‘Pinpongu’ i PD dhe PS për dekriminalizimin, të dy palët ia lënë fajin njëra-tjetrës

443
Partitë politike kanë shkëmbyer akuza të rënda ndaj njeri – tjetrit për kandidimin në zgjedhjet e 21 qershorit, për kryebashkiakë të personave me rekonde kriminale, ku me emra janë kandidati i PS-së për bashkinë e Krujës, ku sipas akuzave të PD-së, Bushi është dënuar në Itali për trafikimin e drogës; kandidati i PD-së në bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu, ku gjykata e shkallës së parë në Tiranë e dënoi këto ditë me 2 vjet burg për shpërdorim detyre; kandidati i PBDNJ-së Fredi Beleri, i akuzuar në pjesëmarrjen e masakrës të Peshkëpisë në 1994, por edhe shumë kandidatë të tjerë, të cilët janë akuzuar publikisht për rekorde kriminale dhe janë zyrtarizuar nga subjektet politike. 
Projektligji i PD për dekriminalizimin, edhe për këto zgjedhje
Deputeti i PD-së dhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Oerd Bylykbashi ka dorëzuar pardje në Kuvend projektligjin e opozitës për dekriminalizimin e politikës. Deputeti demokrat ka bërë me dije se, projektligji është bazuar në ekspertizat më të mira ndërkombëtare dhe përfshin kryesisht veprat kriminale të lidhura me terrorizmin dhe krimin e organizuar. “I bëjmë thirrje mazhorancës që të mos e pengojë këtë projektligj, pasi duhet miratuar sa më shpejt”, ka vijuar Bylykbashi. Sipas ministres Felaj dhe deputetit Subashi, duhen ndërhyrje në Kushtetutë për dekriminalizimin, duke shprehur kështu edhe qëndrimin e maxhorancës, kundër këtij projektligji. Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së shpreh mendimin se ky projektligj, mund të miratohet, nëse ka vullnet nga politika, por është në pikëpyetje zbatimi i saj. Mirëpo, sipas mendimit të konstuticionalistit Niazi Jaho për gazetën “Telegraf”, ky ligj, i cili detyrimisht duhet të votohet me votë të cilësuar, nuk mund të diskutohet me procedurë të përshpejtuar dhe jo më shpejt se 56 ditë, kështu që për këto zgjedhje, ky pprojektligj është i pamundur juridikisht, të ketë veprim. Gjithashtu duke patur parasysh, se edhe pak ditë kanë mbetur nga afati i fundit i rregjistrimit të kandidatëve në KQZ për në zgjedhjet e 21 qershorit, edhe sikur të miratohet ky pprojektligj që ka dorrëzuar PD-ja në Kuvend, z. Jaho shprehet për “Telegraf”, se ligji nuk mund të ketë veprim pasveprues, kështu që asgjë nuk mund të ndryshojë për kandidatët që do të garojnë në 21 qershor. 
Zbardhja e projektligjit të dekriminalizimit
Gazeta “Telegraf” zbardh projektligjin, që depozitoi në Parlament PD-ja për dekriminalizimin. Konkretisht, ky projektligj përmban disa shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 mbi “Kodin Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ku kërkon që nenit 184 t’i shtohet Neni 184/1 “Kushtet për moskandidim dhe mozgjedhshmëri të personave me rekorde kriminale për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015” dhe Neni 184/2 “Verifikimi i kushteve për moskandidim dhe mozgjedhshmëri si deputet në rastin e krijimit të vakancave në lidhje me zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015”
Neni 184/1
1. Për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015, nuk mund të kandidojnë e as mund të zgjidhen personat të cilët kanë rekorde kriminale, sepse janë dënuar me vendim përfundimtar të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Repulikës së Shqipërisë, për:
a) kryerjen e një krimi të rëndë të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79 shkronjat “ç”, 79/a, 79/b dhe 79/c, 109, 109/b, 110/a, 111, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;
b). kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
c). për kryerjen me dashje të një krimi që nuk perfshihet nga gërmat “a”dhe “b” të kësaj pike dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2- Për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015, nuk mund të kandidojnë e as mund të zgjidhen edhe personat për të cilët është vendosur masa e sigurimit personal “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi” dhe/ose janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë, për:
a). pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale, sipas parashikimeve të neneve 333 dhe 333/a të Kodit Penal dhe për kryerje të krimeve prej tyre;
b). pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura, sipas parashikimeve të neneve 234/a dhe 234/b të Kodit Penal dhe për kryerje të krimeve prej tyre;
c). kryerjen e veprave të tjera, për qëllime terroriste, të parashikuara në pjesën e posaçme, kreu VII i Kodit Penal.
