Presidenti Bajram Begaj: Përvjetori i 25-të i Kushtetutës: Arriti të parashikojë procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë

21

Përmes kësaj Kushtetute u arrit të sanksionohen dispozita të rëndësishme që vendosin parimet bazë për përgatitjen dhe legjitimitetin e integrimit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare duke i çelur rrugën anëtarësimit në NATO dhe procesit në integrimit në BE.

Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj, të hënën mori pjesë në ceremoninë e organizuar për 25-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, ku theksoi rëndësinë e miratimit me referendum të ligjit të parë themeltar të shtetit pas rënies së diktaturës. Në fjalën e tij, Begaj tha se parimi i shtetit të së drejtës është një nga elementet themelorë të sanksionuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas tij, ky parim përbën një kusht të domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të lirë për paqen, mirëqenien, kulturën solidaritetin shoqëror dhe respektimin e vlerave të demokracisë. “Po kaq me rëndësi është edhe parimi i ndarjes së pushteteve dhe balancimi i tyre që përbën thelbin e ekzistencës dhe mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës. Kushtetuta jonë arriti t’i paraprijë dhe të parashikojë procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, që lidhet ngushtësisht me parimin e së drejtës dhe sovranitetit shtetëror. Përmes kësaj Kushtetute u arrit të sanksionohen dispozita të rëndësishme, që vendosin parimet bazë për përgatitjen dhe legjitimitetin e integrimit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare duke i çelur rrugën anëtarësimit në NATO dhe procesit në integrimit në BE”, deklaroi ai. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarrë, ndërsa veçoi reformën në drejtësi. “Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 sollën ndryshime në sistemin e drejtësisë si dhe në formimin e organeve ekzistuese dhe krijimin e strukturave të reja me qëllim forcimin e pavarësisë dhe rritjen e llogaridhënies së organeve të drejtësisë. Referuar progres-raportit të këtij viti, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarrë sidomos me reformën në drejtësi e cila po jep rezultate të dukshme duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pavarësisht arritjeve sot sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe për shkak të numrit të madh të çështjeve që gjykata ka në shqyrtim”, u shpreh Kreu i Shtetit. Begaj theksoi më tej se të gjithë ne kemi përgjegjësinë dhe detyrën që jemi garant të Kushtetutës dhe normave themelore që ajo pasqyron. Sipas tij, respektimi i saj ndihmon si në rritjen e cilësisë ligjvënëse ashtu edhe të kontrollit kushtetues. “Sot është dita për të vlerësuar edhe kontributin e Gjykatës Kushtetuese. Drejtësia kushtetuese dhe roli i kësaj gjykate ka ndihmuar në tre drejtime që ka të bëjë më parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e sigurisë juridike, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, nënvizoi Presidenti. Gjithashtu, Begaj vuri në dukje se “kemi shumë punë për të bërë sidomos në drejtimin e integrimit në BE që mbetet objektivi ynë madhor dhe parësor”. “Progresi është i vazhdueshëm, por edhe me sfida të reja për të cilat kërkohet angazhim maksimal nga institucionet për harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë të brendshëm me atë të Bashkimit Europian dhe nxitjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat për të finalizuar sa më shpejtë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.” – tha ndër të tjera gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë Presidenti i Republikës së Shqipërisë.