Presidenti Meta bën thirrje për trajtimin e krimeve seksuale tek fëmijët dhe adoleshentët

243
Presidenti Meta ka sjellë në vëmendjen publike faktin e mungesës së kapaciteteve për trajtimin e krimeve seksuale tek fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri. Në postimin e fundit në rrjetin social facebook, Presidenti ka bërë thirrje kuvendit për të miratuar sa më shpejt projektligjin”Për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Ja postimi i plotë :
“Shqipëria shfaq problematika, barriera dhe mangësi në kapacitete për trajtimin më profesional të krimeve seksuale tek fëmijët dhe adoleshentët.
Shërbimet shoqërore për fëmijët viktima të dhunës seksuale, si në nivel kombëtar ashtu edhe vendor, janë larg standardeve ndërkombëtare të kërkuara.
Në këtë kuadër, është urgjente të ndërmerren hapa konkrete për përmirësimin e menjëhershëm të politikave, në kuadrin ligjor, ndërgjegjësimit dhe të zbatohen modele të reja për mbrojtjen e fëmijëve.
E nxis Kuvendin të miratojë sa më shpejt projektligjin”Për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale”, si përgjigje ndaj parandalimit të krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.
Fëmijët janë e sotmja dhe e ardhmja jonë. Të gjithë e kemi për detyrë t’ju sigurojmë një fëmijëri të lumtur, të shëndetshme edhe të sigurt.
Nga cilësia e fëmijërisë së tyre varet shumë e ardhmja europiane e Atdheut tonë të përbashkët ” – u shpreh Presidenti Meta.
Sigal