Neni 184/2
Verifikimi i kushteve për moskandidim dhe mozgjedhshmëri si deputet në rastin e krijimit të vakancave në lidhje me zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015
1. Vetëdeklarimi dhe verifikimi i rekordeve kriminale në përputhje me nenin 184/1 bëhet edhe për çdo kandidat të listave shumëemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet për Kuvendin të dates 23 qershor 2013, kur për shkak vakance në Kuvend, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant.
2. Për kandidatët e listave shumëemërore për zgjedhjet për Kuvendin sipas pikës 1 të këtij neni, kur verifikohen kushtet e mozgjedhshmërisë sipas këtij neni, KQZ shpall faktin e moszgjedhshmërisë së personit përkatës dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod”.
Flasin për “Telegraf”
Ermonela Felaj, Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin: Instituti i rehabilitimit për funksionarët e larë e deputetët nuk duhet të funksionojë
Ende nuk e kam parë projektligjin që ju thoni, thjesht kam parasysh rastin e shpalljes së një të ashtuquajture “platformë” e që s’ishte gjë tjetër veçse një propagandim i rremë nga ana e opozitës, që edhe sot e kësaj dite kur flet e përbetohet “në emër” dhe “për dekriminalizimin”, ende nuk bën minimalisht një ndjesë publike për figurat qëndrore të saj, të akuzuar për një sërë krimesh. Opozita nuk mund të bëjë “moralisten” me këtë diskutim, përkundrazi ashtu sikur Kuvendi ka vendosur, bashkë me mazhorancën, me seriozitet, me përgjegjësi dhe pa tam tame, të propozohen në komisionin e posaçëm parlamentar të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore, që u vënë një pengesë të pakalueshme mbërritjeve në pozicione të rëndësishme publike, të zgjedhura apo të emëruara, cilitdo që ka pasur të bëjë me drejtësinë. Në gjykimin tim, propozimet për dekriminalizimin duhet të prekin disa ligje duke filluar që nga Kushtetuta. Kodi Zgjedhor nuk e lejon kandidimin e atyre që rezultojne të dënuar dhe ky është filtri i parë i rëndësishëm, sikurse dhe filtra të tjerë, siç janë ato të moskandidimit pa hequr dorë nga detyra të caktuara publike ose shtetërore. I dënuar quhet cilido që dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, ndërkohë që ka një parim të rëndësishëm në të drejtën penale, universal, siç është ai i prezumimit të pafajësisë që konsideron të pafajshëm këdo, përsa kohë që për të nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë. Sa më sipër, do duhet të jenë pika qendrore të debatit, për të cilin po më pyesni, së bashku me një tjetër diskutim, atë që lidhet me një institut të së drejtës penale, institutin e rehabilitimit. Instituti i rehabilitimit mundëson rifitimin e të drejtave, riintegrimin në shoqëri, njësoj si një i padënuar, kur pas vuajtjes së dënimit dhe kalimit më pas të një afati kohe që është i ndërvaruar nga masa e dënimit të dhënë/ të marrë, personi nuk ka kryer asnjë vepër tjetër penale. Në këtë pikë, besoj që duhet të fokusohej debati! 
-A do vlejë ky institut për ata që kërkojnë të zgjidhen ose emërohen në poste të rëndësishme publike ose shtetërore? Po afatet e vendosura për reabilitim a duhet të jenë të njëjta apo duhet të ndryshojnë? 
– Këto janë disa pyetje që komisioni duhet t’i marrë në analizë. 
-A ka mundësi dhe hapësira ligjore, që të vihen filtra të tjerë, që të pengojnë personat e inkriminuar, të mos kandidojnë në zgjedhje?
– Në gjykimin tim, personat të cilët janë dënuar për korrupsion, për shpërdorim detyre, për trafiqe, krim të organizuar etj, pavarësisht nëse janë rehabilituar nuk mund të kandidojnë për poste të tilla. Përcaktimi saktësisht dhe qartësisht i nocioneve të tilla, si pazgjedhshmërisë, papërputhshmërisë dhe pakandidueshmërisë, do të na zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Për dekriminalizimin ka pasur dhe ka diskutime dhe në vende të tjera. Mjaft t’iu kujtoj Italinë ku çështja në fjalë adresohet me ligjin “Severini”, (ligji mban emrin e propozueses së tij, Ministres së Drejtësisë në qeverinë Monti) i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2013. Besoj që ky do ishte një model i mirë për t’u adoptuar edhe në kuadrin tonë ligjor. Nuk kemi pse të shpikim modele, kur probleme të ngjashme i kanë trajtuar dhe përballur edhe vende dhe demokraci europiane. 
