Rritja progresive e tatimeve është dështim progresiv i qeverisjes së Rilindjes

580
Dorjan Teliti, Këshilltar për Ekonominë dhe Financat pranë Grupit Parlamentar të PD në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke theksuar dështimin e sistemit fiskal që zbaton qeveria e Rilindjes, pohon se e vetmja zgjidhje është që të rivendoset taksa e sheshtë në 9 %. Ndërsa Akti Normativ për të rishikuar buxhetin në shtator përdoret si instrument jo transparent dhe në kundërshtim me ligjin. Zoti Teliti shton se “Të dyja paketat e mbrapshta fiskale dhe propozimi i ditëve të fundit, kanë patur dhe kanë si qëllim vetëm rritjen e barrës tatimore dhe jo uljen e saj, rritje për të gjithë konsumatorët dhe bizneset, si rritja progresive e tatimit mbi të ardhurat personale, rritja me 50% e tatimi fitimit, rritja e akcizave dhe taksës së qarkullimit, etj”. 
– Zoti Teliti çdo te thotë rishikim i buxhetit të shtetit, për të cilën qeveria do sjellë Aktin Normativ në shtator në Parlament?
– Rishikimi i buxhetit duhej të ndërmerrej që në fund të muajit qershor. Deklaratat e Ramës për ecuri mbresëlënëse të ekonomisë janë mashtrimi i rradhës i mazhorancës. Shkaqet që na çuan në një rënie kaq të ndjeshme të të ardhurave, janë nga tatimet dhe doganat. E gabuar është edhe mënyra e përdorur për të ndryshuar ligjin e buxhetit 2015. Për të disatën herë, Aktit Normativ, u përdor si instrument jo transparent dhe në kundërshtim me ligjin, sepse për të ndërmarrë Aktin Normativ duhet të verifikohen njëkohësisht edhe nevojshmëria edhe urgjenca. Ndërkohë, që nevojshmëria është mëse e justifikuar për shkak të ecurisë negative të mbledhjes të së ardhurave, urgjenca nuk është e justifikuar, pasi qeveria kishte gjithë kohën e duhur në dispozicion për të ndjekur procedurën normale dhe ligjore, atë të dërgimit të projektligjit për diskutim në komisionet parlamentare dhe seancë plenare, si brenda sesionit parlametar që sapo është mbyllur ashtu edhe në fillim të sesionit të ardhshëm në shtator. Tashmë gjatë qeverisjes të së Majtës, është bërë një praktikë normale përdorimi i Aktit Normativ, me të vetmin qëllim që të ulet sa më shumë vëmendja e publikut dhe grupeve të interesit. Ndërmarrja e Aktit Normativ do të thotë që tashmë ndryshimet e buxhetit 2015 janë bërë efektive dhe po zbatohen që në ditët e para të muajit gusht, ndërkohë që diskutimet në parlament mbi këto ndryshime do të bëhen në muajin shtator, duke bërë të pamundur që të reflektohen ndryshime, të cilat deputetët e parlamentit, pavarësisht krahëve politike që përfaqësojnë, mund të propozonin gjatë diskutimit në shtator. 
– A mund të jetë e pranueshme politikisht projektligji për tatimin mbi të ardhurat që do të sjellë qeveria në parlament meqë kjo është kërkesë e FMN?
