PD: Rama ka zyrtarizuar “Skavicën”. Konçesioni korruptiv do zhbëhet

460
Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma ka deklaruar këtë të martë se, kryeministri Rama ka hapur zyrtarisht rrugën për të përmbyllur aferën e tij “Skavica”, me firmën turke “Suzer”. “Njoftohet se tenderi do të bëhet me 11 korrik, një garë sa për formalitet, pasi fituesi është i paracakuar, është “Suzer”, kompani që zyrtarisht ka marrë ndërkohë 8 pikë bonus nga Rama pasi ka bërë propozimin e pakërkuar”, ka deklaruar Duma. 
Sipas saj, në këtë rast kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, “të shoqëruar me negociata të paligjshme e private”, të kryera nga Rama dhe Ahmetaj, “i cili në këmbim ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter”. “Kur ne e denoncuam këtë pazar të Edi Ramës me pasurinë publike me firmën “Suzer” një vit më parë, qeveria e mohoi. Më pas, negociatori i paligjshëm me çarter, Ben Ahmetaj e pranoi live në emisionin “Zonë e Lirë”. Dhe sot, “Suzer” rezulton edhe me dokument qeveritar si favorit, pasi ka marrë 8 pikë bonus për një propozim të pakërkuar”, ka vijuar Duma. 
Ajo ka akuzuar kryeministrin Rama se, po ndan me klientin e tij një prej projekteve më të mëdha hidro-energjitike në vend e rajon. “Një allishverish që ka nisur me negociata të paligjshme e private në Stamboll e që pritet të mbyllet me 11 korrik në Tiranë. “Suzer” dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot më datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: konçesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet. Se një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj afere, përfshirë takimet, udhëtimet dhe allishverishin korruptiv Rama-Ahmetaj-Suzer, do të bëhet, në mos sot, nesër. Partia Demokratike do ta zhbëjë këtë konçesion me forcën e ligjit, si çdo konçesion e aferë tjetër korruptive të Edi Ramës”, ka shtuar Duma.
Sigal