– A e ka vullnetin maxhoranca, që Kodi Zgjedhor të pasurohet edhe me amendamente dekriminalizimi?
– Ne jemi gati për çdo ndryshim kudo që ai të propozohet, mjaft që ai që të jetë frut i një diskutimi sa seioz aq dhe profesional. 
Niazi Jaho, konstitucionalist: Projektligji i PD-së, nuk mund të diskutohet me procedurë të përshpejtuar 
-Zoti Jaho, sipas jush, a është ky projekt në përputhje më Kushtetutën projektligji që paraqiti PD për ndryshime në Kodin Zgjedhor për dekriminalizimin?
– Di vetëm njoftimin që është dhënë në media, por nuk jam njohur me përmbajtjen e plotë dhe të saktë të këtij projektligji. Si rrjedhim, nuk mund të shprehem mbi përmbajtjen e një projekti që nuk e njoh dhe aq më tepër, nëse ai në tërësi apo pjesërisht, është ose jo në përputhje me Kushtetutën. Siç jam shprehur edhe më parë, me ligje mund të bëhen edhe kufizime në të drejtën e zgjedhjes, me kusht që këto kufizime mos të cënojnë thelbin e lirive dhe të drejtave dhe në asnjë rast të mos tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 17 i Kushtetutës së RSH) 
– Pavarësisht nga fakti nëse projektligji është kushtetues ose jo, Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim atë?
– Sigurisht që po. Sipas nenit 69 të Rregullores së Kuvendit për projektligjet, pasi regjistrohen sipas rendit të paraqitjes së tyre, në një regjistrim të veçantë i kalohet Kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e tyre te deputetët. E shikoj të nevojshme të përmend se, projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë rregullore përcaktohet ndryshe. Veç kësaj, projektligjet e paraqitura nga deputetët, vihen në rendin e ditës së seancës plenare, jo më vonë se tetë javë nga data e paraqitjes së tyre (shih pikën 3 të nenit 69 të Rregullores së Kuvendit )
– Grupi parlamentar i PD ka kërkuar që ky projektligj, për rëndësinë që ka, të shqyrtohet shpejt ose me procedurë të përshpejtuar. A mund të veprohet kështu?
– Në këtë projektligj kërkohet t’i bëhen shtesa Kodit Zgjedhor. Kodi Zgjedhor, siç dihet, miratohet me votim të cilësuar (3/5 e të gjithë deputetëve) shih nenin 81 pika 2 shkronja “d”. Sipas nenit 33 pika 3 të Kushtetutës, procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara nga neni 81 paragrafi 2, me përjashtim të nën-paragrafit “dh”. Në paragrafin “dh” të nenit 81/2 të Kushtetutës, bëhet fjalë për ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo do tëbëhet në përputhje dhe në zbatim të nenit 81 pika 2 të Kushtetutës në nenin 28 të titulluar “Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve”. Në pikën 2 thuhet: “Procedura e përshpejtuar”, nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës me përjashtim të shkronjës “dh” (ligji për gjendje e jashtëzakonshme). Me sa më kujtohet, kur Gjykata Kushtetuese shqyrtoi aktin normativ të Këshillit të Ministrave lidhur me shtyrjen e afatit për zbatimin e ligjit “Për Nëpunësin Civil”, theksoi se shkeljet edhe fakti se ligje të tilla që kërkojnë botim të cilësuar (neni 81 pika 2 shkronja “e”) nuk mund të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
– Me procedurë të zakonshme, nëse ky projektligj do të miratohej, a do të arrihej qëllimi për të cilin është paraqitur?
– Nëse projektligji do të miratohet ose jo, këtë unë nuk e di. Për këtë vendos Kuvendi. Ai është organi ligjbërës, por në aspektin procedural të parashikuar nga Kodi Zgjedhor në fuqi, për të mos thënë e pamundur, kjo do të ishte e vështirë të realizohet.
– Përse, cilat janë argumentet ligjore që mbështesin këtë mendim?
