Politika fut në kaos Parlamentin

526
Sigal

Mazhoranca në mënyrë “ilegale” nga opozita mbledh parlamentin në seancë, pa njoftim paraprak

Protestuesit para Kuvendit i bëjnë thirrje policisë: Bashkohuni me ne, jeni bijtë e popullit, nuk keni lidhje me 40 hajdutët!

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca e shndërron Parlamentin në Asamblenë e Partisë

Mazhoranca, edhe pse e vetme tashmë në Kuvend, meqë opozita nuk ka më mandate deputetësh, e ka të vështirë që të zhvillojë seancat plenare. Të enjten e kaluar në 21 shkurt, mazhoranca, e frikësuar nga protesta e paralajmëruar e opozitës, e anuloi seancën plenare, pa shkak tjetër, që të mund të përligjte anulimin e Kuvendit. Ndërsa, dje, në orët e para të ditës, papritur, publikohet një njoftim, ku thuhet se në orën 17 do të mblidhet seanca plenare e Kuvendit, pa arsyetuar, nëse është e jashtëzakonshme, derisa mblidhet ditë të marte e jo të enjte, e pa argumentuar ngutjen, meqë pas dy ditësh, Kuvendi ka seancën plenare të planifikuar. Madje, në njoftimin për seancën plenare të djeshme, nuk ka ndonjë informacion, se çfarë do të ndodhë me seancën e radhës të ditës së nesërme, nëse do të zhvillohet, apo nuk do të bëhet. Kjo sjellje e mazhorancës, për të zhvilluar punimet e seancës plenare të Kuvendit, kur të dojë, e t’i anulojë sipas qejfit, pa dhënë asnjë argument ligjor, të jep përshtypjen se mazhoranca e ka shndërruar Kuvendin në një Asamble Partie, që mund ta mbledhë kur të dojë, e mund t’i anulojë seancat plenare të Kuvendit kur të dojë.

Mijëra qytetarë mblidhen përpara Kuvendit për të protestuar

Menjëherë, pasi u bë publike njoftimi i Kryesisë së Kuvendit për mbledhjen e seancës plenare pasdite, në orën 17.00, opozita e Bashkuar ftoi qytetarët, që të mblidhen në të njëjtën orë, për të protestuar para Kuvendit. Mijëra qytetarë u mblodhën më herët para Kuvendit dhe në mënyrë paqësore, protestonin. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, sikurse mbrëmë, që mijëra e mijëra qytetarë të mblidhen në pak orë e të protestojnë para Kuvendit dhe kjo është një tjetër dëshmi, se revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj keqqeverisjes, korrupsionit, inkriminimit të qeverisë së kryeministrit Rama nuk mund të përballohet më, as me propagandën e premtimeve të 3D, as me manipulimet mediatike, as me përdorimin e gazrave helmues të policisë kundër qytetarëve. Sa për histori, dje parlamenti monist i mazhorancës socialiste votoi ligjin për strukturat e KLP dhe KLGJ, por, edhe ky votim dëshmoi se strukturat e reja të Drejtësisë nuk kanë konsensusin e opozitës dhe ndërtohen sipas modelit monopartiak, meqë ato i voton vetëm mazhoranca socialiste, çfarë do të thotë se, që në fillesë institucionet e reja të drejtësisë së reformuar nuk kane besueshmërinë e gjithë shqiptarëve.

Incidenti, ministri Klosi provokon protestuesit

Pak para se të fillonte seanca plenare, ministri Klosi duke kaluar për në Kuvend, u ndesh përballë qytetarëve protestues dhe me sjelljen arrogante, u drejtua nga ata, duke dashur të ‘dialogojë’. Mirëpo, sjellja arrogante e ministrit Klosi irritoi protestuesit, të cilët reaguan ndaj tij dhe u desh ndërhyrja e policisë, që të shpëtonte ministrin Klosi nga zemërimi i qytetarëve protestues.

Digjen posterat e Edi Ramës

Kryeministri Rama, qëllimisht nuk erdhi në këtë seancë plenare, duke zgjedhur të organizonte antimiting në Lushnje, por përpara Kuvendit, ndërkohë që brenda në sallë mazhoranca ishte në seancë plenare, protestuesit dogjën disa postera, ku kryeministri Rama, shfaqet si diktatori Maduro.

 

Qytetarët të vendosur: Nuk largohemi prej këtej!

Përpara Kuvendit, qytetarët protestues thërrisnin: Nuk largohemi prej këtu! Rama ik! Situata u tensionua, pasi policia filloi të provokonte/ Ndërkohë disa protestues i bënë thirrje policëve: Jeni bijtë e popullit, bashkohuni edhe ju me ne, të fitojmë Ju nuk keni asgjë të përbashkët me 40 hajdutët e parlamentit!

