Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM – 2017)

288
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir META, zhvilloi sot një takim me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM – 2017), me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Maqedonia, Rumania, Gjeorgjia dhe për herë të parë nga Mbretëria e Bashkuar.
Në takim, Presidenti i Republikës, përsëriti urimin për 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura, si dhe respektin më të lartë shtetëror për sakrificat e burrave dhe grave me uniformë, në mbrojtje të atdheut e interesave kombëtare, si dhe kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.
Presidenti ndau vlerësimin se Shqipëria anëtare e NATO-s do përmbushë me përkushtim e profesionalizëm të gjitha angazhimet, detyrimet dhe objektivat përballë sfidave të sigurisë.
Presidenti theksoi se Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen do të vijojë të shërbejë për të promovuar vlerat e besueshmërisë, bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta drejt së ardhmes europiane dhe euro-atlantike të vendeve të rajonit.