Për koalicionet do vendosim së bashku me strukturat.

474
Flet Ilir Meta: Shkarkimi i Manjanit, Zgjedhjet e 18 Qershorit, aleanca me PS, çështja Balili, SHBA dhe raportet me PD
Do t’ju them për Naimin dhe për të gjithë “sorrat” anti-LSI se LSI nuk është një parti klienteliste dhe nuk është shtojca e askujt, as ka qenë, as ka për t’u bërë.
Kreu i LSI dhe njëkohësisht edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë , ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët brenda limiteve të mbylljes së muajit të parë të 2017. Ndoshta takimet e shumta të zotit Meta si dhe vizita e suksesshme në SHBA kanë bërë që ky takim të zhvillohet në këtë periudhë. Madje vetë Kreu i LSI e theksoi që në fillim kur deklaroi se : “ Është kënaqësi të bëjmë një bisedë të parë në këtë fillim viti pak të vonuar, duke marrë në konsideratë disa nga çështjet më të rëndësishme, për të cilat duhen zgjidhje sa më të shpejta, që do të ndikojnë për ecurinë e reformave dhe të vendit, për stabilitetin e tij, por edhe për vetë procesin e pritshëm të çeljes së negociatave për anëtarësim pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian.
Së pari, do të theksoja rëndësinë e përfundimit të reformës zgjedhore, që është çështja më shqetësuese dhe alarmante, që duhet të ishte mbyllur me kohë, për të cilën, edhe unë, si Kryetar i Kuvendit, kam apeluar dhe insistuar në mënyrë të përsëritur. Për fat të keq, edhe pse jemi gati 26 vjet në demokraci, sërish nuk po shkëputemi dot nga tradita e mosdhënies së konsensusit dhe mirëbesimit të plotë, jo thjesht ndaj njëri-tjetrit si forca politike, por, në radhë të parë, ndaj qytetarëve shqiptarë për t’u garantuar standardet më të larta të zgjedhjeve dhe klimën më konstruktive, në mënyrë që ata të votojnë të qetë për atë alternativë që besojnë se do ta çojë vendin më përpara dhe më mirë. 
Së dyti, dua të vlerësoj edhe një herë hedhjen e shortit për anëtarët e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, si një proces tepër transparent i fillimit të krijimit të institucioneve të reja. Unë dua të shpreh angazhimin e LSI-së për vazhdimin transparent të zbatimit të kësaj reforme dhe të krijimit të të gjitha institucioneve të reja larg çdo ndikimi jo transparent apo klientelist, të brendshëm apo të huaj, që mund të cenojë deformimin e institucioneve të reja të drejtësisë, besueshmërinë e tyre, por edhe qëllimet e kësaj reforme madhore për vendin për dekadat që do të vijnë. Në këtë drejtim, është shumë i rëndësishëm zbatimi transparent dhe i paanshëm i kësaj reforme, i krijimit të institucioneve të reja, njëkohësisht edhe miratimi i vëmendshëm dhe i përgjegjshëm i 27 ligjeve të tjera, që janë në proces, në mënyrë që të mos vendosemi para situatave të papritura në të ardhmen për shkak të çdo lloj spontaniteti. Njëkohësisht, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka vazhdimi i procesit të dekriminalizimit, si një proces jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme, si një detyrim i të gjitha forcave politike për të garantuar integritetin e përfaqësuesve që do t’u propozohen qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 18 qershorit dhe jo vetëm të atyre, por në çdo institucion dhe post publik, njëkohësisht edhe si një proces shumë i rëndësishëm, që do t’i japë kredibilitet edhe angazhimit të të gjithë aktorëve për reformën në drejtësi në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. 
Tani jam i hapur për pyetje, pasi ju jeni lodhur duke dëgjuar fjalime nga ne, kështu që unë nuk do të lodhem duke dëgjuar pyetje nga ju: 
Z. Meta, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, dje, pas shkarkimit, artikuloi akuza shumë të forta, që flisnin për lidhjet e pushtetit me krimin e organizuar, me korrupsionin. A ishit vënë ju më parë në dijeni nga vetë Manjani për të gjitha këto, që ai i quajti fakte dhe a i besoni ju ato?
Së dyti, Pranimi i kërkesës së z. Rama për të shkarkuar z. Manjani, a ishte në të vërtetë një dorëzim i Ilir Metës përballë tij?
