuar z. Kadiu, dua t’ju uroj jetë të gjatë dhe t’ju inkurajoj të vazhdoni në misionin tuaj fisnik për të shpalosur sa më shumë vlerat dhe thesarin njerëzor të Durrësit, për të frymëzuar intelektualët dhe brezin e ri në mënyrë të veçantë, që  të japin kontributin e tyre maksimal për të mirën e qytetit të tyre dhe Atdheut.

Një mesazh, që sot vlen më shumë se kurrë, pasi Durrësi dhe mbarë Shqipëria po vuajnë rëndë nga shpopullimi.

Në mënyrë të veçantë sot ndjehet ky shpopullim, edhe te shtresat më të mirë arsimuara dhe më të mirë edukuara të shoqërisë sonë, dhe sidomos tek te rinjtë.

Shembujt e personaliteteve që ju keni shpalosur në librat tuaj janë një shembull real, sepse, me kapacitete të tilla, Durrësi dhe Shqipëria kanë shpresë për një të ardhme shumë më të mirë.

Në këto 30 vite të demokracisë që Durrësi ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme, gjithashtu ky qytet është dëmtuar kaq rëndë.

Mjafton një vështrim të hedhim që këtu dhe nuk do ta besojmë që ai është Durrësi.

I cili mbart ato vlera të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe arkeologjike.

Sepse për fat të keq, injoranca, babëzia, dhe arroganca i ka goditur seriozisht këto vlera.

Ndaj është koha për të mësuar nga gabimet e deritanishme, por është koha që  të vlerësojmë këto familje, të cilat i kanë dhënë kaq shumë personalitete Durrësit dhe kombit tonë në të kaluarën.

Përsëri nën shembullin e paraardhësve të promovojnë fëmijët e tyre, të rinjtë e tyre dhe të gjithë Durrësit, për ti qëndruar fort vlerave më të mira të këtij qyteti, të familjes durrsake, të shoqërisë dhe kombit tonë.

Në mënyrë që e ardhmja të jetë e ndritur dhe jo e zymtë.

Në mënyrë që familjet tona të jenë plotë më fëmijë, me nipër e me mbesa, dhe jo me të moshuar të vetmuar”- u shpreh Presidenti Meta.