Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj dekreton propozimet e qeverisë për Komisionet Hetimore
Kreu i shtetit: Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof.Dr. Bajram Begaj të enjten dekretoi propozimet e qeverisë për ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore. Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se shpallja e ligjeve nga Presidenti i Republikës bëhet në përfundim të procedurës së kontrollit kushtetues, gjatë të cilit institucioni verifikon kushtetushmërinë e dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre. Kontrolli kushtetues nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit. Argumenti më me peshë që ngrihet nga një pjesë e eksponentëve të opozitës ka lidhje me pretendimin se hyrja në fuqi e këtij ligji mund të minojë dialogun mes palëve politike në Kuvend. Për sa u takon pretendimeve për antikushtetutshmëri të dispozitave të reja ligjore, të bëra publike nga disa eksponentë të opozitës, sqarohet se është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Po kështu, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, ndaj Presidenti i Republikës nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi. Është pretenduar se rregulli i ri për marrjen e provave dhe thirrjen me vendim të ndërmjetëm të dëshmitarëve është antikushtetues. Edhe ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Për sa i përket kërkesës për përfshirjen e Presidentit të Republikës në procesin e dialogut politik, kjo përbën konsideratë të një natyre të ndryshme nga konsideratat që i takojnë procedurës së kontrollit kushtetues të ligjeve. Kthimi i ligjeve për shqyrtim nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun. Ligjet nuk shpallen për hir të “dialogut politik mes palëve”, por si pjesë e procesit legjislativ, për shkakun se kalojnë me sukses filtrin kushtetues. Me këtë rast, sjellim dhe njëherë në vëmendje mesazhin e Presidentit të Republikës drejtuar deputetëve me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar dhe thirrjen e tij për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kjo thirrje është e vlefshme edhe në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare.




















