Poli i Tretë, Me 6 deputetë do të kërkojmë 5 ministri

503
Sigal

LSI, FRD dhe PBDNJ 6 deputetë. Të gjitha alternativat e koalicionit të ri, kombinimet dhe pazaret e tjera të fshehta 

 Poli i Tretë do të kërkojë pesë ministri nga koalicioni fitues, që do të marrë përsipër ndërtimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ky pol, ku priten të përfshihen tre partitë kryesore, LSI, FRD dhe PBDNJ, sipas të gjitha llogaritjeve dhe parashikimeve mund të marrin 7-9 deputetë, duke qenë forca kryesore që do të përcaktojë balancën, se në cilin krah do të shkojë pushteti dhe ndërtimi i kabinetit qeveritar. Por edhe nëse Poli i Tretë merr 6 deputetë përsëri, ai mbetet një faktor determinant për qeverisjen. Dhe në këtë rast, drejtuesit e këtij poli do të përcaktojnë kahun e lëvizjes, pra, nëse do të bashkëpunojnë me Ramën, apo me Berishën. Në këtë moment, gjatë bisedimeve hyjmë në zonën emergjente të interesave për përfitimin e posteve. Këtu, siç është vërtetuar edhe në zgjedhjet e fundit, nuk bëhet fjalë për parime, por për portofole ministrore. Krerët e Polit të Tretë do të përpiqen t’i bëjnë sa më shumë presion dy partive, ose dy koalicioneve të tjera, të drejtuara nga Berisha e Rama, për sa më shumë ministri. Në të gjitha rastet, Poli i Tretë do të kërkojë të paktën 5 ministri, ku tre prej tyre do t’i marrë LSI, 1 FRD dhe 1 PBDNJ. Në pjesën e dytë të ndarjes së ministrive, PBDNJ do të përpiqet të shmangë PDIU-n dhe Aleancën Kuqezi, me të cilët ka deklaruar divorcin politik, LSI do të shmangë disa rryma brenda PS-së duke llogaritur këtu edhe Dritan Priftin, ndërsa FRD do të shmangë disi Gjinushin, apo ndonjë tjetër. Por koalicioni i mëtejshëm nuk rrezikohet aspak. Ndërsa, nëse Poli i Tretë bashkohet në qeverisje me PD-në, atëherë Dule do të jetë në sherr me Kserën, Topi me Berishën dhe Meta me bazën militanteske të PD-së. Por asgjë nuk mund t’i ndalë negociatat e mëtejshme kur bëhet fjalë për poste ministrash dhe për ndarje në përqindje të lartë të posteve në institucionet e pavarura, apo në rangun e drejtorëve ët drejtorive. Nëse Poli i Tretë do të bashkëpunojë me Ramën, lideri rozë do i shohë gjërat me pikatore, ndërsa nëse ky pol do bashkëpunojë me Berishën, atëherë marrëveshja për qeverisjen do të jetë 70 për qind me 30 për qind.

Ministritë që do të kërkohen

Krerët e Polit të Tretë do të kërkojnë padyshim, një prej dy ministrive kryesore që janë Ministria e Brendshme, ose Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu, Poli i Tretë do të kërkojë Ministrinë e Energjetikës dhe një prej dy ministrive të mëposhtme: Ministrinë e Arsimit, ose të Shëndetësisë. Përveç të tjerave koalicioni i Polit të Tretë do të kërkojë Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Punës. Sipas ndarjes paraprake, mendohet se, LSI do të kërkojë brenda këtij poli, dy ministritë kryesore: atë të Mbrojtjes, ose Rendit dhe Ministrinë e Energjetikës, ndërkohë që, ajo do të përfitojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa, dy partitë e tjera do të ndajnë Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Punës.

