Lëvizja Rinore për Integrim ka zhvilluar një takim me të rinjtë e të rejat dhe me pjesëmarrjen e disa prej personaliteteve më të spikatura të LSI-së në kuadrin e aktiviteteve përmbyllëse të kampingut veror, që është zhvilluar në bregdetin e Jalës gjatë këtyre ditëve. Të pranishëm në këtë ceremoni përmbyllëse mes qindra të rinjve dhe të rejave ishin deputetët Monika Kryemadhi, Vangjel Tav,o apo edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, si dhe Zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj. Duke folur para pjesëmarrësve të kampingut veror, Edmond Panariti tha se qëllimi i këtij kampi nuk ishte vetëm zbavitja, por ishte solidariteti, ndarja e përvojave dhe frymëzimi që të qenit bashkë transmeton.
Ministri shprehu bindjen se me këtë rini Shqipëria dhe LSI-ja e ka të ardhmen e garantuar. “Shpresoj që të jeni frymëzuar, sepse qëllimi i këtij kampi nuk është vetëm zbavitja, është solidariteti, është ndarja e përvojave, është frymëzimi që të qenit bashkë, transmeton, jep dhe shumëfishin. T’ju them të drejtën, sa herë që vij këtu, aq më tepër më konsolidohet bindja që pikërisht me këtë rini ne kemi të ardhmen e garantuar, ne i kemi fitoret të garantuara. Ky është investimi më i zgjuar, më strategjik që LSI-ja ka bërë, që LRI-ja ka bërë dhe që të dy janë komplementare ndaj njëra-tjetrës. Jam i lumtur që ju tashmë mbyllët me sukses këtë kamp veror, ku keni dalë më me energji, më me vizion dhe më me dëshirë për të realizuar ato objektiva që ne kemi për rininë e shkëlqyer, për këtë shpresë të rimëkëmbjes së vendit, për këtë motor të fuqishëm të LSI-së, për këtë garanci që ne kemi për fitore dhe për objektivat për rritjen tonë, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë dhe për zhvillimin e vendit të jetës social ekonomike”, tha Panariti.
Gjithashtu, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nënvizoi se të rinjtë japin garancinë që të gjitha objektivat ambicioze të realizohen, sepse me këtë rini plot energji nuk ka gjë që nuk arrihet. “Mendoj që me ju së bashku ne kemi garancinë, që të gjitha ato objektiva ambicioze që kemi vënë përpara do t’i realizojmë, sepse me këtë rini plot energji, me këtë rini të kultivuar, të edukuar nuk ka gjë që nuk arrihet. Unë dëshiroj dhe besoj që vitin që vjen do të jemi më shumë, sepse ne çdo vit rritemi. Ju e shikoni që ky kamping ka tendencën të rritet, të shumëfishohet me pjesëmarrje të re, me energji të reja, por ajo që është kryesore, është që nëpërmjet këtij kampingu, ne rrezatojmë një frymë të cilën nuk ka mundur ta realizojë asnjë forcë politike, frymën e solidaritetit. Kampingje të tilla i organizon vetëm LRI-ja, kampingje të tilla i organizon vetëm LSI-ja”, shtoi Edmond Panariti. Ndërsa deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është forca politike më dinamike në vend, që rritet përditë numerikisht dhe se sekreti i këtyre arritjeve është lideri, Ilir Meta, i cili përbën një frymëzim për të gjithë ne. Sipas Tavos, një sekret tjetër i kësaj rritjeje është LRI-ja. “Dua të them që Lëvizja Socialiste për Integrim vërtetë është një parti e re, por është forca politike më dinamike në vend, është forca politike që rritet përditë numerikisht, por edhe nga ana cilësore dhe kjo ka një sekret. Ka një sekret që në fakt ne e dimë të gjithë dhe nuk është aspak për t’u mbajtur i fshehtë, por mund të bëhet publik. Ka një lider që quhet Ilir Meta, ai është frymëzimi për të gjithë ne. Ka një sekret tjetër, dhe sekreti tjetër jeni ju, është LRI-ja që ne si forcë politike na bën krenar. Jeni ju, jeni shpirti i LSI-së.
Është LRI-ja frymëzuesja jonë e më të rriturve, jeni ju që na jepni energji nga energjia juaj dhe na jepni fitoren ashtu sikurse ka qenë fitorja e 21 qershorit për LSI-në, jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë ku LSI-ja ka patur një rritje spektakolare. Dhe unë gjej nga rasti të falënderoj LRI-në e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë por pa dyshim për Gjirokastrën time. LSI-ja është forca politike që investon për të tashmen, investon për ju për të pasur nj të ardhme të sigurt”, theksoi deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj tha se Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i japë standarde dhe vlera Shqipërisë, ndërsa vlerësoi kontributin e madh të rinisë në sfidat që ka vendi. “Por në të gjitha sfidat tuaja ju të rinjtë dhe të rejat do të jeni pjesa reale e zhvillimit të shoqërisë dhe unë jam shumë e bindur që me energjinë që keni, ju jeni uragani më i madh i Shqipërisë”, tha Nora Malaj. Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari theksoi gjatë fjalës përshëndetëse se Lëvizja Rinore për Integrim është një ekip rinor i jashtëzakonshëm, që ka solidaritetin dhe energjinë pozitive. “Dhe gjithçka tjetër e bën si në familjen e vet, sepse LRI-ja është familja jonë, është shtëpia jonë, duke qenë kështu gjithmonë një hap para të tjerëve në gjithçka, jo vetëm në organizim”, tha Braimllari. Gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit në këtë kamping veror janë angazhuar në debate publike dhe kanë marrë pjesë në seminare me diplomatë të huaj, ministra, politikanë ku kanë shkëmbyer ide në lidhje me çështje të ndryshme si integrimi në BE, arsimi, formimi profesional, etj. Pas përmbylljes së aktiviteteve pjesëmarrësit e kampingut të LRI-së kanë ndërmarrë edhe një aksion vullnetar në shërbim të komunitetit dhe ambienteve publike për pastrimin e plazhit të Jalës nga mbeturinat.





















