Presidenti Nishani me rastin e 8 Marsit, priti gratë që punojnë në drejtësi

498
Sigal

Gratë gjyqtare ishin të ftuarat e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani me rastin e festës së 8 Marsit, në një mbrëmje –koktej, organizuar në mjediset e institucionit. Kreu i Shtetit vlerësoi lart rolin dhe kontributin e gruas shqiptare në familje dhe shoqëri dhe nënvizoi faktin se, Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike, ku roli dhe zëri i gruas të jetë më i rëndësishëm dhe më shumë i suksesshëm. Presidenti Nishani theksoi se, gratë e sistemit të drejtësisë janë faktor dinjiteti dhe mbrojtëse të së drejtës. Në vijim mesazhi i Presidentit Nishani drejtuar grave gjyqtare me rastin e festës së 8 Marsit. Sot, në Ditën e 8 Marsit, kur gratë kujtojnë vlerat, të drejtat dhe arritjet e tyre, ia vlen të theksoj se në Shqipëri flitet pa frikë për modelin e gruas që vjen si profili i një gruaje të fortë, të duruar, e zonja dhe që njëkohësisht ka rifituar atë brishtësi dhe sensualitet që i është shkatërruar gjatë diktaturës. Theksoj kontributin, energjitë dhe atë mundësi të madhe që kanë gratë për të mbajtur përgjegjësi në rritjen e fëmijëve, edukimin e vlerave thelbësore të etikës dhe moralit në familje. Vlerësoj edhe përpjekjet e atyre grave dhe vajzave që ende nuk e kanë gjetur vendin  e tyre për të qenë të suksesshme, dhe çmoj optimizmin e tyre që mbështetet në kushtet reale të krijuara në vendin tonë këto 23 vjet. Ju që jeni sot këtu, gra që ushtroni drejtësinë, jeni dëshmitare të hopit të madh që ka hedhur gruaja shqiptare në vitet e demokracisë, dëshmitare por edhe faktor dinjiteti, zbatuese të vetëdijshme dhe mbrojtëse të së drejtës: ju jeni pjesë e asaj shoqërie që nuk e ka harruar të kaluarën, por që e hedh vështrimin e kthjelltë në të ardhmen, me ndershmëri dhe me guxim”, – tha midis të tjerave Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.