– Kjo iniciativë nuk është as politikisht dhe as ekonomikisht korrekte. Së pari duhet të saktësojmë që kjo nuk është një kërkesë e FMN-së, pasi FMN nuk i dikton qeverisë të ulë apo të rrisë taksat, apo të ulë apo të rritë shpenzimet, por ka për objektiv kryesor të sajin ruajtjen e deficitit dhe borxhit publik brenda niveleve të paracaktuara në marrëveshjen midis saj dhe qeverisë. FMN trumbeton me forcë idenë që rruga e duhur është mirëadministrimi dhe ulja e evazionit, si instrumentet e duhura për të arritur këto objektiva. Së dyti, duke vërejtur ecurinë e këtyre dy viteve të fundit, e sidomos të muajve të fundit, nga ana e qeverisë nuk janë bërë hapa përpara në fushën e mirëadministrimit, përkundrazi, jemi të tërë dëshmitarë që administrimi i tatimeve dhe doganave lë shumë për të dëshiruar, pasi konstatohen rritje të ndjeshme të kontrabandës, sidomos të mallrave të akcizës, siç janë karburantet, cigaret, etj, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në gropën financiare të të ardhurave edhe gjatë gjysmës së parë të vitit aktual, gropë e cila tashmë ka reflektuar në uljen e shpenzimeve për investime në bujqësi, shëndetësi, arsim, rrugët nacionale, në pagesën e papunësisë dhe në heqjen e shpërblimit të fundvitit për të gjithë punonjësit e administratës publike. Duke qenë se abuzimet nga organet e mbledhjes të së ardhurave janë shumë të mëdha, në vend që të ndërmerren hapa konkrete në përmirësimin e sistemit të mirëadministrimit dhe luftës ndaj evazionit fiskal, qeveria vazhdon të ndërmarrë edhe një herë tjetër rrugën më të lehtë, atë të rritjes së mëtejshme të taksave për të mbushur arkën e shtetit, duke hedhur kësaj rradhe idenë e ndryshimit të skemës së taksimit të të ardhurave personale, duke përfshirë në këtë skemë edhe pagat më të ulta sesa 30 mijë lekë, tatim i cili është hequr zyrtarisht që në prill 2013 nga qeveria e PD. Në rast se kjo iniciativë e Ministrisë së Financave do të konkretizohej, do të kishte një efekt të ndjeshëm negativ në xhepat e të gjithë konsumatorëve, sidomos të shtresave me të ardhura të ulta, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të shoqerisë, duke ulur akoma edhe më shumë fuqinë e tyre blerëse, pa përmendur uljen e fuqisë blerëse gjatë dy viteve të fundit si pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve dhe ngrirjes së pagave apo mosrritjes së pagës minimale në shkallë vendi. Me dy llogaritje të thjeshta, sipas skemës së re të propozuar ditët e fundit, çdokush që paguhet me pagën minimale, e cila është 22.000 lekë, siç janë psh shumë persona të punësuar në sektorin fason, nga zero lekë tatim mbi të ardhurat personale, do të detyrohet të paguajë 1660 lekë në muaj. Ndërsa kush paguhet 30.000 leke (e cila është vlera maksimale e përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale që nga prill 2013), do të paguajë 2700 lekë në muaj, e thënë ndryshë këto janë para më pak çdo muaj për këta të punësuar, të cilët janë me dhjetëra mijëra persona, para më pak për konsumin e përditshëm familjar. Të dyja paketat e mbrapshta fiskale dhe propozimi i ditëve të fundit, kanë patur dhe kanë si qëllim vetëm rritjen e barrës tatimore dhe jo uljen e saj, rritje për të gjithë konsumatorët dhe bizneset, si rritja progresive e tatimit mbi të ardhurat personale, rritja me 50% e tatimi fitimit, rritja e akcizave dhe taksës së qarkullimit, etj. 
– Ju akuzoni qeverinë se politika e saj e ka çuar ekonominë tonë në krizë ekonomike. Edhe opozita e PS akuzonte qeverinë për të njëjtën gjë. Kjo krizë e sotme e ekonomisë tonë tani a është vazhdimësi e krizës para 2013?
– Mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin ekonomik, mungesa e theksuar e sigurisë juridike, rritja e ndjeshme e barrës fiskale, problematikat me menaxhimin e pronës dhe tokës, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e institucioneve me impakt të lartë në ecurinë ekonomike, janë shkaqet kryesore të krizës që bizneset dhe familjet shqiptare po ndjejnë çdo ditë e më shumë, duke i çuar shumë biznese drejt falimentit dhe mijëra njerëz të marrin edhe rrugët e emigrimit për një jetë më të mirë. Tashmë pas dy vitesh qeverisje, i gjithë publiku e ka kuptuar që tezat e ngritura nga e Majta në kohën që ishte në opozitë, ishin të pabaza dhe thjesht të motivuara politikisht. Ndonëse problematikat ishin të shumta, absolutisht nuk mund të flitet për krizë ekonomike gjatë qeverisjes së mëparshme, për më tepër që këtë e thonë edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, si psh FMN, e cila e shkruante se ekonomia shqiptare ia doli mbanë t’i bënte ballë presioneve të krizës ekonomike botërore, ndonëse norma mesatare e rritjes ekonomike nuk ishte ajo e periudhës së para-krizës, përsëri ekonomia shqiptare performoi mëse pozitivisht krahasuar me vendet e rajonit, duke ruajtur një normë pozitive të rritjes ekonomike. Ditë më parë, në një raport të FMN vlerësohej taksimi i sheshtë si një instrument pozitiv në ecurinë ekonomike dhe të të ardhurave të Shqipërisë gjatë viteve të kaluara. Ndërkohë që deri në vitin 2013 ekonomia karakterizohej nga rritje ekonomike, rritje te konsumit, rritje të kredititimit, rritje të investimeve të huaja, ulje të papunësisë, rritje reale pagash dhe jo ngrirje të tyre, rritje reale pensionesh dhe jo thjesht indeksim të pjesshëm me normën e inflacionit, rritje investimesh private dhe publike. Tashmë dihet dhe ndihet që ekonomia shqiptare, fatkeqësisht, po përjeton një periudhë, në rastin më të mirë, stanjacioni ekonomik, ku kërkesa konsumatore është mjaft e dobët, investitorët e brendshëm janë të “frikësuar”, investitorët e huaj nuk janë më të tërhequr nga ideja e ardhjes dhe investimit në Shqipëri, si pasojë kryesisht e mungesës së theksuar të sigurisë juridike dhe barrës fiskale gjithnjë e në rritje, kreditimi i ekonomisë në stanjacion, papunësia është 30% më e larta sesa ajo e para dy viteve, investimet aq të nevojshme sidomos në infrastrukture të cilat i japin një shtysë pozitive rritjes ekonomike janë zëvendësuar tashmë me mbjellje palmash dhe zbukurime fasadash, të cilat me të vërtetë mund të jenë më të këndshme nga ana vizuale, por nuk sjellin më shumë hapësira për konsumatorët për të rritur konsumin dhe mirëqënien familjare. Këto investime duhen, por akoma edhe më shumë nevojiten politika që rrisin prodhimin, punësimin dhe investimet me impakt në ekonomi, politika që fatkeqësisht janë lënë mbas dore. 
– Përse ka dështuar të ardhurat e buxhetit të shtetit për 2015? Fajësohet vetëm korrupsioni?
-. E patëm thënë dhe e rithemi çdo ditë që rritja e taksave nuk mund të luftojë informalitetin, përkundrazi, ndikon gjithjë e më shumë në rritjen e saj. Tashmë, si pasojë e keqqeverisjes, politikave të gabuara dhe abuzimeve nga më të ndryshmet, është zyrtarizuar ulje e parashikimeve për mbledhjen e: TVSH-se me 3%, i cili është treguesi kryesor i konsumit, ulje të akcizave me 13.2%, ulje të tatimit mbi të ardhurat personale me 9.9%, ulje të taksave nacionale me 16.7% dhe ulje të taksave doganore me 13.5%. Ndonëse dihet korrupsioni në organet kryesore që janë përgjegjëse për mbledhjen e të ardhurave është në nivelet maksimale, kjo është shoqëruar edhe me një sjellje deri diku edhe “policeske”, ku qëllimi kryesor nuk është që të konsiderohet biznesi si partner, por thjesht si një entitet që mund të shërbejë nevojat dhe tekat e qeverisjes. 
