Petrit Vasili: Pengu i kujt dhe i cilit interes personal është Rama, që po shet detin e Shqipërisë?

198
Sigal

Në 2020, kryeministri Edi Rama në një deklaratë në ‘Faceboo’, thoshte në lidhje me kufirin detar me Greqinë, se ndryshimet nuk bëhen pa miratimin nga Presidenti i Shqipërisë. “Por tani, Rama është marrë “peng” për këtë çështje”,- shprehet Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

“Peng i kujt dhe i cilit interes personal është Edi Rama, që marrëveshjen politike me Greqinë, e cila sipas Ministrit të Jashtëm grek Dendias është mbyllur në tetor, nuk e ka çuar as në Kuvend dhe as të Presidentit? ”,– është shprehur Vasili më tej në një postim të tijin të shpërndarë në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.

Reagimi i plotë i Petrit Vasilit:

Peng i kujt është Rama që shkel veten dhe ato që thoshte në 29 gusht 2020 për kufirin detar me Greqinë? Në një deklaratë kilometrike në facebook, Rama në 29 gusht 2020 deklaronte “Po shtoj këtu edhe një detaj teknik, por kuptimplotë. Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator. Këto ndryshime do të bëhen nëse do të rinisin negociatat dhe këto ndryshime nuk bëhen pa miratimin nga Presidenti të anëtarëve të rinj, jashtë grupit negociator askush, as kryeministri, nuk negocion dot asgjë dhe nuk shet e as blen dot asnjë litër ujë deti. E dyta, çfarëdo marrëveshje që arrihet në nivelin e grupit negociator, duhet të marrë miratimin e Presidentit, i cili ka thënë se marrëveshjen e mundshme do t’ia çojë Gjykatës Kushtetuese. Dhe e treta, marrëveshja që të marrë vlerë përfundimtare, shkon në parlament për të marrë vulën përfundimtare të Sovranit”.

Pra Edi Rama e dika shumë mirë se si bëhet dhe miratohet një marrëveshje për kufijtë shteterore, por tani mohon veten dhe gjithe ç’ka deklaruar ndaj e pyesim sot: Pengu i kujt dhe i cilit interes personal është bërë Edi Rama, që po shet jo një litër ujë deti, por të gjithë detin e Shqipërisë?

Peng i kujt dhe i cilit interes personal është Rama që vendos për një zgjidhje që e vë Shqipërinë në dizavantazh shumë të qartë dhe të një humbje të paralajmëruar përballë Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare? Peng i kujt dhe i cilit interes personal është Edi Rama, që marrëveshjen politike me Greqinë, e cila sipas Ministrit të Jashtëm grek Dendias është mbyllur në tetor, nuk e ka çuar as në Kuvend dhe as të Presidentit?

Peng i kujt dhe i cilit interes personal është bërë Edi Rama, që bën veprime të tilla kaq të rënda, që Kushtetuta ja ndalon kategorikisht, duke konsumuar krimin e tradhëtisë së lartë, pasi nuk është dhe s’mund të jetë gjë tjetër shitja e kufijve shtetërore, që ai po kryen? Përgjigja e këtyre pyetjeve është e pashmangshme dhe detyruese sepse kufijtë detare janë të Shqipërisë dhe jo të qeverisë.