Poli Hoxha: Pazaret e politikës

44
Sigal

 

Do të duhen netë dimri dhe disa SPAK të tjerë, për të treguar dhe zhbiriluar kolepsjen e këtij hibridi të paprecedentë në botë: Pushtet-‘opozitë’-biznes, para të krimit të organizuar, shkatërrues të opozitës, demokracisë, votës, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe mbi të gjitha shpresës se ky vend mund “të bëhet” i jetueshëm normalisht për të gjithë dhe jo vetëm për një pakicë.

Poeti francez i shekullit XIX, Artur Rembo, i cilësuar “i mallkuari” pasi shkruante të vërteta heretike për shumëkënd, në një nga poezitë e tij të famshme përshkruan hyrjen e trenit në stacion. Ai afrohet duke turfulluar me zhurmë të madhe, duke u rënë sirenave deri në kup të qiellit, kilometra larg stacionit, por pavarësisht kësaj, qindra njerëz që e prisnin në stacion, edhe pse ai ishte nisur me kohë, edhe pse e dëgjuan, edhe pse e panë gjithë atë kaba çeliku që u fut në stacion, sërish si budallenj thërritën të “surprizuar”: Erdhi treni! Si puna e trenit dhe budallenjve të Rembo është edhe kjo “Kulla e Zenit apo e Berishajve” siç e quan Mero Baze. Ish “teknologu” mediatik i Sali Berishës, më pas për 16 vite i Edi Ramës dhe sot një nga çmontuesit kompetentë të ingranazhit të makinës hibride, politik-biznes, që kanë krijuar të dy. Pra për kullën prapa TOB ku klientët e Ramës dhe të familjes Berisha po rezultojnë ortakë, njësoj si me trenin e Rembo, të gjithë po habiten që po e shohin, ndërkohë që treni me qindra-vagonë që shtoheshin me shpejtësi ka kohë në qarkullim dhe të gjithë e dinin që ekzistonte, por bënin sikur nuk e shihnin.

Nuk kanë faj që po shfaqen si “budallenjtë” e Rembo, pasi gjithçka ka qenë skemë e mirëmenduar, e financuar dhe e mbuluar mediatikisht me një propagandë trushlarëse, e cila shpesh ja kalonte edhe asaj të Enverit dhe të Hitlerit. Më të tronditurit nga “budallallëku” i tyre janë ata që e kanë besuar dhe ndjekur Sali Berishën gjatë këtyre dy viteve, duke u bërë “mish për top” që ai bashkë me Ramën të luajnë “opozitash dhe demokracirash”, ndërkohë që bizneset e përbashkëta lulëzojnë, kurse “budallenjtë”, (nga të dy palët, edhe socialistët), nuk e shihnin trenin e kësaj loje, deri sa i’u ndaloj te këmbët në formën e një kulle 200 milion eurosh.

Por për hir të së vërtetës, nuk u vihet shumë faj. Ku ta dinin të shkretët që ndërkohë që ndiqnin Berishën nëpër foltoret për dinjitetin që u’a kishte “nëpërkëmbur” SHBA, kryetarët e bashkive të Ramës u siguronin falas sallat ku Berisha shante Amerikën, “regjimin Rama”, Lulzim Bashën dhe këdo që shihte dhe lexonte qartë “minimin e demokracisë dhe korrupsionin madhorë”. Ku ta dinin demokratët e shkretë se ndërkohë që ata futeshin në konflikt, shaheshin e dreqoseshin me miqtë e tyre “, që i kishte blerë Rama, vetëm pse nuk mendonin si Berisha, por që kishin parë trenin me kohë pa mbëritur në stacion, lejet e ndërtimit, tenderat për punë publike, parqet voltaike të financuesve të “revolucionit”, jepeshin fap e fap nga “Regjimi Rama”.

Nga ta dinin “foltorzinjtë” se kur Edi Rama futi në Bordin e Bankës së Shqipërisë ish-ministrin e financave të “demokratëve”, Ridvan Boden, në fakt kishte çuar aty “Ministrin e Financave” të Revolucionit Berisha. Por edhe llogaritarin dhe ndërlidhësin mes “kryeopozitarit” dhe “kryeshtetarit” për bizneset dhe ortakëritë e investitorëve te “Kulla Rama-Berisha” e në dhjetra leje ndërtimi, investime strategjike, punë publike, troje e të tjera.

