Balla në SHBA:Pa sistem drejtësie efektiv, s’ka demokraci funksionale

374
Sigal

UASHINGTON – “Nuk mund të kemi një demokraci funksionale pa një sistem drejtësie efektiv. Mosndëshkimi i korrupsionit në Shqipëri është përgjegjësi e Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. Një reformë e plotë në këtë sistem, do të ishte masa e nevojshme për të luftuar këtë fenomen shkatërrues për shoqërinë shqiptare”- ka deklaruar socialisti Taulant Balla gjatë takimit në Kongresin Amerikan me kongresmenin Eliot Engel.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi në datat 17-19 nëntor një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Organizata e Shteteve Amerikane (OAS).

Në takimet në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit, Balla informoi zyrtarët e lartë amerikanë në lidhje me hapat dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria e Kryeministrit Edi Rama në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës. Duke u ndalur në reformën në drejtësi,  Balla nënvizoi domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme, si një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po kështu, në diskutimet në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit u përshëndet vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, si një hap përpara në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit.

Gjatë takimeve në Departamentin e Energjisë dhe në Departamentin e Tregtisë u diskutua për tërheqjen e investimeve amerikane në Shqipëri.

“Megjithëse marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera, ndonëse simpatisë të veçantë që populli shqiptar ka kundrejt popullit amerikan, niveli i shkëmbimeve ekonomike dhe prezenca e kompanive amerikane në Shqipëri mbetet ende në nivele të ulëta. Kjo prezencë, nuk reflekton marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve dhe shteteve tona.”-u shpreh Balla.

Nisur nga kjo situatë, Balla kërkoi nxitjen e kompanive amerikane për të investuar në Shqipëri, në sektorë kyç të zhvillimit të vendit, si energjia, minierat dhe industria.
 
Në konferencën globale për zhvillim ‘Expo 2014’ të mbajtur në Uashington, z. Balla mbajti një fjalë mbi luftën kundër korrupsionit dhe impaktit negativ që ka ky fenomen mbi shoqëritë e vendeve të Ballkanit. Gjatë vizitës së tij, z. Balla zhvilloi dhe një intervistë në ‘Zërin e Amerikës’, ku theksoi distancimin e mazhorancës nga element të caktuar, të cilët përmes mbajtjes në duar të fotografisë së diktatorit Hoxha, po prishin imazhin e përkujtimit të 70-vjetorit të Çlirimit të vendit.
 
Po kështu, nënkryetari i Grupit të PS-së zhvilloi takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u prit nga Drejtori për Europën, Tom Yazdgerd dhe nga përfaqësuesi i njësisë për Shqipërinë në DASH, z. Benjamin Rinaker. Një tjetër takim z. Balla zhvilloi edhe në Departamentin e Energjisë, me Zëvendësndihmës Sekretaren, znj. Paula Gant. Ndërkaq në Departamentin amerikan të Tregtisë, deputeti socialist zhvilloi një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin për Europën dhe Euroazinë,  Jay Burgess.

taulant balla jay burgess
(Në foto: Deputeti socialist Taulant Balla dhe Zv/ndihmës Sekretarin për Europën dhe Euroazinë në Departamenti e tregtisë, Jay Burgess)