Presidenti Begaj takohet me Presidentin Tokayev në Kazakistan

46
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj, u prit sot në një vizitë shtetërore në Kazakistan, nga Presidenti i Republikës së Kazakistanit, Sh.T.Z. Kassym-Jomart Tokayev. Kjo vizitë, shënon vizitën e parë të një presidenti nga Shqipëria në Kazakistan, dhe vjen në një kohë kur mbushen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes 2 vendeve.

Pas ceremonisë shtetërore të pritjes, të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, që u pasua dhe nga një takim midis dy delegacioneve.

Në një prononcim për mediat, duke vlerësuar marrëdheniet shumë të mira mes dy vendeve, Presidenti Begaj u shpreh se: “Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, gjetjen e mundësive të bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes reciprok, siç mund të jenë energjia, infrastruktura, bujqësia apo nxjerrja dhe përpunimi i mineraleve.”

Në funksion të afrimit të mëtejshëm të dy vendeve, Presidenti Begaj tha se: “Një çështje me rëndësi tjetër që u diskutua ishte dhe hapja e një Ambasade të Kazakistanit në Shqipëri, e cila u mirëprit nga ana e Presidentit Tokayev.”

Në qendër të vëmendjes gjatë takimeve ishte edhe turizmi. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj tha se: “Interes tjetër të veçantë pati në drejtim të vendosjes së një linje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet Kazakistanit dhe Tiranës, e cila do t’i shërbejë turizmit.”

Kreu i Shtetit i bëri ftesën Presidentit Tokayev për të vizituar Shqipërinë.