Petrika Mele: Socialistët e ndershëm e braktisin ‘Rilindjen’

555
Sigal

Petraq BARJAMI

Petrika Mele, kryetar i LSI-së Korçë në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se qytetarët në Korçë, janë lënë në mëshirë të fatit, deri tani qeveria nuk ka rimbursuar asgjë për qytetarët e infektuar nga Covid e që trajtohen  në shtëpi, ndërkohë që i mashtroi banorët, të cilët kanë mbetur në qiell nga tërmetet e 2019. Zoti Mele shpjegon pse socialistët e braktisin ‘Rilindjen’ dhe pse i bashkohen LSI-së, si e vetmja forcë progresiste e së Majtës.

– Zoti Mele, si është gjendja e sotme në Korçë?  Konkretisht, sa u ndihmuan bizneset dhe qytetarët nga qeveria për të përballuar situatën e pandemisë?

– Korça është në frontin e parë të mbylljes së qepenave të biznesit. Dyqanet bosh që shohin një deri në dy klientë në ditë janë tashmë një normalitet në optikën e qytetarëve, që merren me biznes. Lehtësitë fiskale për biznesin e vogël nga ana e Bashkisë Korçë nuk u konkretizuan kurrë. Jemi në fazën kur për shkak të keqmenaxhimit, pandemia e ka gjunjëzuar biznesin në Korçë.  Duke braktisur forcën e arsyes dhe njerëzores, ndihma e ‘Rilindjes’ për banorët e prekur nga Covid-19,  të cilët e kaluan atë në kushte shtëpie, ka qenë në kuotën  ZERO për rimbursimin e barnave.

LSI dhe fronti opozitar janë të anagazhuar maksimalisht në çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët, duke i dhënë në këtë formë impulse të reja zhvillimit të ekonomisë, stabilizimit të tregjeve të lira dhe hapjes së vendeve të reja të punës

– A u ndihmuan banorët që pësuan dëmtime nga tërmeti i  2019?

– Në qershor dhe nëntor të 2919, Korça dhe zonat përreth saj si Floqi, Qafzezi apo Vidohova, u prekën nga lëkundje të forta sizmike, të cilat u shoqëruan me dëme të shumta materiale. 17 muaj pas rënies së tërmetit kemi akoma shumë familje në këto zona, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit nga pushteti qendror dhe ai lokal. Pasimet e kompetencave ndërmjet burokratëve të instititucioneve përgjegjëse synojnë t’i lodhin dhe t’i demoralizojnë banorët e dërmuar nga termeti. Papërgjeshmëria e institucioneve, ka marrë një dimension të paprecedentë, pasi shumë familje vazhdojnë të jetojnë ende në këto banesa totalisht të shkatërruara, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

– Zoti Mele, pse fermerët e zonës së Korçës, megjithëse kanë prodhime të mira, nuk gjejnë dot treg?

– Fusha e Korçës për shkak të pozicionit gjeografik dhe fermerëve të saj tejet punëtorë, ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë. Bujqësia sot është në rënie të lirë, sepse kjo qeveri nuk subvencionon dhe nuk përkrah fermerët. Një model tjetër zhvillimi është fqinji ynë. Bujqësia në Maqedoninë e Veriut përbën zërin kryesor të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Financimi për bujqësinë dhe fermerin është 10 herë më i lartë se në Shqipëri. Pra Maqedonia e Veriut ka arritur të prodhojë më shumë mirëqënie për qytetarët e saj vetëm duke investuar disa herë më shumë se ne në bujqësi. Sot, ata kanë të ardhura një herë e gjysëm më shumë se ne. LSI ka një platformë të prekshme në shërbim të fermerëve. Platformë e cila përfshin: Subvencion të drejtpërdrejtë për çdo fermer, çdo fermë të ndërtuar dhe çdo dynym toke të punuar. Heqjen e akcizës së naftës për fermerët. Heqjen e barrierave për subvencionim dhe përkrahjen e produktit vendas.

– Cilat janë shkaqet që rinia e Qarkut të Korçës emigron?

– Largimi masiv i të rinjve në Shqipëri dhe veçanërisht në Korçë, është i motivuar nga varfëria, papunësia dhe mungesa e perspektivës. Punësimet nepotike, abrogimi i një sistemi meritokracie dhe institucione shtetërore të gjunjëzuara dhe në shërbim të oligarkëve kanë vrarë shpresën tek të rinjtë. Pra rinia, forca më vitale e shoqërisë është në një krizë të thellë besimi dhe kjo për shkak të ‘Rilindjes’ dhe enturazhit të saj banditesk. Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një arsim cilësor, ku pjesë e projektit të saj është reformimi i arsimit të lartë. LSI do të jetë e përqëndruar në punësimin e të rinjve dhe lidhjen e tyre me tregun e punës, si një mjet efikas për të ndalur hemorragjine e largimit të të rinjve.

– Nëse i referohemi qeverisjes 8 -vjeçare të ‘Rilindjes’, cilat janë investimet publike që janë bërë për infrastrukturën, përmirësimin e kushteve të jeteses?

– ‘Rilindja’ është e vetmja forcë politike, e cila në 8 vite qeverisje nuk ka konturuar investime të prekshme infrastrukturore për banorët e Korçës. Makiazhi elektoral dhe investimet fasadë janë binomi i vetëm funksional i kësaj qeverie në nivel qendror dhe lokal. Për më tepër, paratë e taksapaguesve të ndershëm të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë nuk mund të shkojnë për të paguar vetëm koncesionet abuzive dhe PPP-të klienteliste. Batërdia me PPP-të e ka çuar ekonominë buzë greminës. LSI dhe fronti opozitar janë të anagazhuar maksimalisht në çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët, duke i dhënë në këtë formë impulse të reja zhvillimit të ekonomisë, stabilizimit të tregjeve të lira dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

– Zoti Mele, ju si e shpjegoni paradoksin që socialistët, edhe pse partia e tyre qeveris e vetme, po e braktisin dhe i bashkohen LSI-së që është në opozitë?

– Ky tashmë nuk është një paradoks, por një realitet, i cili po bëhet çdo ditë e më shumë i prekshëm. Socialistët e ndershëm i largohen ‘Rilindjes’, sepse ajo nuk mishëron asnje ideal të së Majtës, përkundrazi është një konglomerat antivlerash. Si mund të ekzistojë një socialist i ndershëm në ‘Rilindje’, një sekt, ku valencën më të lartë e kanë banditët dhe të korruptuarit ? Socialistët e ndershëm i bashkohen LSI-së, sepse ajo është e vetmja forcë politike progresiste e të Majtës. Socialistët i bashkohen LSI-së, sepse në LSI fokusi janë të rinjtë, të cilat janë forca më vitale e shoqërisë.