Presidenti Ilir Meta takon ambasadorët e Kanadasë dhe Perusë

619
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu praninë në Kanada të komunitetit mjaft cilësor shqiptar, si dhe shprehu besimin se prania e këtij komuniteti do të ndikojë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve edhe në aspektin ekonomik e kulturor.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pranoi dje Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të Kanadasë, Alesandra Bugailiskis. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të konsoliduara midis dy vendeve. Duke u ndalur në partneritetin e ngushtë në NATO, Presidenti Meta, vlerësoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadrin e trupës paqeruajtëse shumëkombëshe nën drejtimin e Kanadasë në Letoni. Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu praninë në Kanada të komunitetit mjaft cilësor shqiptar, si dhe shprehu besimin se prania e këtij komuniteti do të ndikojë për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve edhe në aspektin ekonomik e kulturor. Presidenti Meta theksoi se duhet bërë më shumë për të inkurajuar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta kanadeze në Shqipëri.
Meta pranon letrat Kredenciale nga ambasadori i Perusë: Në fokus lufta kundër krimit të organizuar
Sakaq ambasadori i Perusë, Luis Fernando Augusto Sandoval Davila, i ka paraqitur dje Letrat Kredenciale Presidentit Meta. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe theksoi nevojën e një fokusi më të madh në bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe në fushën e bashkëpunimit kulturor. Ka ardhur koha që të finalizohen marrëveshje dypalëshe dhe të konkretizohet bashkëpunimi në këto fusha – nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu se, midis dy vendeve duhet nxitur më tej tradita e mirë e mbështetjes reciproke dhe e bashkëpunimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara apo në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Sigal