Presidenti Meta: Detyra ime është 25 Prilli! Favorizoj rrëzimin e çdo tiranie

213
Sigal

Presidenti Ilir Meta deklaroi në një komunikim mediatik se detyra e tij kryesore sot janë zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas tij, këto do jenë referendum për të ardhmen europiane të vendit, për shkak se kjo qeveri e ka bllokuar integrimin.

“Problemi sot i Shqipërisë është 25 prilli dhe presidenti këtë e ka sot detyrën kryesore. 25 prilli vendos nëse Shqipëria do ecë drejt Europës apo do të bjerë në një greminë pa fund.

Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka asnjë shans apo mundësi për negociata. Të tjera janë muhabete kot. Kjo qeveri ka bërë çdo gjë për të bllokuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kushtet ishin të qarta.

Ky është referendum. Ose fillohet instalimi i një regjimi despotik, ose do kemi një pjesëmarrje masive të popullit ku do kërkohet ajo që e kemi kërkuar edhe 30 vite më parë.

Çdo shqiptar kudo që është të ngrihet dhe të kuptojë se fuqia e tij është vota e tij. Se vota e tij nuk blihet. Të gjithë të shkojnë të votojnë. Kjo është një gjë që nuk mund të pranohet për popullin tonë. Të shkojnë të votojnë për Shqipërinë në Europë,” tha Meta.

I pyetur nëse po kërkon rrëzimin e qeverisë me këto që thotë, Meta deklaroi: “Unë favorizoj rrëzimin e çdo tiranie”.

Sipas tij, Rama po vendos një tirani që u intereson armiqve të shqiptarëve.