Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu ku është në izolim, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në Përmet.
Duke ironizuar me “Akademinë e Çobanëve”, Meta thotë se Rama u interesua sot nga Përmeti për pagën e çobanit në raport me Greqinë, por ai duhet të pyesë INSTAT-in të të tregojë kush e përgjysmoi numrin e bagëtive në Përmet dhe në të gjithë Shqipërinë?
“Pyete përse kope të tëra janë shitur për një copë buke dhe ato pak baxho që kanë ngelur më shumë harxhojnë se sa fitojnë?
Përgjigjen ta japin përmetarët se janë ata dhe jo ti, rilindas të vërtetë dhe pasardhës të Frashërllinjve:
Sepse t’i bëre “Ballkanin e Hapur” për të shkatërruar prodhuesin dhe fermerin vendas për t’ja çuar dëm sakrificat e pafund dhe djersën e derdhur.
Sepse rruga Skrapar-Përmet ka ngelur në fshatin Rog që në vitin 2017 dhe do mjaftonte vetëm 1/10 e aferës së tunelit të Llogarasë për të lidhur dy luginat e mrekullueshme të rafting, atë të Osumit dhe Vjosës.
Shpopullimi i këtyre trevave ka qenë i vetmi prioriteti i yti dhe jo zhvillimi .
Gjete përmetarët për t’i mashtruar për miliardat që do të vijnë nga BE kur me pragun tënd artificial një fermer merr 0 lekë mbështetje nëse ka 9 lopë ose nëse ketë 99 dele ose dhi?
Po pse nuk e dinë fermerët dhe blegtorët e Përmetit se ti bashkë me bandën tënde i vodhët fondet e IPARD-it dhe i çuat edhe ato te inceneratori që nuk ekziston?
Po me rrugën Përmet-Frashër që e ke premtuar nja 5 herë si ujin e pijshëm a ja u tregove përmetarëve pse nuk e realizove kurrë?
Ndërsa atë këngën që porosite në Kolonjë, e dëgjove tamam atje ku u shemb rruga jote si kala rëre para 1 viti dhe ku tërë kolonjarët e panë me sytë e tyre që kishte një tegel asfalt sa një fletë cigareje dhe gjithçka u bë pluhur e hi nga korrupsioni skizofrenik i yt dhe i bandës tënde që të rrethon”, thotë në mesazhin e tij në facebook, presidenti i PL Ilir Meta.