Petrit Vasili: Zbulohet strategjia e zezë e kryeministrit për riciklimin e plehrave në Shqipëri

477
Përmes një postimi në Facebook, kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vaslili ka shprehur shqetësimin e riciklimit të plehrave në Shqipëri. “Shqiptarët mbetën pa gojë muaj më parë kur kryeministri që kishte firmosur si të parin vendim të tij ndalimin e importit të plehrave, papritmas e gëlltiti e harroi dhe miratoi në qeveri një ligj për importin e plehrave, por që u bllokua në parlament”, shprehet Vasili. Ai e quajti strategji të zezë të kryeministrit importin e plehrave. “Strategjia e zezë e kryeministrit për importimin e plehrave është shumë më e qartë sot. Kina, vendi ku riciklohen 85% e plehrave të Evropës ka vendosur reduktimin drastik të 24 kategorive të mbetjeve të ngurta duke përfshirë letrën plastikën dhe tekstilet. Ministria e Mjedisit të Kinës thotë: “Ne kemi konstatuar sasi të mëdha mbeturinash me cilësi të dobët, madje edhe me mbetje të rrezikshme që janë të përziera me mbetjet e ngurta. Kjo gjë ndot seriozisht mjedisin në Kinë. “Evropa pra është në hall për riciklimin e plehrave, por edhe për asgjësimin ilegal të mbeturinave të rrezikshme”, theksoi Vasili. Në shkrimin e tij kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së shprehet, se kryeministri ynë që nuk ka asnjë merak se mjedisi në Shqipëri do të shkatërrohet, mjafton që ai të bëjë para, u vetë ofrua për ta bërë vendin tonë gropën e plehrave të Evropës dhe të trafikimit kriminal të mbetjeve të rrezikshme. “Kryeministri, jo vetëm e bëri ligjin për importin e plehrave, por dhe e mbrojti si asnjë ligj tjetër për muaj e muaj të tërë, duke çuditur të gjithë për zellin e tij të palodhur, kaq të madh e të habitshëm të pashfaqur kurrë më parë për ndonjë çështje tjetër. Bëri gjithçka kryeministri edhe për të mbyllur skandalin e 1300 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që kaluan në Shqipëri nga 2014-2016 të denoncuar gjerësisht nga mediat italiane. Çështje shumë e rëndë e pazbardhur akoma edhe sot, por që nën dritën e fakteve të reja edhe zbardhja e saj është afër….” ka deklaruar Petrit Vasili. Për këdo, qytetarë, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar, ambientalistë etj., është shumë e qartë si drita e diellit se kryeministri është i gatshëm ta shkatërroje këtë vend duke ua lënë të keqen pa kthim edhe brezave që do të vijnë pa ndjerë asnjë dhembje, ndaj duhet ndalur sot, pasi nesër do të jetë shumë vonë, u shpreh Vasili në fjalën e tij.
Sigal