PD refuzon ftesën e Ramës për të zgjidhur ngërçin në AMA dhe RTSH

462
Sigal

TIRANE- Një ditë pasi mazhoranca ka ftuar opozitën të marrë pjesë në komisionet parlamentare për të zgjidhur ngërçin në AMA dhe RTSH, Partia Demokratike ka refuzuar. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Luçiano Boçi tha se “opozita nuk do të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta”, pasi sipas tij ata duan të uzurpojnë institucionet rregullatore të medias. Boçi tha se PD ka kërkuar prej mëse 1 viti plotësimin e vendeve vakante në AMA, por sipas tij, mazhoranca kishte si qëllim të vetëm heqjen e kryetares së këtij institucioni.
 
“Ka mëse një vit që opozita kërkon plotësimin e 3 vendeve vakante për anëtarë të AMAs, por mazhoranca kishte si qëllim vetëm heqjen e kryetares së institucionit.
 
Në letër, mazhoranca shprehet e shqetësuar për afatet e dixhitalizimit, në një kohë që vetë ajo dhe klientët e vet mediatikë, e kanë pezulluar atë. Dhe kjo vetëm për arsyen e dorëzimit të drejtimit të AMA-s ortakut të vet mediatik.
 
Ndërkohë për Bordin e RTSh pasi, u arrit gojarisht konsensus për proceduren, maxhoranca refuzoi ta miratonte formulën përkatëse në mbledhjet e 3 e 7 korrikut, duke kërkuar kohë pa fund për reflektim.
 
Pasi mazhoranca u bë qesharake me 2 amendamente, 3 memo dhe 2 vendime antiligjore e antikushtetuese për të uzurpuar AMA-n, me një skemë të mirëkoordinuar me klientët e vet mediatikë, arriti ta pezullojë padrejtësisht nga detyra kryetaren e AMA-s.
 
I bējmë thirrje mazhorancës të ruajë qetësinë dhe të zbatojë pikë për pikë ligjin. Opozita nuk mund të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta që duan të kapin institucionet rregullatore të medias, duke vënë kështu nën kontroll e terror gjithë operatorët mediatikë!”, tha Boçi.
 
Deputeti demokrat tha se “reformimi i AMA-s dhe RTSH” nga mazhoranca “s’është gjë tjetër veçse një tjetër tentakulë e oktapodit Rama-Meta drejt këtyre institucioneve të pavarura”.
 
“Ka qenë insistimi i opozitës në komision, për arritjen e një formule për zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s dhe RTSH, por mazhoranca nuk ka pasur asnjëherë qëllim funksionimin e këtyre institucioneve, por uzurpimin dhe nënshtrimin e tyre ndaj klientëve të vet mediatikë”, u shpreh deputeti Boçi. – See more at: http://www.shqiptarja.com/Politike/2732/pd-refuzon-ftes-n-e-ram-s-p-r-t–zgjidhur-ng-r-in-n–ama-dhe-rtsh-242713.html#sthash.AKn1YKA5.dpuf