Policia arreston djalin e deputetit me akuzën “Për përndjekje”. Opozita: Të hetohet Rama dhe Balla

550
Sigal

Sot protestë e madhe para kryeministrisë kundër dhunës së grave: Krimi, që nuk dënohet, rikthehet!

Arrestimi i Rexhep Rrajës, policia: E kemi ndaluar për përndjekje

Policia e Durrësit njoftoi dje  arrestimin e djalit të deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, 24-vjeçari i akuzuar për dhunimin e Xhisiela Malokut dhe se e vetmja vepër penale që rëndon ndaj djalit të deputetit, është ajo e përndjekjes, parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal.

Akuza

I riu akuzohet se ka dhunuar 25-vjeçaren Xhisiela Maloku, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës. Kërkesa për caktimin e masës është dorëzuar dje në gjykatë nga prokuroria e Krujës, ndërsa gjykata e shqyrtoi,  më 30 shtator kërkesën, duke caktuar masën e sigurisë. Shkak për dorëzimin e kërkesës në gjykatë është bërë një përgjim ambiental i djalit të deputetit. Prokuroria thotë se në përgjimin ambiental të bërë ditët e fundit, Rexhep Rraja flet për dhunën ndaj Xhisiela Malokut. Mjekësia ligjore ka dorëzuar më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike, të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë. Më konkretisht, e reja ka gërvishtje në shpatullën dhe në kofshën e djathtë, disa prej të cilave të shkaktuara edhe me mjete prerëse. Ekspertimi është dorëzuar në organin e akuzës në Krujë për t’u administruar në dosjen e procedimit penal, të nisur ndaj shtetasit Rexhep Rraja, për akuzën e përndjekjes.

PD: Arrestimi i djalit të deputetit të PS, truk e mashtrim, para drejtësisë të jenë Balla, Rraja e Bushi

PD-ja ka reaguar pas arrestimit të djalit të deputetit të PS Rrahja, sepse e  konsideron arrestimin “një truk, sepse, bashkë me të, para drejtësisë duhet të ishte Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi, të pranishëm në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut për të mbyllur çështjen.”  PD-ja: Arrestimi i djalit përdhunues të deputetit të PS është prova se gjithë vëmendja e Edi Ramës këto dy muaj dhe e Prokurorisë nën urdhrat e tij ka qenë për të mbrojtur përdhunuesin dhe zyrtarët e deputetët e tij, të përfshirë në krim. Arrestimi i djalit të pushtetarit erdhi vetëm pas bërjes publik të rastit nga nënkomisar Emiljano Nuhu, duke provuar vërtetësinë e dëshmisë së tij. Por arrestimi i djalit të deputetit të Edi Ramës vetëm nën presionin e lartë publik, është i pamjaftueshëm dhe një truk për t’i vënë kapak një skandali më të madh politik: përfshirjes direkte të disa prej pushtetarëve më të lartë të vendit në krimin e mbulimit të torturimit të vajzës nga djali i deputetit të Edi Ramës. Arrestimi i djalit të deputetit të PS Rrahman Rraja është një truk, sepse, bashkë me të, para drejtësisë duhet të ishte Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi, të pranishëm në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut për të mbyllur çështjen, në burg, bashkë me të, duhet të ishin shefat e komisariateve që, gjatë gjithë këtyre muajve, mbajtën anën e kriminelit dhe jo të vajzës së dhunuar apo të policit të kërcënuar. Arrestimi i djalit të deputetit të deputetit të PS Rrahman Rraja është hile për të mashtruar publikun, sepse Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e fshehën krimin dhe nuk zbatuan ligjin, pavarësisht se ishin vënë zyrtarisht në dijeni nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu.

Kryeministri Rama reagon: Sot po ridhunohet vajza për politikë

Pas arrestimit të Rexhep Rrahjas, djalit të deputetit socialist Rrahman Rrahja, i cili akuzohet për dhunimin e vajzës 25-vjeçare nga Fushë Kruja, Xhisiela Maloku, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ironizuar me opozitën, që sipas tij sot po ridhunojnë 25-vjeçaren për politikë, ndërsa qeveria i hap rrugë drejtësisë dhe prokurorisë. “Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë,ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund. EGjithëVëmendjapërVajzën, – shkruan Rama.

Turp: 45 shoqata civile paguhen me miliona euro për të mbrojtur femrat, por kësaj here heshtën

Në Shqipëri ka të ligjëruara  45 organizata të ashtuquajtura të Shoqërisë Civile, të cilat  paguhen miliona euro nga fondacione dhe organizma ndërkombëtare në vit për të mbrojtur femrat nga dhuna në Shqipëri.  E megjithatë, për rastin e Xhisielës vajzës së dhunuar nga djali i deputetit Rraja, ka një heshtje varri nga sektori i OJF-ve.  Sepse nëse flasin, humbasin fondet dhe privilegjet nga …qeveria.

