Presidenti Meta në Kavajë për sesionin e parë vjetor të dhurimit të gjakut

616
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Kavajën në kuadër të nismës së ndërmarrë së bashku me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.

Duke shprehur kënaqësinë lidhur me seancën e parë të dhurimit të gjakut për vitin 2019, Presidenti Meta falënderoi veçanërisht qytetarët e Kavajës dhe Kryetarin e Bashkisë, zotin Isa Sakja, të cilët iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Aleancës për dhurim gjaku, pasi ky akt solidariteti sipas Kreut të Shtetit tregon një zemër e ndjenjë qytetarie të lartë.

“Është kënaqësi e veçantë që këtë proces të dhurimit të gjakut për këtë vit ta nisim nga Kavaja. Dua të falënderoj kryetarin e Bashkisë që iu përgjigj me shumë gatishmëri thirrjes sonë dhe po kështu të gjithë qytetarët që sot ndodhen këtu në një proces shembullor të dhurimit të gjakut.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta vuri në dukje se kjo seancë ka rëndësi akoma më të madhe dhe bëhet më kuptimplotë sepse janari dhe shkurti janë muaj të vështirë, prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim sensibilizimin tonë e të organizojmë sa më shumë seanca, që të mos ketë mungesë gjaku për të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme, por edhe për shkak të domosdoshmërisë për t’iu përgjigjur këtij detyrimi mjaft njerëzor.

“Besoj se Kavaja do ta ketë këmbën e mbarë dhe ne shumë shpejt do të organizojmë disa seanca të tjera në shumë qytete të vendit në mënyrë që të mos kemi një krizë apo mungesë të gjakut për të gjithë qytetarët që kanë nevojë”, – theksoi Presidenti Meta.