– Mbështetem kryesisht në Kodin Zgjedhor në fuqi. Në nenin 67 pika 1 të Kodit Zgjedhor thuhet: “Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidatët për kryetar të njësive së qeverisjes vendore dhe lista e kandidatëve për këshilltarë vendorë, regjistrohet në KZAZ”. Afati i dorëzimit të listës shumë emërore të kandidatëve për qeverisjen vendore sipas pikës 2 të nenit të mësipërm, është 50 ditë para datës së zgjedhjeve, dmth jo më vonë se 2 maj 2015, ndërsa verifikimi i dokumentacionit të kandidimit nga KZAZ-të përkatëse, sipas nenit 73 pika 1 të Kodit Zgjedhor në fuqi, duhet ërë jo më vonë se 45 ditë përpara ditës së zgjedhjeve dmth jo më vonë se data 7 Maj 2015. Këto janë pra argumentet që ju kërkoni të dini lidhur me aspektin ligjor e procedural (kohën, afatet) ku mbështetet mendimi im i mësipërm lidhur me projektligjin.
– Vetë mazhoranca dhe opozita kanë qenë dakord, në marrëveshjen e dhjetorit 2014 për miratimin e një ligji për dekriminalizimin. Përse veprohet me vonesë?
– Marrëveshja është e natyrës politike. Do të ishte gabim të interpretoja apo të supozoja qëndrimet politike, apo taktike të kësaj apo të asaj partie politike. Pyetëm dhe kur e shikoj të mundshme, shpreh mendimet në aspektin ligjor dhe kushtetues të problemit. Është në të drejtën e secilit të pranojë apo të kundërshtojë këto mendime. Por kuptohet, kur ato janë të natyrës ligjore, argumenti pro ose kundër duhet të jetë gjithashtu i natyrës ligjore.
Armando Subashi: Për dekriminalizimin, duhet të ndërhyhet në Kushtetutë 
Padyshim, unë jam dakort në parim, që të ketë në Kodin Zgjedhor pengesa ligjore ndaj çdo personi të inkriminuar, të mos kandidojnë jo vetëm në zgjedhjet lokale, por edhe në zgjedhjet parlamentare dhe madje, as në administratën publike. Por, nuk e di, se kjo çështje e madhe mund të zgjidhet thjesht vetëm me ndryshime në Kodin Zgjedhor. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, është kjo çështje duhet parë edhe në raport me Kushtetutën. Nëse Kushtetuta jonë ka vënë 2 kritere ligjore, nuk mund të mund të vëmë edhe 2 të tjera në ligj. Këtë qëndrim unë e kam parimisht, pasi ende nuk jam njohur me hollësi për propozimin konkret të PD-së. Ndoshta, më mirë do të ishte që të prekej Kushtetuta për këtë çështje. Kam frikë, se këto propozime të PD-së mund të miratohen tani, sepse mund të vijë moment që do të kërkohet, qoftë edhe nga subjektet politike, por edhe nga institucionet që të kërkojnë që të zbatohet drejtpërdrejt Kushtetuta, ndaj them, që më mirë është që të bëhen ndryshime në Kushtetutë dhe jo në Kod Zgjedhor për çështjen e dekriminalizimit. Kjo është rruga më e drejtë ligjore, që do të zgjidhë problemin në fjalë. 
Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ: Miratimi i mundshëm, në pikëpyetje zbatimi 
Për mua është më mirë të bëhet ndryshimi në Kodin Zgjedhor për dekriminalizimin, sesa të thuhet se është vonë, apo shpejt, sepse po qe se i referohemi Kodit Zgjedhor dhe zgjedhjeve që kanë filluar tashmë, fakti që kandidatët nuk janë rregjistruar në KQZ, ka kohë deri në 9 maj, që është afati më i fundit për rregjistrimin e kandidatëve, miratimi i amendamenteve për dekriminalizimin në Kodin Zgjedhor, me një procedurë të përshpejtuar, është një mundësi për të parandaluar edhe në këtë proces zgjedhor, përfshirjen në garën zgjedhore të njerëzve me rekorde kriminale. Pra, nëqoftëse ka vullnet politik, një gjë e tillë është e mundshme të bëhet, duke krijuar efekte edhe për këto zgjedhje. Precedenti për këto zgjedhje tashmë ekziston, ndaj duhet kapërcyer edhe pengesa kushtetuese, që thotë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor bëhen 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Parlamenti ynë i bëri ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, pa e respektuar këtë këtë afat. Pra, në pikëpamje legjislative ndryshimi në Kod mund të bëhet, nëse ekziston vullneti, por nga pikëpamja e funksionimit real kemi një pikëpyetje të madhe”.
Sigal