Po e filloj nga dorëzimi.
Ilir Meta, në vitet 2008-2009 dhe LSI-ja, edhe pse forcë shumë e re, kur dy kolegët e mi, z. Rama dhe z. Berisha u bashkuan si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë, për të bërë ndryshimet kushtetuese, të cilat në thelb synonin eliminimin e LSI-së dhe të çdo alternative tjetër politike në vend (dhe aty duhet ta shohim edhe të keqen e vonesave të deritanishme të reformës zgjedhore), Ilir Meta nuk u dorëzua ndaj të dyja partive së bashku, të cilat ishin shumë të mëdha atëherë. Jo vetëm kaq, por pas 2009-s u bë faktor stabiliteti në vend dhe faktor që Shqipëria të ecte përpara në procesin e integrimit, edhe pse në një koalicion mjaft të vështirë, të paparashikueshëm dhe të padëshirueshëm nga ne para vitit 2009, sepse u përjashtuam nga koalicioni me Partinë Socialiste, për shkak të saj. Liberalizimi i vizave ishte një arritje madhore, por të mos harrojmë edhe diçka tjetër, që edhe statusi i vendit kandidat do të ishte marrë gjatë atyre katër vjetëve, në rast se nuk do të ishin bllokuar me kokëfortësi 3 ligjet e integrimit evropian të vendit. Kështu që Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presioni, as nga z. Rama, as nga z. Berisha, nga z. Basha, sigurisht që jo, dhe as nga vetë brenda LSI-së. Ndërkohë që çdo ministër, çdo ish-ministër, çdo ish-kryeministër, çdo deputet dhe çdo ish-deputet dhe çdo qytetar shqiptar që ka fakte për implikimin e cilitdo zyrtari, politikani apo qytetari me krimin e organizuar, me korrupsionin duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë.
A është rrezikuar në momente të caktuara koalicioni? 
Sepse fryma e bashkëpunimit të koalicionit nuk është një lajm për ju dhe mediat, aq më tepër nuk është shumë e mirëpritur nga opozita. Kjo është normale dhe e kuptueshme. Unë nuk jam këtu për t’u bërë jehonë qëndrimeve të çdo përfaqësuesi të LSI-së ose PS-së ose të partive të tjera, kjo është një e drejtë e tyre. Ajo që mund të them është që LSI-ja, e para dhe e dyta kryetari i LSI-së Ilir Meta, i kanë qëndruar pikë për pikë në germë dhe në frymë kësaj marrëveshjeje dhe kur ka pasur raste që përfaqësues të LSI-së nuk kanë qëndruar në mesazhin e asaj marrëveshjeje, kuptohet që LSI ka reflektuar. Tani, e di unë, keni një merak tjetër ju. Është një pyetje që e bëni ju patjetër, por që e kam me shumë qejf, “Naimi i reformës në arsim”. Pse nuk ikën LSI-ja nga qeveria kur LSI-ja ka kaq mospajtime, siç është rasti edhe te zbatimi i reformës në arsim edhe te reforma të tjera? Do t’ju them për Naimin dhe për të gjithë “sorrat” anti-LSI se LSI nuk është një parti klienteliste dhe nuk është shtojca e askujt, as ka qenë, as ka për t’u bërë.Nëse Partia Demokratike në vitin 2009 do të kishte 71 mandate LSI-ja kurrë nuk do të kishte hyrë në koalicion me Partinë Demokratike. Nëse sot Kryeministri Edi Rama konfirmon 71 mandate në mënyrë legjitime apo jo, se i ka për të qeverisur Shqipërinë, LSI-ja del në opozitë që tani. Nëse më 19 qershor, Edi Rama apo Lulzim Basha konfirmojnë me koalicionet e tyre 71 mandate, LSI-ja do të jetë në opozitë, sepse vendi nuk ka nevojë për një LSI shtojcë të asnjë lloj maxhorance. 
Z. Meta, ju po paralajmëroni me faktin, që do të prisni rezultatin e 19 qershorit, se do të dilni vetëm në zgjedhje, nuk do të ketë koalicion parazgjedhor?