Ish-ministrja e Integrimit Bregu kërcënon qytetarin: “Të mos isha në mes të një hidhërimi, sot do të padisja ty Genc Sejko”

Një foto-memo me mbishkrimin “Ju që merrni miliona për mbrojtjen e gruas…Pse nuk flisni?” – u shpërnda nga Genc Sejko në Facebook. Mbi foton në fjalë reagoi Majlinda Bregu, një ndër të përfshirat në kolazh, e cila vendosi t’i përgjigjej publikisht përmes një komenti. “Të mos isha në mes të një hidhërimi për përcjelljen në botën tjetër të një mikeje të shtrenjtë, sot do te padisja ty Genc Sejko! Fare thjesht! Në bazë të nenit 617/1 të Kodit Civil te Republikës: “Përgjegjësia për publikimet online të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin ose reputacionin e personit” ndryshimet e të cilit i kam propozuar vetë. Sepse ti s’ke asgjë më pak se çdo dhunues i këtij vendi! Je thjesht dhunuesi i ngrefur i radhës! Këto bëjnë burrat dhunues. Ti nuk do arrish dot edhe po të jetosh 200 vjeç, të flasësh, bërtasësh, qash, të mbrosh aq gra sa jam përpjekur unë e plot gra të tjera me zë publik në këtë vend! Pa miliona burrec! Pa delire facebooku! Por nga bindja, ndjeshmëria dhe detyra publike që kam pasur. Edhe pa zhurmë, por duke u munduar për të mbrojtur të dhunuarën e për t’i gjetur një strehë sekrete! Nga ato që ti e tjerë si ti të mos i mësoni kurrë! As këtë radhë!  Sa për dhunuesit çfarëdo emri e statusi paçin, mund ta vonojnë, por nuk i shpëtojnë dot një dënim më të ashpër!  Edhe këtë falë ashpërsimeve të fundit te Kodit Penal që mbajnë emrin tim! Por te jesh i bindur, Dhuna s’do të mundet dot, nëse nuk dënohen të gjithë format e saj! Përfshi tënden!

Genc Sejko: Nuk me tremb asgjë,  shtojnë më shumë dëshirën për të “bërë diçka”

A u trembët nga komenti për padi i Majlinda Bregut?

Nuk më tremb asgjë. Ajo që bëj është e drejtë në gjykimin tim. Po të më tregojnë se jam gabim nuk e kam problem të tërhiqem. Por nuk më influencojnë kërcënimet në atë që bëj. Madje, më  shtojnë më shumë dëshirën për të “bërë diçka”.

LSI: Të hetohet Edi Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon hetimin nga prokuroria të kryeministrit Edi Rama me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi sipas saj ai ka kërcënuar e kanosur publikisht oficerin Emiljano Nuhu. Lëvizja Socialiste për Integrim dënon qëndrimin e Ramës ndaj çështjes ku është përfshirë djali i një deputeti socialist që u arrestuar sot nga policia pas dhunimit të një 25-vjeçare. LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores në shërbim të qeverisë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë persona që fshehën dhe manipuluan ngjarjen të çfarëdo rangu. LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë, por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj. Të hetohet nga prokuroria shpërdorimi i detyrës nga Kryeministri Edi Rama që ka kërcënuar e kanosur publikisht z. Emiljano Nuhu vetëm sepse ai denoncoi të vërtetën e fshehur nga shteti. Qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet.

Deputeti Bylykbashi: Kjo është banda që na qeveris, ta shporrim!

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama në drejtim të nënkomisarit Emiljano Nuhu. Bylykbashi thekson se Nuhu ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes së tij për të luftuar krimin dhe kriminelët, ndërsa Rama e quan horr. Sipas Bylykbashit tashmë është e qartë gjithçka, ky vend qeveriset nga banditi dhe banda e tij, prandaj Rama urdhëroi kriminelët që të ndjekin këmba-këmbës oficerin Nuhu. Ja postimi i Bylykbashit: I infiltruari‎. Emiliano Nuhu, oficeri i policisë kurajoz, i trajnuar nga agjencitë e specializuara amerikane për t’u infiltruar dhe shkatërruar ‎bandat dhe organizatat kriminale, duke rrezikuar jetën e tij dhe të familjes se tij.‎ Edi Rama, kryeministër, që e quan Nuhun “horr” dhe kërcënon se do t’i vihet këmba këmbës, ka trajnuar një çetë kriminelësh për t’u bërë “deputetë” të krimit me dhunë, presion dhe shitblerje vote dhe për t’i infiltruar në Parlament.‎ Kjo është banda që na qeveris sot e që duhet shporrur!