Pra “llogaritarin” e Ilir Shtufit, Agim Zeqos, Geron Kuka, Mark Lulit, Aleksandër Frangajt, Bashkim Ulajt, Shkëlqim Beshirit, e të tjerë oligarkë të përbashkët. Të gjithë këta fare “rastësisht” janë klientët më të mëdhenj të financave të qeverisë Rama, “rastësisht” po mbushin Tiranën me beton dhe të gjithë po fare “rastësisht” janë edhe pjesë e oborrit Berisha dhe financues të hapur të “opozitës” dhe medieve të tyre që e kanë vënë në “siklet të madh” Ramën. Nga ta kuptonin gjithashtu “revolucionzinjtë” arsyen se përse Baton Haxhiu i Ramës dhe gjithë analistët “e shquar”, mbronin me epizëm opozitën e Berishës dhe sulmonin me katapulta balte PD-në e Trekëndëshit të Bermudës, Lulëzim Bashën, SHBA-në, Britaninë e këdo që shihte trenin, Rama-Berisha, të korrupsionit dhe të minimit të opozitës e demokracisë!

Ku ta dinin ata se gjatë kohës që ropateshin në xhirot e pafundme të Foltoreve, hipnotizoheshin nga revolucionet televizive, vraponin pas mitingjeve të stisura me epilog ndezjen e qirinjve, i bënin të ëndërronin se do rrëzonin regjimin për 3 muaj, se fitoren në zgjedhje e kishin të sigurt, nga ana tjetër Edi Rama hidhte “kocka” si Bashkia e Shkodrës në 6 mars 2021 vetëm që Berisha të bërtiste, “jam shumicë në PD, demokratët më duan mu dhe jo Lulpengun, se SHBA dështoj me mue”, e të tjera mirazhe propogandistike. Ku ta dinin ata, se ndërkohë, që ndiqnin “lexhendën dhe historikun”, djali i tij Shkëlzen Berisha jetonte në vilën e Ilir Shtufit të Kullës, i cili vetëm prej Arben Ahmetaj kishte marrë, plot 80 milion euro nga fondet për Tërmetin. Si ta kuptonin naivët, besnikët e shkretë deri në skllavëri kur nuk i dinin këto fakte, se përse Berisha del çdo ditë dhe bën avokatin e Ahmetajt, i cili mori dy vila nga Geron Kuka ortaku i Shtufit të Shkëlzenit dhe që gjithashtu, po hetohet edhe nga SPAK.

Ku ta dinin ata të mashtruar në mënyrën më poshtëruese, se në të njëjtën ditë që në SPAK vijnë letërporositë dhe dëshmitë për biznesin korruptiv-vrastar të Gërdecit, për hetimin “CEZ”, për “CEZ-DIA”, kur ka zhvillime për “Klubin Partizani”, kur mësohet se po hetohet pasuria e deklaruar e fëmijëve me themel, kur PD çon Kullën në SPAK, Berisha po atë ditë pra, del dhe i thërret të mashtruarit, (Vetë nuk kanë bukë për fëmijtë, por i ke gjithë ditën me internet për ta mbrojtur), të dalin në protesta! Por le të ndalemi këtu, sepse do të duhen netë dimri dhe disa SPAK të tjerë, për të treguar dhe zhbiriluar kolepsjen e këtij hibridi të paprecedentë në botë: Pushtet-“opozitë”-biznes, para të krimit të organizuar, shkatërrues të opozitës, demokracisë, votës, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe mbi të gjitha shpresës se ky vend mund “të bëhet” i jetueshëm normalisht për të gjithë dhe jo vetëm për një pakicë.

Kjo që kanë bërë me ndërgjegje dhe skemë të planifikuar deri në detaje Edi Rama me Sali Berishën dhe Ilir Meta si patericë portative me demokracinë dhe kapitalizmin shqiptarë, përveçse tallje dhe poshtërim makabër për shqiptarët, socialistët dhe demokratët e ndershëm, kërkon edhe një ndëshkim ekzemplarë. Ata që do ta bëjnë këtë në Shqipëri apo në perëndim, do të marrin bekime të përjetshme, njësoj siç merr ai mjeku që të shëron nga kanceri!