Unë nuk thashë atë që keqkuptuat ju pa dashje, sepse se çfarë koalicioni do të bëjë LSI-ja e vendos LSI-ja. LSI-ja është në një koalicion dhe i qëndron atij koalicioni, për të ardhmen i takon forumit të LSI-së të marrë vendime. LSI-ja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë shtojcë e asnjë force politike dhe e asnjë maxhorance që i ka 71 vota për të qeverisur vendin pa LSI-në, që i ka 71 vota në mënyrë legjitime apo që e merr përgjegjësinë t’i shpall këto vota se i ka edhe në mënyra të tjera, absolutisht. Por ne nuk mund të mbajmë asnjëherë përgjegjësi që për një mospajtim të caktuar, për një debat të caktuar, të çojmë vendin në një vakum qeverisjeje, legjitimiteti, që mund të cenojë reformat dhe besueshmërinë e vendit. Këtë gjë ne nuk e marrim përsipër.
Z. Meta, ju thatë që koalicionin do ta vendosin forumet e LSI-së, gjithashtu thatë që po zbatoni në frymë dhe në germë marrëveshjen e Shkodrës, ndërkohë që për marrëveshjen e Shkodrës sanksionon një bashkëpunim 8-vjeçar me Partinë Socialiste. 
Besoj se në kohën e duhur, forumet e LSI-së do të japin përgjigjet e duhura. Kishim shumë çështje të tjera më të rëndësishme sot që kërkojnë angazhimin 
Pyetja tjetër lidhet me çështjen e stabilitetit. Ekziston një letër që ju i keni dërguar Presidentit të Republikës, për sa i përket çështjes së Klement Balilit, që, sipas jush, është një çështje që cenon rëndë sigurinë kombëtare ?
Lidhur me çështjen e policisë unë kam qenë gjithnjë një përkrahës dhe mbështetës i fortë i Policisë së Shtetit dhe në momentet kur policia është sulmuar nga horra dhe banditë mes bulevardit. Ju e dini shumë mirë këtë gjë. Kam qenë mbrojtës i flaktë i Policisë së Shtetit edhe kur është sulmuar me armë nga horra dhe banditë të tjerë. I kam dalë për zot gjithmonë në zbatimin e ligjit. Po kështu gjatë vizitës sime të fundit në SHBA, ku u prita në një takim të veçantë nga Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës, njëkohësisht edhe për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, me të cilin pata një bisedë të shkëlqyer, në vijim të bisedës sonë, para reformës në drejtësi, ai më kërkoi 3 herë me insistim që të punoja për konsensus. 
Ju pyetën edhe kolegët në fillim fare, a ua ka thënë z. Manjani shqetësimet e tij më herët?
Shqetësimet që unë mund të kem marrë, kam kërkuar që gjithmonë të zgjidhen në rrugë institucionale. Kjo është rruga më e mirë që zgjidh shqetësimet. 
Pyetje për koalicionin: ju thatë se LSI-ja nuk do të jetë shtojcë e askujt…
As ka qenë, as është e as do të jetë.
Kjo do të thotë se Ilir Meta pret 19 qershorin apo pret 2 prillin, për të vendosur se në cilin koalicion do të jetë?
Ilir Meta nuk kushtëzohet nga afate dhe hamendësime që nuk i shërbejnë vendimmarrjes. Isha këtu për të tërhequr vëmendjen për çështjet më të rëndësishme, për të cilat ka nevojë vendi sot. Nuk është shqetësim i shqiptarëve se kur e shpall LSI-ja koalicionin dhe se si po e shpall. Shqetësimi i shqiptarëve është të mos dëgjojë më se u vodh vota, u ble vota, ndërhyri ky këtu, ndërhyri ai atje. 
Duke iu referuar atyre çfarë ju keni deklaruar, keni përjashtuar kategorikisht një koalicion me Partinë Demokratike, dhe jeni shprehur hapur për këtë, që nuk do të jeni me Partinë Demokratike në koalicion.
Për të qenë fare të sinqertë, në fakt, nuk e kam përjashtuar unë në mënyrë kategorike koalicionin me Partinë Demokratike. Unë isha në studion e koleges suaj dhe jam habitur dhe kur ajo nxori një sinkron të kryetarit të opozitës, z. Basha, i cili çuditërisht, me mjaft nerv dhe ton të lartë, refuzoi tri herë me një “jo” të fortë koalicionin me LSI-në. Ajo që unë bëra, ishte që shpreha me një ton shumë të qetë konsensus të plotë me z. Basha për mos bërje koalicioni me Partinë Demokratike. Kjo është e vërteta.
Sigal