– Përse në Shqipëri klima e të bërit biznes nuk është e përshtatshme për investitorët e huaj, gjë që e evidentoi edhe Merkel në Tiranë?
– Nëse deri para disa vitesh, Shqipëria ishte një nga vendet me atraktikë në rajon në përthithjen e investitorëve të huaj, tashmë ne nuk e gezojmë më këtë status. Që një investitor të jetë i interesuar dhe të vendosë që të investojë në Shqipëri ka të domosdoshme të gjejë një ambjent që karakterizohet nga një klimë shumë më të mirë të të bërit biznes, të konceptohen dhe implementohet iniciativa sektoriale, të ketë një barrë fiskale më të ulët, ndërkohë që sot jemi vendi i dytë në rajon për taksa më të larta pas Bosnjës, të ketë përballë një administratë shumë më tepër të kualifikuar e cila të jetë në gjendje të njohë dhe të respektojë rigorozisht aktet ligjore dhe nënligjore. 
– Përse në Shqipëri çmimi i naftës është më i larti në Europë? Kujt i intereson?
– Çmimi i lartë i naftës në Shqipëri vjen si pasojë edhe e rritjes së barrës tatimore, ku përmendim që në vetëm 13 muaj taksa e qarkullimit u rrit 24 lekë (20 lekë + TVSH), por edhe si pasojë e një keqadministrimi nga ana e qeverisë të marrëdhënieve me importuesit dhe tregtuesit e naftës. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë që një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe cilësia e naftës së tregtuar, cilësi më e ulët sesa ajo që tregtohet në vendet e rajonit, duke ndikuar negativisht në mënyrë të tërthortë në xhepat e të gjithë konsumatorëve. Opozita përveç rritjes së taksës së qarkullimit, shpeshherë ka denoncuar edhe lidhjet klienteliste, lidhje të cilat, shoqëruar edhe me rritjen e barrës tatimore, bëjnë që sot shqiptarët të vuajnë dhe të paguajnë çmimin e naftës më të shtrenjtë në rajon dhe Europë. 
– Masat e shkurtimeve të buxhetit në zëra si investimet publike, të shkurtimit të pagave, të shpenzimeve për Arsim, Shëndetësi, të ndihmës sociale a mund të mbushin arkën e shtetit për dificitin e krijuar nga tatimet e doganat? 
– Ajo që është më shqetësuese, është fakti që shkurtimet janë më të mëdha sesa niveli i mosrealizimit të të ardhurave të gjysmës së parë të vitit. E thënë ndryshe, qeveria ndonëse deklaron se do marrë hapa për përmirësimin e situatës në tatime dhe dogana gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual, ajo ndërkohë ka ulur me 9 miliardë lekë planin e këtyre dy institucioneve për gjysmën e dytë të vitit, duke i dhënë akoma edhe më shumë hapësirë, tashmë të zyrtarizuar, për abuzime nga më të ndryshmet. Si pasojë e abuzimeve dhe keqadministrimit, qeveria ndonëse i ka taksuar më shumë bizneset dhe konsumatorët, ndërmerr edhe një ulje të shpenzimeve buxhetore në sektorët prioritare. Kjo ndodh pasi duke qenë se buxheti ka hapësira mjaft të kufizuara për të shkurtuar shpenzimet të cilat mund të konsiderohen si të “panevojshme”, pasi këto lloj shpenzimesh janë shkurtuar që gjatë qeverisjes së mëparshme me qëllim mirëadministrimin e shpenzimeve në mënyrë eficente, kjo bën që shkurtimet aktuale të bien në ato zëra të cilat do të ishte mirë të mos uleshin, përkundrazi mundësisht edhe të rriteshin. 
-Faleminderit!
Sigal