Kombinacionet brenda Polit të Tretë

 Tanimë dihet qartë se nëse LSI dhe PD dalin së bashku në një koalicion, atëherë të dy janë të humbura, për shkak të hemorragjisë nga një pjesë  e elektoratit të tyre, të cilët nuk e shohin me vend që të votojnë për kundërshtarët e tyre. Pra, ka një pjesë të fragmentizuar të LSI-së që nuk duan të votojnë për Berishën, e po kështu, ka një pjesë të elektoratit blu, që nuk votojnë për Ilir Metën. Nga ana tjetër, mendohet se, Meta do të nënshkruajë koalicionin me PBDNJ e FRD-në, por duke bashkëpunuar fshehurazi, ose haptazi edhe PDIU-n, në qarqet me interes të dyanshëm. Duke i dhënë vota në Vlorë dhe duke i kërkuar vota, në Fier. Ndërsa, në Gjirokastër, LSI mund të ndihmohet nga votat e PBDNJ-së, të cilat mund të arrijnë të bëjnë diferencën. Në këtë rast, duhet të llogarisim edhe një lagim të Metës nga qeverisja aktuale, e cila e çon vendin automatikisht nën kujdestarinë e një qeveri teknike, por kjo do të fuqizonte së tepërmi autoritetin e PS-së. Në këtë mënyrë Poli i Tretë është zgjidhja më e përshtatshme për tre partitë e përfolura, në këtë lidhje, të cilat mund të maksimalizojnë votat e tyre në këtë mënyrë. Poli i Tretë në zgjedhjet e 23 Qershorit do të jetë një rrezik për dy partitë e mëdha dhe një testim për tre partitë që do të përfaqësojnë këtë koalicion. Duke mos bërë asnjë deklaratë paraprake për koalicione, ata i lejojnë vetes të drejtën e aleancave paszgjedhjore dhe në këtë mënyrë, bëhen përcaktues për qeverisjen e ardhshme, pavarësisht nëse kjo qeverisje do të jetë blu, apo e kuqe. Nga ana e vet PDIU ka dy alternativa: E para, të hyjë në koalicion me PD-së për të garantuar Vlorën dhe e dyta të hyjë në tratativa me LSI-në për të fituar një deputet në Fier, nëpërmjet ndihmës reciproke duke ia kthyer votat në një qark tjetër. Por ndërsa LSI dhe PBDNJ e kanë testuar elektoratin në rreth 20 vjet, FRD duket se e ka të vështirë eksperiencën e parë, e cila do të shërbejë për testimin e situatës. Sepse FRD aktualisht, nuk ka as përfaqësues në KQZ.

Deputetët e Polit të Tretë

Poli i Tretë parashikon të marrë rreth 6-9 deputetë, sipas llogarive të krerëve të këtyre tre partive. Kështu, në Tiranë dhe Durrës FRD parashikon të marrë dy deputetë, për shkak të ndikimit të madh të Oketës dhe Topit, në këto dy qarqe të mëdha. Nga ana e vet, Poli i Tretë pret një mandat thuajse të sigurt në Vlorë, nga PBDNJ, që do të mbështetet nga LSI dhe FRD. Po kështu Poli i Tretë ka pretendime për një deputet në Gjirokastër, nëse të gjithë bashkë orientojnë mbështetjen për LSI-në, ose PBDNJ-në. Këtu një pikë e fortë e LSI-së mbetet si gjithmonë, Vangjel Tavo. Nga na tjetër një zonë pretendimesh përbën edhe Fieri, ku LSI synon të marrë në mënyrë të padiskutueshme, një deputet. Sepse në këtë qark LSI ka edhe shumë persona të punësuar që drejtojnë administratën dhe bizneset. Këtu duhet të përmendim edhe qarkun e Beratit ku deputeti Nasip Naço do të mbajë mandatin e tij, për shkak të raporteve që ai ka krijuar me shumicën e banorëve të kësaj zone. Pra, sipas përllogaritjeve, Poli i Tretë rezulton me të paktën 6 deputetë të sigurt, pa llogaritur ndonjë mundësi tjetër, nëpër qarqe të tjera.

 Poli i Tretë

Vlorë – 1 deputet PBDNJ

Gjirokastër -1 deputet LSI

Tiranë  – 1 deputet FRD

Durrës – 1 deputet FRD

Fier – 1 deputet LSI

Berat 1 deputet

Ministritë që do kërkojë Poli i Tretë

 Ministrinë e Brendshme apo të Mbrojtjes

Ministrinë e Energjetikës

Ministrinë e Arsimit ose Shëndetësisë

Ministrinë e Mjedisit

Ministrinë e Punës