Policia e Shtetit përdor sërish gaz helmues e bomba tymuese

Përpara parlamentit, ndërsa krerët e opozitës së Bashkuar po u flisnin protestuesve, policia e Shtetit, pa asnjë shkak, filloi të hedhë në drejtim të krerëve të opozitës gaz helmues dhe bomba tymuese. Në këtë kohë, protestuesit thjesht rrinin në shesh, nuk ndërmorën asnjë veprim të dhunshëm, që mund të përligjte përdorimin e gazit helmues të policisë së Shtetit. Siç duket, ndonjë kokë drejtuese e Policisë së Shtetit nuk mund të pranonte që mijëra qytetarë të “shqetësojnë” mazhorancën në Parlament… Drejtuesit e Policisë së Shtetit mendojnë se me gaz helmues dhe bomba tymuese do të thyejnë protestën e popullit dhe do të mbrojnë karriget e pushtetit të drejtuesve të tyre politikë.

Petrit Vasili: Është hera e fundit që ia falim këtë krim Policisë

Ish-ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, duke folur pas përdorimit të gazit helmues nga Policia kundër protestuesve: Është hera e fundit, që ia falim policisë së Shtetit këtë krim të përdorimit të gazit helmues kundër protestuesve. Herën tjetër, Ramën nuk do ta mbrojnë dot 200 policët, sepse mijëra protestues do t’i marrin përpara….

Kryeministri Rama: Qeveria nuk tërhiqet. Do përfundojë kontratën me qytetarët

Nga Lushnja, kryeministri Edi Rama i ka përsëritur opozitës, se nuk do të tërhiqet nga pushteti, pasi do të respektojë kontratën e bërë me qytetarët. Kryeministri Rama: Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim. Mblodhëm parlamentin sot. Nuk duam konflikt, nuk duam përballje nga ato përballjet primitive që kanë ata në kokë dhe parlamenti i çliruar më në fund prej tyre do të jetë vendi ku do të mund të flasim për ju. Rama tha se PD dhe LSI nuk kanë asnjë mundësi që të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas Kryeministrit, opozita ankohet për rezultatin edhe pse ishte pjesë e qeverisë teknike në fushatë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit.

Rama: A ishte apo nuk ishte një vit e gjysmë përpara ku iu dhamë gjithçka kërkuan, morën gjysmën e qeverisë, Ministrinë e Brendshme. Pse ua dhamë ato? Vetëm për një qëllim, kush fiton qeveris dhe, kush humbet, bën opozitë.

Zëri i Amerikës: Tiranë, proteston opozita, tensionohet gjendja

 

Në Shqipëri, një situatë e tensionuar është krijuar para parlamentit, ku opozita u mblodh për të protestuar, ndërsa deputetët e shumicës janë në sallë, në seancë. Një grup manifestuesish tentuan të çajnë kordonin e policisë të vendosur në hyrjen kryesore të oborrit të parlamentit, por u sprapsën nga përdorimi i gazit lotsjellës. Disa manifestues u përgjigjën më pas duke hedhur gurë ndaj policisë. Opozita e nisi protestën ndërsa brenda në sallë zhvillohej një seancë jashtë radhe. Disa mijëra përkrahës të Partisë Demokratike dhe LSI-së u mblodhën me urgjencë për protestën, sapo kryesia e parlamentit ndryshoi datën e seancës. Ky është tubimi i tretë brenda 10 ditësh që zhvillon opozita, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme. Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se protestat synojnë të largojnë qeverinë ilegjitime e të korruptuar dhe parlamentin, sipas tij, ilegjitim dhe me mandate të blera. Protestuesit ndezën zjarre dhe hodhën flakadanë në drejtim të policisë. Ndërkohë, brenda sallës parlamenti vazhdoi seancën plenare. Në rendin e ditës ishin dy ligje mbi strukturën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organe të tjera të drejtësisë. Policia ishte e shumtë në numër dhe masat shtesë ishin të dukshme, duke përfshirë edhe ndërprerjen e internetit në zonën e protestës. Autoritetet pohuan më herët, se heqja e internetit bëhet për arsye sigurie, por opozita tha se kjo është një metode e re për të censuruar protestat dhe mesazhet e saj.

 

Reagimi i ministres Spiropali: Opozita është “plaçkë”, hidheni në kosh

Zëdhënësja e qeverisë, deputetja Elisa Spiropali nuk ka kursyer sulmet ndaj opozitës gjatë fjalës së saj në parlament. Ajo e ka quajtur opozitën ‘plaçkë’ që shqiptarët duhet ta hedhin në kosh pasi ‘do të lindë një opozitë e re’.

Pasi bleu votat, mazhoranca “blen” edhe deputetë

Në dosjen 339 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë faktet se si mazhoranca me ndihmën e njerëzve me rekorde kriminale ka blerë votat në zgjedhjet e fundit, mirëpo, siç deklaroi edhe zv. ambasadori i OSBE-së, këto vjedhje votash nuk ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve, tani mazhoranca po blen edhe deputetë, për të shtuar radhët e saj në Parlament, meqë ka shumë vende bosh, pas largimit të opozitës. Dje, kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi njoftoi, se mazhorancës socialiste “iu shtua” edhe deputeti Dritan Bici, i cili mandatin e fitoi me votat e elektoratit të PDIU-së, ndërsa tani e tutje ai do firmosë në borderonë e Partisë Socialiste.