Presidenti Meta çmon heroizmin e Agur Vrenozit: Dashuria për jetën e bëri veprimin e tij të pavdekshëm

462
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në qytetin e Fierit ku nderoi veprën vetëmohuese dhe shembullin frymëzues të qytetarit altruist fierak, Agur Vrenozi, i cili dha jetën në përpjekje për të mbrojtur bashkëqytetarët nga goditja e pamëshirshme e krimit. Fillimisht Presidenti Meta zhvilloi një vizitë në shtëpinë e të ndjerit Agur Vrenozi, ku shprehu personalisht ngushëllimet e sinqerta, solidaritetin institucional për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë si dhe mbështetjen e palëkundur shtetërore për familjarët dhe të afërmit. Presidenti Meta vuri në dukje se akti vetëmohues ishte një rast i qartë qytetarie dhe solidariteti, një shembull i rrallë frymëzimi dhe humanizmi i vlerave më të larta të shqiptarëve dhe se Aguri tregoi dhe vërtetoi se shoqëria shqiptare nuk mund të mposhtet dot as nga krimi dhe as nga kriminelët që përpiqen të kërcënojnë e të cenojnë jetën dhe pronat e qytetarëve të vendit tonë. Në një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë Armando Subashi, Prefektit Baki Bala, deputetëve të Qarkut të Fierit, anëtarëve të Këshillit Bashkiak, familjarëve dhe dhjetëra qytetarëve, Presidenti i Republikës i akordoi Agur Vrenozit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Duke ia dorëzuar së bijës së Agurit, Denisa Vrenozit dekoratën e lartë për aktin e tij vetmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare, Presidenti Meta u shpreh:

“Të dashur Denisa, Sibora, Kreshnik dhe Kelmend, dhimbja juaj për humbjen e parakohshme të babait Tuaj na ka lënduar të gjithëve. Më lejoni t’ju shpreh edhe një herë ngushëllimet e mia më të sinqerta e solidarizimin tim të plotë dhe t’ju garantoj se do të jemi pranë jush gjithmonë.

Ashtu si Ju, edhe unë sot do uroja me gjithë zemër, por jam i bindur edhe të gjithë të pranishmit, edhe ata që nuk ndodhen këtu, që ai krim i kobshëm të mos ndodhte kurrë. Agur Vrenozi nuk e meritonte të largohej prej jush, prej familjarëve, të dashurve e miqve të Tij. Por dashuria e tij për jetën dhe përgjegjshmëria qytetare, e bëri veprimin e tij vetëmohues, heroik dhe të pavdekshëm. Megjithëse kohët do kalojnë, Agur Vrenozi do mbahet mend si heroi i vlerave qytetare, me të cilin sot nderoheni ju, nderohet çdo qytetar i Fierit, por dhe çdo shqiptar, kudo ku ndodhet. Veç dhimbjes që la pas ikja e tij e parakohshme dhe tragjike nga dora e kriminelëve, që meritojnë ndëshkimin shembullor nga drejtësia, akti i Agur Vrenozit, sakrifica e tij sublime për të shpëtuar jetën e pronën e bashkëqytetarëve të tij, la pas një mësim të madh, që vlen për brezat dhe që e bën të pavdekshëm në memorien tonë, Agur Vrenozin. Akti i tij sublim, ishte një gjest i lartë vetëmohimi, solidariteti, një humanizëm i rrallë dhe një shembull i vlerave morale më të arrira të shqiptarëve, që na frymëzon të gjithëve, në radhë të parë rininë, shoqërinë e sidomos institucionet. 

Të nderuar pjesëmarrës,
Me aktin e tij, Agur Vrenozi lë gjurmë në ndërgjegjen tonë institucionale dhe na mëson se sa shumë duhet bërë ende për të garantuar sigurinë e jetës, paqen sociale e pronën, përballë një problemi madhor, siç është krimi që vazhdon të sfidojë shtetin, por edhe të marrë jetë të pafajshme njerëzish, edhe ditën për diell, në mes të qyteteve tona. Nëpërmjet këtij shembulli të Agur Vrenozit, shoqëria shqiptare tregoi gjithashtu se nuk do të mposhtet nga krimi. Se vlerat morale e qytetare, mbështetur thellë mbi traditat tona kombëtare, mbeten të forta. Të nderuar pjesëmarrës, Për aktin e tij vetëmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare, kam vendosur t’i akordoj Agur Vrenozit (pas vdekjes) “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Ndihem i privilegjuar të nderoj dhe të vlerësoj sot këtë figurë që lë gjurmë, jo vetëm në historinë e qytetit të Fierit, por në mbarë ndërgjegjen tonë qytetare! I përjetshëm kujtimi i tij!”, – deklaroi Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta. Ndërsa, e bija e Agurit, Denisa Vrenozi u shpreh se ky vlerësim i bën të ndihen krenarë. “Fjalët janë të tepërta për të përshkruar dhimbjen sikurse fjalët janë të tepërta edhe për të përshkruar se sa shumë krenarë ndihemi të gjithë ne sot për të. Duke u rritur në një familje shumë të madhe ai diti të ishte një djalë, një vëlla, një bashkëshort shembullor dhe mbi të gjitha një baba i përkushtuar. Ai ishte njeri shumë fisnik dhe vdiq si i tillë. Le të jetë ky vlerësim sot jo vetëm për babanë tim, por për të gjithë njerëzit që jetojnë thjeshtë dhe bëjnë vepra kaq të mëdha. Ju falënderoj!”, – tha Denisa Vrenozi pas marrjes së dekoratës.
Sigal