Presidenti i Republikës Ilir Meta/ Letër Kuvendit dhe KQZ: Situata parazgjedhore është cenuar rëndë. Të gjithë të mbajnë duart larg nga vota

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar dje me një letër KQZ-së dhe Kuvendit, ku denoncon tentativat e mazhorancës dhe Bashkisë Tiranë për cenimin e veprimtarisë opozitës, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit. Në këtë letër, Kreu i Shtetit shprehet se situata parazgjedhore është cënuar rëndë, duke ju referuar situatës tërësisht të paligjshme, që ndodhi pak ditë më parë në selinë e FRD.

Letra e Presidentit Ilir Meta

NOA

Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë. Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë. Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore. Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend.

Të gjithë të mbajnë duart larg nga votat

Presidenti i Republikës Ilir Meta, dje, duke iu përgjigjur një pyetjeje, nëse ka një plan për mbrojtjen e votës së lire,  tha se do të njiheni në vijim me përmbajtjen, duke kërkuar që të gjithë të mbajnë duart larg nga votat. Presidenti Ilir Meta: Se ç’përmban ky plan do të njiheni në ditët në vijim. Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot pavarësisht bindjeve partiake është 100% dakord me Presidentin e Republikës që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën sepse prandaj jemi në këtë situatë kaq të rëndë, që udhëheqim në nivel botëror për shpopullimin e vendit, pikërisht se niveli i lirisë së zgjedhjeve është katandisur në këtë situatë që e dini ju dhe që e di gjithë bota. Është një kusht i pakapërcueshëm nga BE për çeljen e negociatave. Të gjithë të mbajnë duart larg nga votat, të kontribuojnë për një fushatë civile dhe europiane, të gjithë të paraqesin alternativat e tyre. Është një gjë e mirë se përveç forcave politike keni mundësi të shpreheni dhe për kandidatin që preferoni duke dhënë një mesazh të qartë që drejtuesit e partive duhet të promovojnë njerëz me integritet që të respektojnë Kushtetutën dhe të jenë shembull i respektimit të ligjit.