Presidenti Meta kujton Havzi Nelën, të vrarë nga regjimi komunist

536
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kujtuar varjen e poetit disident Havzi Nela nga regjimi komunist në Shqipëri.

 

Meta shkruan se sot populli shqiptar nderon me respekt kujtimin e martirit të lirisë, poetin disident Havzi Nela, i cili 31 vite më parë, në 10 gusht 1988, u ekzekutua në stilin e khmerve të kuq, në sheshin kryesor të Kukësit, për të kaluar në përjetësi.

 

Postimi i Ilir Metës:

 

Sot populli shqiptar nderon me respekt kujtimin e martirit të lirisë, poetin disident Havzi Nela, i cili 31 vite më parë, në 10 gusht 1988, u ekzekutua në stilin e khmerve të kuq, në sheshin kryesor të Kukësit, për të kaluar në përjetësi.

 

Akti makabër i varjes së Tij publike, pak para rrëzimit të Murit të Berlinit, pse guxoi me poezitë e Tij të përmendte “të drejtat e njeriut”, dëshmon fytyrën e vërtetë të atij regjimi mizor, që edhe pse në grahmat e fundit vetëm dy vjet përpara shpërthimit të Lëvizjes Studentore, kujtoi se duke bërë shembull poetin e Lirisë do të vriste ëndrrën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

 

Disidenca, vepra lapidare dhe sakrifica sublime e Havzi Nelës është një nga dëshmitë më të forta dhe më të vona të tmerreve që lamë pas 30 vite më parë, por edhe një këmbanë alarmi se sa e rëndësishme, por edhe e shtrenjtë është demokracia dhe pluralizmi politik, fjala e lirë, liria e medias dhe të drejtat e njeriut, që janë të vetmet garanci për lirinë dhe dinjitetin çdo shqiptari, por edhe për prosperitetin e begatinë e vendit tonë.