Petrit Vasili: LSI e ka provuar korrektësinë e saj

508
Nënkryetari i LSI dhe kryetar i Grupit Parlamentar të LSI Petrit Vasili dje, në një konferencë shtypi në mënyrë të tërthortë kritikoi nxitimin e Ministrisë së Financave për të rritur tatimet mbi të ardhurat e rrogave të ulta me projektligjin dhe nga ana tjetër theksoi se qeveria ka nevojë për përsosje, sepse kryelartësia dhe vetkënaqësia të çojnë në rrugë të gabuar. Gjithashtu, me ton domethënie Petrit Vasili theksoi se LSI e ka provuar korrektësinë e saj në marrëdhënie me partnerët politikë. 

Petrit Vasili: Taksat të prodhojnë rritje ekonomike
Komentet e z. Meta janë të lidhura dhe qëndrojnë mbi një shinë të vetme dhe një lajtmotiv, që sistemi i taksave e gjithë politika fiskale në Shqipëri është dhe duhet të jetë e duhet të orientohet thjeshtë dhe vetëm nga një objektiv themelor dhe të patjetërsueshëm, që ky është zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike e qëndrueshme. Pa një rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të gjithë e kanë shumë të qartë, që jo vetëm një mori problemesh të tjera të karakterit infrastrukturor, të karakterit të shërbimeve të tjera nuk mund të marrin përgjigje, por mbi të gjitha, një mori e madhe problemesh sociale delikate nuk mund të marrin përgjigje pa një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ndaj, edhe vëmendja është që edhe çdo ndryshim eventual në politikat e taksave, duhet të matet ne efikasitetin e tyre vetëm me një tregues, prodhojnë apo jo rritje ekonomike të qëndrueshme. Së dyti, janë stimuluese dhe krijojnë frymëzim për biznesin që ai të investojë e të rrisë volumin e biznesit dhe njëkohësisht në mënyrë alternative të rritet edhe volumi i konsumit. 

Kryelartësia dhe vetkënaqësia na çojnë në rrugë të gabuar
Besoj se kjo analizë e kujdesshme u bën mirë të gjithëve, pasi asnjë qeverisje nuk është perfekte dhe çdo qeverisje përmirësohet dhe perfeksionohet në rrugë e sipër. Kjo ambicie për t’u përmirësuar sigurisht që është edhe ambicia më e mirë dhe më modeste që çdo qeveri duhet të ketë. Çdo kryelartësi apo edhe vetëkënaqje do të na çonte në një rrugë të gabuar. Shikimi me vëmendje dhe me sy kritik është një veprim shumë pozitiv dhe sigurisht që çdo reflektim që qeveria do të bëjë, qoftë me ndryshimet përkatëse, qoftë me rritjen e efikasitetit në dogana, në tatime, në mekanizmat e mbledhjes së të ardhurave, janë të gjitha të përshëndetura. Sigurisht që qëndrimet tona janë sinkron brenda mazhorancës dhe nuk kemi qëndrime të ndara përsa i përket rritjes së efikasitetit të funksionimit të administratës fiskale në tërësi.

LSI ka dhënë prova për korrektësinë e saj
Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie që ndërtohet mbi mekanizma politikë, ecën nën udhën e një konstruktiviteti tashmë evident për të tërë. Të një korrektese e cila ka dhënë prova të pafundme të respektimit të saj përsa i takon LSI dhe besoj që konstruktiviteti dhe korrektesa janë dhe duhet të jenë shinat ku mund të vazhdojë të qëndrojë në mënyrë solide si deri më tani, një aleancë, një bashkëpunim politik, por njëkohësisht dhe ndërtimi i një modeli politik bashkëpunimi i cili çon përpara jo thjesht e vetëm aleancën, por çon përpara në radhë të parë ato objektiva të mëdha për qeverisjen e vendit që aleanca i ka vënë vetes. Unë nuk bëj vlerësime për partnerët. Besoj se aleanca kaloi një provë të suksesshme dhe ku korrektesa bëri të sajën dhe e dha një provë më shumë pozitive dhe jo një provë më pak.

Vendim i marrë pa analizë, riciklon problemet
Ne jemi të gjithë sëbashku seriozë dhe të preokupuar që ecuria të jetë gjithmonë në rrugën e duhur dhe të mos humbasim kohë dhe në çdo vend ku ka nevojë për korrigjime, ato të bëhen shpejt dhe pa hezitim duke bërë në çdo rast një analizë të situatës të kujdesshme, të vëmendshme, sepse vetëm kjo analizë mund të prijë drejt vendimeve të drejta. Çdo vendim i marrë pa një analizë të kujdesshme, sigurisht që do të riciklonte problemet e mëparshme. Ekipi qeverisës është i qartë kushtetueshmërisht, por edhe politikisht që e drejton kryeministri. Ai është monitoruesi i përditshëm i punës së qeverisë dhe punës së çdo ministri përkatës dhe është i vetmi që mund të masë këtë performancë dhe ta vlerësojë atë pozitivisht apo negativisht. 
Sigal